http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E shtunë, 16 shkurt 2008 - 06:46 CET

Seladin Xhezairi
BBC - Beograd

Beogradi përgatit masat kundër pavarësisë

Në Beograd udhëheqësit më të lartë të Serbisë kanë theksuar se nuk do të heqin dorë nga mbrojtja e Kosovës.

Presidenti Boris Tadiq dhe kryeministri Vojisllav Koshtunica rikonfirmuan të premten qëndrimin tashmë të njohur sipas të cilit, pavarësisht nga shpallja e paralajmëruar e pavarësisë, Kosovën do të vazhdojnë ta konsiderojnë pjesë të tërësisë tokësore dhe të sovranitetit të Serbisë.

Megjithkëtë, si dhe deri tani, edhe me këtë rast u vërejtën dallime në qëndrimet e presidentit dhe të kryeministrit.

Presidenti Tadiq tha se gjatë katër viteve të kaluara, sa është në postin e presidentit të Serbisë, askush nuk i ka kushtëzuar lidhjet e Serbisë me Bashkimin Evropian me çështjen e Kosovës.

Ndërsa kryeministri Koshtunica u shpreh se nuk do të pranojë të hyjë në Bashkimin Evropian me atë që ai e quajti, tregti të padenjë.

Burime diplomatike në Beograd thonë se në kontaktet midis autoriteteve serbe dhe atyre nga Brukseli kanë qenë zyrtarët e Serbisë ata të cilët kanë insistuar që çështja e Kosovës dhe integrimi i vendit në BE të trajtohen si dy çështje të ndara.

Këto burime e shikojnë hedhjen poshtë të marrëveshjes politike për bashkëpunim, duke e lidhur atë me dërgimin e misionit evropian në Kosovë, si provë të thellimit të krizës politike në vend.

Me gjithë zërat e aty-këtushëm për përdorim të forcës, dhe vendosje të gjendjes së jashtëzakonshme, ministri serb i mbrojtjes Shutanovac, të premten u shpreh se ushtria, siç tha ai, nuk do të marrë ndonjë vendim të gabueshëm.

Media e këtushme ndërkaq ka filluar të spekulojë për qëndrimin që do të ndërmarrë Beogradi zyrtar ndaj vendeve që do të njohin pavarësinë e Kosovës.

Tashmë bëhet e ditur se do të thirren për konsultime ambasadorët e Serbisë në vendet që pritet të njohin të parat Kosovën e pavarur.

Presidenti Boris Tadiq përjashtoi ndërprejen e marrëdhënieve diplomatike, duke thënë, pa dhënë ndonjë sqarim më shumë, se ato do të jenë në kontflikt të ngrirë.

Mediat serbe, duke iu referuar burimeve qeveritare, njoftojnë se ditëve të ardhshme pritet mbajtja e një varg protestave kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Në fakt, në Beograd vlerësohet se beteja për Kosovën ka për të qenë e gjatë.