BBCAlbanian.com
 
Botuar: E shtunë, 16 shkurt 2008 - 18:43 CET
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
Thaçi lë të kuptohet shpalljen e pavarësisë
 

 
 
Skulpturë
Pritet që të zbulohet dhe një skulpturë ku lexohet "I sapolindur" në gjuhën angleze
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi tha të shtunën në Prishtinë se e diela do të jetë një ditë tjetër 'e angazhimeve shtetërore për implementimin e vullnetit të qytetarëve të Kosovës'.

"Ne kemi agjendën tonë, agjendë të cilën do ta respektojmë si institucione të Kosovës, bashkarisht me komunitetin ndërkombëtar," tha z. Thaçi.

"Edhe dita e nesërme do të jetë ditë e qetësisë, e rendit dhe e mirëkuptimit, e angazhimeve shtetërore për implementimin e vullnetit të qytetarëve të Kosovës".

Korrespondenti ynë në Prishtinë thotë se me deklaratën e bërë pas takimit me krerët e bashkësive fetare z. Thaçi ka lënë të kuptohet se të dielën mund të shpallet pavarësia e Kosovës…

Pa konfirmuar shpalljen e pavarësisë së Kosovës, që pritet gjerësisht të ndodhë të dielën, kryeministri i Kosovës tha se autoritetet e Beogradit, nuk mund të kenë asnjë ndikim në zhvillimet që ndodhin në Kosovë.

Korrespondentët e BBC-së në Prishtinë thonë se në Kosovë kanë filluar tashmë përgatitjet për festimet që do të shoqërojnë shpalljen e pavarësisë.

Misioni i BE-së

Ndërkohë, Bashkimi Evropian miratoi dërgimin e misionit të tij në Kosovë.

Misioni, në përbërje të të cilit do të jenë 2 mijë vetë, do të fillojë dislokimin javën e ardhshme.

Ai do të drejtohet nga gjenerali francez në pension, gjen. lejt. Yves de Kermabon, që ka qenë komandant i forcës paqëruajtëse në Kosovë gjatë 2004-2005-ës.

Diplomati veteran holandez, Pieter Feith është emëruar i dërguari i posaçëm i BE-së në Kosovë.

SHBA dhe shumica e vendeve të BE-së pritet që ta njohin shpejt pavarësinë, por Rusia dhe Serbia e kundërshtojnë fuqishëm këtë hap.

"Procedurë e heshtur"

Bashkimi Evropian priti deri në momentin kur presidenti serb, Boris Tadiq bëri betimin në post të premten, para se të hapte dritën jeshile për misionin në Kosovë, thotë korrespondentja e BBC-së në Bruksel.

Vendimi u zyrtarizua nga e ashtuquajtura "procedurë e heshtur", sipas së cilës blloku me 27 anëtarë, kishte kohë deri në mesnatën e shkuar për të shprehur kundërshtimet.

Misioni i përbërë nga 2 mijë anëtarë, policë, zyrtarë doganash, gjykatës dhe prokurorë, do të ketë për detyrë të ndihmojë në ndalimin e shkeljes së të drejtave të njeriut dhe të sigurojë që të mos ketë ndërhyrje politike në punën e institucioneve të Kosovës.

Misioni po ashtu do të ndërhyjë në zonat e ndjeshme, si janë lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe në kapjen e të dyshuarve për krime lufte.

Ndërsa Gjermania dhe Italia janë kontributorët më të mëdhenj, pjesëmarrës në mision janë të gjithë vendet anëtare të BE-së me përjashtim të Maltës, ndërkohë që do të kontribuojnë dhe vende si SHBA, Turqia dhe Kroacia që nuk janë anëtare.

 
 
LOKALE
Beogradi kritikon misionin e BE-së
16 shkurt 2008 | Rajoni
Beogradi përgatit masat kundër pavarësisë
16 shkurt 2008 | Faqja Kryesore
Fillon festa e pavarësisë
16 shkurt 2008 | Faqja Kryesore
Sa efektive është Kosova e pavarur?
15 shkurt 2008 | Faqja Kryesore
Misioni i BE-së në Kosovë javën e ardhshme
16 shkurt 2008 | Faqja Kryesore
Kosova në pritje të pavarësisë
15 shkurt 2008 | Faqja Kryesore
Roli i BE-së dhe sovraniteti i shtetit të ri
15 shkurt 2008 | Faqja Kryesore
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>