http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E hënë, 11 shkurt 2008 - 07:03 CET

Joviq "Nuk na intereson pavarësia"

Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës kanë deklaruar se shpallja e njëanshme e pavarësisë së saj nuk do t'i obligojë ata që ta respektojnë.

Ata kanë thënë se do të vazhdojnë të jetojnë me Rezolutën 1244 dhe nuk do të ndërpresin kontaktet me UNMIK-un dhe KFOR-in.

Njëri nga anëtarët e Këshillit Kombëtar Serb, në veri të Kosovës, Nebojsha Joviq, i tha BBC-së se me shumë gjasa pjesëtarët e bashkësisë serbe do të mbesin edhe në SHPK…

Joviq: Përgjigja jonë do të jetë e tillë që në të njëjtën kohë kur Kuvendi shqiptar të shpallë pavarësinë, të themi se një vendim dhe një krijesë e tillë, e krijuar me dhunimin e të drejtës ndërkombëtare, e krijuar në rrethanat e spastrimit etnik, pra të krimeve të luftës, dhe të kujtoj se mbi 250 mijë serbë dhe jo shqiptarë ende nuk janë kthyer në Kosovë, pra një krijesë e tillë nuk na obligon për ta respektuar.
Ne në veri do të themi se pavarësia e Kosovës nuk na intereson dhe ne do të mundohemi që me sjelljet tona të mos provokojmë asnjë lloj dhune ose përplasje.
Ne do të vazhdojmë edhe më tutje që të jetojmë me Rezolutën 1244, që do të thotë se nuk do të ndërpresim kontaktet me UNMIK-un dhe KFOR-in dhe me shumë gjasa pjesëtarët e bashkësisë serbe do të mbesin në SHPK. Do të mundohemi që të mos ketë provokime nga ana jonë, meqë jemi të vetëdijshëm se duhet ta ruajmë qetësinë, stabilitetin dhe sigurinë. Pra që ne të mos bëjmë asnjë gabim dhe jam i sigurtë se shumë shpejt edhe ata që e mbështesin pavarësinë e Kosovës, do të shohin se shqiptarët në Kosovë nuk janë të pjekur për pavarësinë ose se nuk është dashur ta mbështesin pavarësinë.

BBC: Zoti Joviq, a mund të pritet që serbët të ikin nga Kosova pas shpalljes së pavarësisë nga ana e institucioneve kosovare?

Joviq: Unë ju fola se cfarë do të bëjnë serbët në veri të Kosovës, por kemi një gjendje reale që dallon kur janë në pyetje serbët në veri dhe ata në enklava. Mendoj se bashkësia ndërkombëtare duhet të marrë obligimin që atyre t'u mundësojë deklarimin nëse e pranojnë ose jo pavarësinë e Kosovës, e unë jam i sigurt se asnjë nga serbët në enklava nuk do ta pranojë atë dhe kjo mundësi duhet t'u ofrohet atyre. Mendoj se atyre duhet siguruar një pjesëmarrje sikur deri tani, në mos edhe më të madhe, në institucionet serbe sic janë shëndetësia, arsimimi dhe këto janë gjëra elementare që serbët të mbijetojnë.
Sa i përket largimit nga Kosova mendoj se ai që ka ikur ka ikur dhe për fat të keq ende nuk ka mundësi të kthehet.
Por këtu nuk është çështja nëse serbët do të largohen nga Kosova por është çështja a do t'u lejojnë ekstremistët shqiptarë atyre që të qëndrojnë në Kosovë.
Unë jam skeptik se shqiptarët e Kosovës janë të gatshëm për një jetë shumëkombëshe.
Jam i sigurt se pas disa muajsh ose vitesh ata me metodat e tyre të dëshmuara, sic janë rrëmbimet, presionet do të bëjnë çmos që mos t'i lejojnë serbët të jetojnë në Kosovë.