http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E hënë, 11 shkurt 2008 - 07:23 CET

Kosova në fazën finale të pavarësisë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuqi, i tha BBC-së se Kosova ndodhet në ditët finale të detajimit të çështjeve teknike dhe administrative për shpalljen e pavarësisë së saj.

Ai tha se vendimi politik për shpalljen e pavarësisë së Kosovës është marrë dhe po bëhet bashkërendimi i veprimeve me bashkësinë ndërkombëtare.

Sipas tij Kosova do të jetë shtet i pavarur dhe sovran i të gjithë qytetarëve me një perspektivë të re.

Zëvendëskryeministri u ka ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të jenë të qetë dhe të ndjehen të sigurtë, meqë Kosova sipas tij ka plan të sigurisë në periudhën e zgjidhjes së statusit.

Arbër Vllahiu zhvilloi një bisedë me zotin Kuqi dhe fillimisht i kërkoi të dinte nëse kjo javë shënonte fundin e procesit të statusit të Kosovës…

Kuqi: Mendojmë se procesi ka qenë i gjatë dhe me siguri edhe shumë i mundimshëm për qytetarët e Kosovës, për vite të tëra, dhe tani kemi ardhur në fazën finale së bashku me faktorin ndërkombëtar. Në këtë drejtim jemi në fazën përfundimtare, ndoshta në ditët finale të detajimit të gjitha çështjeve teknike dhe administrative, ndërsa vendimi politik që Kosova duhet ta shpallë pavarësinë tanimë është marrë.

BBC: Pra thjesht, ju e keni datën e caktuar se kur mund të bëhet pavarësia e Kosovës?

Kuqi: Është pëlqim politik i forcave vendosëse ndërkombëtare që Kosova e ka dritën e gjelbër për ta shpallur pavarësinë e saj, ndërsa përcaktimi i ditës ose datës konkrete është çështje që i takon ekskluzivisht institucioneve të Kosovës. Por ne kemi nevojë dhe jemi duke i bërë përgatitjet edhe brenda vetvetes, por edhe me faktorët relevantë ndërkombëtarë.

BBC: Kjo do të thotë se ju po i përgatisni që të gjitha çëshjet që së bashku me Deklaratën për Pavarësinë të nxirrni edhe po themi Kushtetutën, simbolet…

Kuqi: Kemi patur një angazhim të shtuar muajve të fundit dhe me siguri edhe ditëve të fundit dhe tanimë e kemi rrumbullakësuar procesin e draftimit final të Kushtetutës së Kosovës dhe po ashtu kemi bërë edhe përzgjedhjen e simboleve të Kosovës që do të dërgohen për miratim në Kuvendin e Kosovës. Më shumë e më pak, Kosova i ka kryer të gjitha obligimet që janë kërkuar nga ajo nga bashkësia ndërkombëtare dhe tanimë kanë mbetur vetëm edhe bashkërendimi i hapave që nënkupton hapi i parë nga Kuvendi i Kosovës dhe i përcjellur menjëherë nga njohja ndërkombëtare.

BBC: Njohja ndërkombëtare në bazë të asaj që thuhet do të bëhet shpejt. Por serbët e Kosovës dhe Beogradi zyrtar nuk do ta njohin pavarësinë e saj?

Kuqi: Ne jemi të angazhuar këto ditët e fundit që serbët e Kosovës ta ndjejnë veten mirë, ta ndjejnë se po hapet një faqe e re e historisë së Kosovës, për të gjithë qytetarët e saj, përfshirë edhe pakicën serbe. Në këtë kuptim Kosova do të jetë shtet i pavarur dhe sovran i të gjithë qytetarëve me një perspektivë të re. Atë fat që do ta ketë shumica shqiptare do ta ketë edhe pakica serbe në Kosovë dhe në raste të caktuara edhe më afirmativ. Ndërsa sa i përket Beogradit ata kanë qëndrim të ngurtë dhe politika e tyre nuk dallon nga ajo e mëparshmja, apo e bazamentit të 20 vjetëve të fundit dhe ne fatin tonë më nuk e kemi të lidhur me politikën apo qendrat e vendimit në Beograd.

BBC: Por presidenti Tadiq ka kërkuar më shumë bisedime për statusin e Kosovës. Me sa dëgjoj unë ju i keni dhënë fund bisedimeve dhe brenda pak ditësh do të ecni rrugës së shpalljes?

