http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E shtunë, 16 shkurt 2008 - 12:25 CET

Ekipi i BBC-së
Prishtinë

Fillon festa e pavarësisë

Qytetarët e Kosovës kanë filluar që të premten të festojnë atë që ata e cilësojnë pavarësi të vendit të tyre, ende pa u shpallur ajo.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në një konferencë shtypi të premten, ku ishin të pranishëm disa qindra gazetarë, nuk ishte në gjendje të thoshte se kur do të shpalljes pavarësia.

Qytetarë të shumtë që pasditën e së premtes dolën nëpër rrugët e Kosovës, duke u rënë borive të makinave dhe duke brohoritur “Pavarësi, pavarësi”.

Prishtina dhe shumë qytete tjera të Kosovës, që kanë nisur atmosferën festive, janë stolisur me flamuj kombëtarë, amerikanë e britanikë.

Sipas një skenari që thuhet se është sekret, por që është botuar në shtypin e Prishtinës, Kuvendi i Kosovës pritet të shpallë pavarësinë e vendit ditën e diel në ora 15.00.

Pas seancës së Parlamentit pritet që krerët e institucioneve të Kosovës, presidenti Fatmir Sejdiu, kryeministri Hashim Thaçi dhe kryeparlamentari Jakup Krasniqi, t’u drejtohen gazetarëve.

Më pas do të bëhet zbulimi i lapidarit të pavarësisë para Pallatit të Rinisë në Prishtinë.

Në agjendën e ditës së shpalljes së pavarësisë, e quajtur si “P-Day”, parashihet mbajtja e koncertit të Filarmonisë së Kosovës, pasuar nga një koncert me yjet e estradës muzikore në sheshin Nëna Terezë.

Presidenti dhe kryeministri i Kosovës para mesnatës do t’u drejtohen masës së qytetarëve që do të dalin të festojnë pavarësinë e Kosovës.

Ceremonia festive, sipas skenarit, do të përfundojë me ndezjen e fishekzjarreve në katër pjesë të ndryshme të Prishtinës.

Skenarët për festimin e “Ditës së Pavarësisë” i kanë bërë edhe qytetet e tjera të Kosovës.

Beogradi paralajmëron masa

Në prag të shpalljes së paralajmëruar të pavarësisë së Kosovës, opinioni në Serbi dhe në mesin e serbëve të Kosovës, po përcjell me vëmendje të posaçme të gjitha zhvillimet.

Autoritetet në Beograd kanë paralajmëruar një varg masash ndaj Kosovës në rast të shpalljes së pavarësisë, fillimisht duke e shpallur atë të pavlefshme dhe duke vendosur një lloj embargoje ekonomike dhe politike për Kosovën.

Kryeministri serb Vojisllav Koshtunica ka deklaruar se Serbia nuk duhet të hyjë në Bashkimin Evropian përmes 'një tregtie të padenjë'.

Ai ka porositur se “Serbia duke luftuar për Kosovën do të mbrojë rregullimin ligjor dhe të ardhmen e botës”.

Nënkryetari i qeverisë së Serbisë, Bozhidar Gjeliq, ka theksuar se nëse puna do të shkojë “deri te shpallja e paligjshme e pavarësisë së Kosovës, Serbia do të përdorë gjithë arsenalin dipomatik dhe të masave ligjore”.

Ai tha se është në interes të qytetarëve të Serbisë që të mos përdorin asnjë lloj dhune, meqë kjo përfundimisht do ta “shkëpuste Kosovën nga Serbia”.

"Masat që do të ndërmerren do të jenë bilaterale. BE-ja nuk është shtet dhe si e tillë nuk mund ta pranojë pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Gjeliq.

Ndërkohë, një numër ministrash të qeverisë së Serbisë kanë paralajmëruar se ditën e diel, kur pritet të shpallet pabarësia e Kosovës, do të qëndrojë në disa vendbanime serbe në Kosovë.

Serbët në Kosovë presin sinjalet e Beogradit

Reagime ndaj shpalljes së paralajmëruar të pavarësisë ka patur edhe në mesin e serbëve të Kosovës. Bashkësia e Komunave Serbe në veri të Kosovës iu ka bërë thirrje qytetarëve serbë që ditën e hënë të shpallin të pavlefshme deklaratën e pavarësisë së Kosovës.

Udhëheqësit e serbëve të Kosovës kanë kërkuar nga Kuvendi i Serbisë që pjesëtarët e forcave paqeruajtëse të KFOR-it që janë nga vendet që e pranojnë pavarësinë, të largohen nga Kosova dhe në vend të tyre “të vendosen trupat serbe të sigurisë”.

