BBCAlbanian.com
 
Botuar: E martë, 19 shkurt 2008 - 09:49 CET
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
Reagime pas shpalljes së pavarësisë
 
Arkiv
Disa fuqi europiane i janë bashkëngjitur qëndrimit amerikan për njohjen e Prishtinës zyrtare, por Serbia e kundërshton me forcë pavarësinë e Kosovës.

Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, i ka bërë thirrje Këshillit të Sigurimit ta anullojë pavarësinë e Kosovës, por ai tha se Serbia do të përpiqet ta zgjidhë situatën me mjete diplomatike:

"Republika e Serbisë nuk do të përdorë forcën. Asnjë krizë nuk është zgjidhur me sukses me mjete të forcës, me mjete të tilla shkatërrohet vetëm jeta e njeriut. Nga ana tjetër, ky vendim arbitrar përfaqëson një precedent që do të shkaktojë dëm të pandreqshëm të rendit ndërkombetar", ka deklaruar Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq.

Rusia dhe Kina e kanë mbështetur këtë qëndrimin e Serbisë.

Ambasadori rus në Kombet e Bashkuara, Vitali Çurkin, i dënoi veprimet e udhëheqësisë shqiptare të Kosovës:

"Veprimet e paligjshme të udhëheqësisë shqiptare të Kosovës dhe atyre që e përkrahin, sjellin një precedent të rrezikshëm . Ato janë të ngarkuara me një përshkallëzim të tensionit e dhunës ndëretnike në krahinë, me pasoja shkatërrimtare për marrëdhëniet ndërkombëtare, për ndërtimin e të cilave u deshën dekada", tha ambasadori rus në OKB.

Edhe homologu i tij kinez, Wang Guangya, tha se vendi i tij ishte kundër pavarësisë së Kosovës.

"Kina është kundër çdo veprimi të njëanshëm dhe kundërshton zgjidhjet e imponuara me presion. Kina gjatë gjithë kohës ka thënë se rruga më e mirë për zgjidhjen e çështjes së statusit të Kosovës është arritja e një marrëveshjeje të pranueshme nga palët me anë të negociatave", është shprehur ambasadori i Kinës në Kombet e Bashkuara.

Nga ana e tij, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, vlerësoi Kosovën për përparimin e shënuar gjatë viteve të fundit.

"Tani Kosova ka marrë një pamje politike të gjallë e të shumëllojshme. Liria e lëvizjes është përmirësuar dhe ka rënie të nivelit të krimit për motive ndëretnike", tha zoti Ban.

"Gjatë ketyre viteve, Kosova ka shënuar përparim të ndjeshëm në zbatimin e standardeve dhe ky proces tashmë është plotësisht i integrueshëm me atë që pret Bashkimi Europian", tha Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara.

"Objektivat e mia absolute në trajtimin e çështjes së Kosovës kanë të bëjnë me ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, teksa sigurohet stabiliteti dhe siguria e vetë Kosovës, siguria e vetë popullit të Kosovës", ka përcaktuar Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon.

 
 
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>