Kuqi: Që në fillim të negociatave ne kemi qenë të bindur se arritja e marrëveshjes me Serbinë është e pamundur. Ata kanë një qëndrim të ngurtë dhe ende dominon logjika e superioritetit përballë kombeve të tjera.
Fatkeqësisht në Serbi ende ka prodhim të krizave dhe mentalitet të prodhimit të krizave edhe për të tjerët jo vetëm për Serbinë e cila i ka shkaktuar shumë dëme edhe rajonit por edhe shqiptarëve në veçanti. Ne e kemi shfrytëzuar procesin negociator për ta bindur faktorin ndërkombëtar se jemi konstruktiv, i kryejmë obligimet tona dhe përpiqemi t'i përgjigjemi kërkesave reale të faktorit ndërkombëtar.
Në anën tjetër nuk kemi hasur në një gatishmëri të tillë dhe mendoj se Serbia ka mentalitetin e viteve të shkuara. Negociatat në raport me Serbinë janë të përfunduara dhe çdo gjë me Serbinë mund të fillojë si dy shtete të pavarura dhe sovrane.

BBC: Kur flisni për bashkësinë ndërkombëtare, këtu me siguri se nuk mendoni në Rusinë, zoti zëvendëskryeministër?

Kuqi: Rusia ka qenë për një kohë në proces dhe mund të themi se ka qenë në process në kuptimin pozitiv, ndoshta muajve të fundit ka ndryshuar paksa qasjen dhe në këtë rast duket qartë se ka kthyer mentalitetin e kohës së luftës së ftohtë dhe ende është logjika e dominimit mbi rajone të caktuara pa e definuar qartë interesin e tyre kombëtar ose global.
Besojmë shumë se Rusia ka më shumë një retorikë politike dhe emocion përballë, po them, kryerjes së një obligimi moral ndaj serbëve apo Serbisë e më pak diçka racionale. Shumë shpejt jemi të bindur se Rusia do të jetë pjesë e botës demokratike dhe logjika e veprimit të saj nuk do t'i ngjajë luftës së ftohtë.

BBC: Dhe cilat do të jenë sfidat e sigurisë në periudhën e shpalljes së pavarësisë?

Kuqi: Kosova e ka planin e vet në çdo aspekt dhe unë dua që të ftoj çdo qytetar të ndjehet mirë ngase Kosova është unike në kuptimin politik, dhe në kuptimin qytetar. Ajo ka një unitet të plotë edhe me faktorin ndërkombëtar. Ne kemi marrë garanca të plota se forcat e NATO-s do të ruajnë kufirin e Kosovës. Kemi kërkuar nga të gjithë qytetarët që të kenë qetësinë e duhur dhe të menaxhojnë emocionet e veta dhe mendojmë se nuk ka nevojë për asnjë shqetësim. Kosova është e fortë po them në kuptimin e sigurisë, ka një mbështetje të plotë ndërkombëtare dhe është shumë unike në veprimet e veta institucionale.

BBC: Pra ju frikësoheni nga një ndërhyrje nga jashtë apo nga trazirat brenda?

Kuqi: Asnjë logjikë nuk ka që të ketë ndonjë trazirë brenda. Sipas retorikës që vjen nga Beogradi mund të ketë ndonjë tendencë të tyre që, ndoshta në aktin final, të na e kthejë retorikën e vuajtjes dhe dhunës e deri në gjenocid që e ka kryer këtu. Por duhet të them se ata mund të bëjnë ndonjë veprim të vogël që mund t'i kushtojë Kosovës për disa ditë e Serbisë për vite të tëra. Sidoqë të jetë, mendoj se ka forca racionale në Serbi të cilat agresionin ndaj shteteve të tjera nuk e shohin si rrugë të zgjidhjes së problemeve. Por ne jemi të përgatitur për çdo rast dhe në çdo formë.

BBC: Dhe jeni të përgatitur edhe për embargon e Serbisë?

Kuqi: Ne jemi të përgatitur edhe për emargon. Kemi vënë kontakte edhe me qeverinë e Shqipërisë, Maqedonisë dhe të Malit të Zi dhe kemi kërkuar rrugët tona alternative. Nuk ka nevojë për asnjë shqetësim. Fati politik, ekonomik dhe ndonjë tjetër nuk varet nga Serbia. Kosova është në gjendje të mbijetojë në cdo aspekt dhe të jetojë si një shtet i zhvilluar dhe demokratik pa e lidhur fatin e vet me Serbinë.

BBC: Më lejoni zëvendëskryeministër të kthehem edhe njëherë në fillim. A është fundi i kësaj jave edhe fund i procesit.

Kuqi: Ne do të punojmë shumë që fundi i procesit të jetë i qetë dhe demokratik, të jap një fotografi të mirë në botë në ditën që e bën Kosova. Ne jemi duke punuar shumë dhe pandërprerë që fundi i procesit të jetë i shpejtë.