Në një deklaratë të Bashkësisë së Komunave Serbe në veri është kërkuar që misioni i ri i BE-së të trajtohet si okupator dhe që qeveria e Serbisë të mos nënshkruajë “me okupatorët një marrëveshje stabilizim asociimi”.

Gjithashtu thuhet se kjo bashkësi, së bashku me Ministrinë serbe për Kosovën dhe me Qeverinë e Serbisë, në muajin maj do të përgatisë zgjedhjet lokale dhe ato qendore për "Kuvendin Serb të Kosovës dhe të Metohisë".

Protesta kundër shpalljes së pavarësisë kanë paralajmëruar edhe studentët e Universitetit të Beogradit. Ata thonë se ditën e hënë, përmes protestës, do të solidarizohen me kolegët e tyre në Kosovë dhe do të shfaqin, siç thonë, mospajtimin me gjendjen e krijuar.

Mbi një mijë gazetarë në Kosovë

Qindra gazetarë e fotoreporterë nga mbarë bota po ndjekin zhvillimet lidhur me përcaktimit e statusit të Kosovës.

Sipas tyre, ky interesim vjen pasi ngjarja kryesore në rajon është Kosova dhe statusi i saj.

Në Prishtinë është krijuar ‘’Qendra Mediale” në të cilën janë akredituar më shumë se 600 gazetarë, ndërkohë që numri i tyre po rritet nga ora në orë.

Qysh të premten Kosova ka qenë lajmi kryesor i mediave të mëdha ndërkombëtare, sic është BBC, CNN, AP, FP, ARD, VOA etj.

Të gjitha këto shtëpi informative tashmë kanë dërguar ekipet e tyre në Kosovë.

Intersim i jashtzakonshëm për zhvillimet që lidhen me vendimin për statusin kanë treguar edhe media të rajonit, duke përfshirë këtu edhe ekipe të shumta gazetarësh nga Serbia, Maqedonia, Shqipëria, Greqia, Kroacia, Mali i zi.

Data e saktë e pavarësisë së Kosovës ende nuk është bërë zyrtare, ndërkaq mediat ndërkombëtare kanë publikuar shkrime të tyre ku kjo fundjavë mund të jetë koha më e mundshme e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Gazetarët të cilët ndodhen aktualisht në Kosovë thonë se, ndonëse jozyrtarisht nuk është bërë e ditur asnjë datë, 17 shkurti është mundësia e fundit e shpalljes së pavarësisë.

Rreth 1000 pritet të jetë numri i gazetarëve ndërkombëtarë dhe vendorë të cilët do të pëcjellin zhvillimet që lidhen më vendimin për statusin e Kosovës.

Maqedonia do të ndjekë hapat e BE-së

Vëzhguesit në Maqedoni thonë se Shkupi zyrtar do të përpiqet që të jetë i përmbajtur dhe i balancuar sa i përket pavarsië së Kosovës.

Për Maqedoninë të rëndësishme janë edhe lidhjet me Serbinë.

Nga autoritetet në Shkup dëgjohen hapur deklarata se Maqedonia do të ndjekë hapat e BE-së, që nënkupton njohjen e shtetit kosovar.

Megjithatë, presidenti Branko Cërvenkovski tha se Maqedonia nuk do të jetë ndër vendet e para që do ta njohin Kosovën.

Këtë e dinë edhe zyrtarët në Kosovë.

Kryeministri Thaçi ka deklaruar se Maqedonia do ta njohë shtetin e ri të Kosovës pasi më shumë shtete ta kenë njohur atë.

Shkupi tregohet i kujdesshëm sepse nuk do që të preket nga pasojat e ndonjë bllokade të mundshme ekonomike nga Serbia.

Nga ana tjetër, shqiptarët e Maqedonisë do të bëjnë presion që Maqedonia të njohë sa më shpejt që është e mundur shtetin e ri të Kosovës.

E gjetur mes dy anëve, Maqedonia do t'i mbajë kufijtë hapur. Komunikimet do të vazhdojnë normalisht.

Për këtë do të luajnë një rol shqiptarët e Maqedonisë.

Këtë e tha edhe Ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska, duke bërë të ditur se kufijtë nuk do të mbyllen.

Mendohet se për këtë kanë biseduar të premten në Shkup edhe dy kryemninistrat, Hashim Thaçi dhe Nikolla Gruevski.

Nga ana tjetër Maqedonia mendohet të jetë edhe një mundësi tjetër krahas Shqipërisë për futjen e mallrava në Kosovë në rast të një embargoje serbe.

Në Maqedoni, ndërkohë, sensi i një ngjarjeje të rrallë siç është shpallja e pavarësisë së Kosovës, ndihet shumë sidomos nga shqiptarët.

Në të gjitha qytetet me shqiptarë në Maqedoni po përgatiten festime.