BBCAlbanian.com
 
Botuar: E premte, 15 shkurt 2008 - 17:34 CET
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
Sa efektive është Kosova e pavarur?
 
Arkiv
Kosova përballet me sfida te reja
Këtë fundjavë, Kosova pritet të shpallë zyrtarisht pavarësinë.
Një pyetje e rëndësishme parashtrohet vetvetiu.

Sa do të jetë efektive një Kosovë e pavarur? Kësaj pyetje mundohet t'i japë përgjigje korrespondenti i BBC-së, Nick Thorpe.

Kosova nuk ka të dhëna të besueshme për numrin e popullsisë. Shumica e vlerësimeve sillen rreth shifrave 1.7 deri në 2.4 milionë banorë.

Në Kosovë po ashtu nuk ka të dhëna të sakta rreth numrit të serbëve që jetojnë në Kosovë.

Një numër i madh i banorëve serbë është larguar, kanë emigruar për punë apo kanë shkuar në zonat ku etniciteti serb është shumicë.

Shumë prej tyre janë kthyer, apo e mbajnë një këmbë në Kosovë e tjetrën në vendin ku kanë emigruar.

Gerald Knaus, kreu i organizatës Nisma Evropiane për Stabilitet me qendër në Vjenë, thotë se ky problem është serioz.

"Nëse nuk dihet numri i popullsisë, si mund të ndërtohen politika të besueshme në fusha të tilla si arsimi, politika sociale apo pensionet. Si mund të ndërtosh politika kur nuk e ke idenë për të dhënat elementare demografike të popullsisë së vendit?"

Ky nuk është problemi i vetëm i Kosovës.

Papunësia e kalon shifrën 40 për qind dhe është më e lartë se kaq në fshat.

Megjithatë, Paul Acda, kreu i Njësisë Ekonomike dhe Rindërtimit në Misionin e Kombeve të Bashkuara, thotë se që prej vendosjes së administratës së UNMIK-ut, është shënuar një përparim i rëndësishëm.

Struktura ekonomike e Kosovës i ngjan një gërmadhe të vërtetë, ka thënë zoti Acda.

 Është një proces i ngadalshëm, sigurisht që ka akoma shumë punë...
 
Paul Acda

"Ne kemi ndërtuar një ekonomi tregu, sistem të shëndoshë fiskal, rregullatorë të tregut dhe kemi arritur të ndryshojmë konceptin e njerëzve përsa i përket blerjes dhe drejtimit të bizneseve si sipërmarrje tregtare.

Është një proces i ngadalshëm, sigurisht që ka akoma shumë punë për të bërë dhe duhet ndryshuar mendimi në disa fusha," ka thënë zoti Acda.

Një nga ironitë e shumta në Ballkan është se Kosova e varfër dhe e mbipopulluar është në fakt e pasur më minerale.

Presidenti i ndjerë, Ibrahim Rugova, u dhuronte vizitorëve copëza mineralesh nga miniera e Trepçës në veri.

50 milionë tonë plumb e zink mbeten të pashfrytëzuara sipas një vrojtimi të kohëve të fundit, por industria është e vjetër dhe nga tri mijë punëtorë kanë mbetur vetëm rreth 600.

Një pasuri tjetër minerare është linjiti dhë qymyrguri.

Paul Acda, kreu i Njësisë Ekonomike dhe Rindërtimit në Misionin e Kombeve të Bashkuara thotë se Kosova renditet si vendi i dytë në Evropë përsa i përket rezervave të linjitit dhe vlerësohet se në një rajon me mungesë enërgjie, Kosova mund të bëhet eksportuese e saj, duke krijuar kësisoj një burim të ardhurash.

Përveç kompleksit të Trepçës në veri, vitin e kaluar ne kemi bërë në Kosovë një vrojtim gjeofizik dhe një studim nga ajri dhe kemi arritur në përfundimin së këtu ka rezerva të mëdha minerare.

Mëgjithatë, investimet në rajon janë të pakta pasi që investitorët në rradhë të parë kërkojnë garanci të sigurisë.

Misioni i BE-së i përcaktuar për të zëvëndësuar UNMIK-un, përqëndrohet ekskluzivisht në çështjet e rendit dhe drejtësisë.

Gerald Knaus i Nismës Evropiane për Stabilitet e pranon së policia dhe gjykatat e Kosovës nuk janë në nivelin që duhet të jenë, por thotë së BE nuk është drejtuar aty ku duhet.

"Ne po sigurohemi për dërgimin e prokurorëvë dhe policëve tanë atje, por në fakt nuk po flasim për të gjetur mënyra për të ndihmuar bujqësinë e vendit."

Gerald Knaus i Nismës Evropiane për Stabilitet pajtohet më këtë mendim dhe përmend Rumaninë dhe Bullgarinë që hynë në BE para një viti, si shembuj të suksesshëm.

Jepi një vendi një listë detyrimesh që duhen përmbushur kundrejt njëfarë anëtarësimi në BE si shpërblim dhe leri të ecin vetë, sugjeron ai.

Nëse rinia nuk gjen dot punë brenda vendit, atëherë le të krijohen lehtësime për punësimin e tyre në Evropën perëndimore apo në veri të saj.

Zyrtarët ndërkombëtarë kanë besim se Kosova mund ta përballojë stuhinë e kundërshtimit serb nga jashtë, por pavarësinë e kundërshtojnë me forcë edhe rreth 120 mijë serbë, 5 për qind e popullsisë brenda Kosovës.

Ekziston edhe një frikë e dyfishtë për një eksod të serbëvë nga zonat ku janë pakicë dhe për një përpjekje nga veriu, ku ata janë shumicë, për të shpallur pavarësinë nga Kosova dhë për t'u bashkuar me Serbinë.

 Nuk mendoj se do të kemi luftë apo diçka të ngjashme, por trazira mund të ketë...
 
Lulëzim Fushtica, kolonel i policisë

Koloneli i policisë, Lulzim Fushtica i cili drejton aftësimin dhë mbështetjen e të gjitha agjencive të sigurisë publike në Kosovë thotë:

"Nuk mendoj se do të kemi luftë apo diçka të ngjashme, por trazira mund të ketë, mund të ketë demonstrata. Ne mund të përballemi me bojkote, mund të kemi çështje të ndryshme, por asgjë të përmasave të mëdha. Nuk pres të ndodhë ndonjë gjë e madhe. Do të këtë plot vështirësi, plot sfida për shoqërinë kosovare, veçanërisht për Shërbimin e Sigurisë së Kosovës, edhe për KFOR-in dhe policinë e UNMIK-ut, por me një qasje të duhur, mendoj se do t'i kapërcejmë"

Pas shpalljes së pavarësisë dhe një shkalle njohjeje ndërkombëtare, pritet një periudhë kalimtare prej 120 ditësh - është periudha e lindjes së ngadaltë të shtetit më të ri të Evropës. Funksionimi apo jo i Kosovës, varet nga niveli i reaksionit që do të ngjallë dhe cilësia e ndihmës që do të marrë.

Asnjë shteti tjetër në Ballkan nuk i është ofruar shans më i mirë.

 
 
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>