http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E hënë, 31 dhjetor 2007 - 08:15 CET

Ende asnjë vendim për zgjedhjet

Komisioni elektoral në Pakistan ka bërë të ditur se do të konsultojë partitë politike në vend para se të bëjë të ditur nëse të shtyjë apo jo zgjedhjet parlamentare të 8 janarit.

Ai tha se do ta bëjë të ditur vendimin të mërkurën.

Komisioni më herët kërkoi edhe raporte për gjendjen në krahinat e Pakistanit për t'u siguruar nëse janari është koha e përshtatshme për zhvillimin e zgjedhjeve.

Dhuna, veçanërisht në krahinën Sindh ka shkaktuar probleme të mëdha në logjistikën e zgjedhjeve. Zyrat e disa komisioneve zgjedhore janë djegur bashkë me listat e votuesve.

Trashëgimtarët politikë

Partia e udhëheqëses së vrarë të opozitës pakistaneze, Benazir Bhutto, ka caktuar djalin e saj 19 vjeçar dhe bashkëshortin si bashkëdrejtues të partisë.

Studenti Bilawal tha se do të ishte titullar i Partisë së Popullit të Pakistanit, por se kontrollin e saj do ta kishte babai i tij, Asif Ali Zardari.

Bashkëdrejtuesit e rinj të partisë thanë se do të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare të tetë janarit.

Paqartësi

Nuk është e qartë se kush do të bëhet kryeministër nëse fiton Partia e Popullit.

Zoti Zardari është një figurë shumë e debatueshme që ende përballet me akuza për korrupsion, ndërsa i biri, Bilawal, është student në Britani.

Një korrepondent i BBC-së në Pakistan thotë se nuk është e sigurtë nëse ekipi babë-e-djalë do të shihet si forcë e besueshme në politikën pakistaneze.

Reagime

Presidenti Musharraf ka thënë se do ta shqyrtojë mundësinë e ndihmës ndërkombëtare për të hetuar vdekjen e zonjës Bhutto.

Në një reagim të fundit, kryeministri britanik Gordon Brown u ka bërë thirrje pakistanezëve të ruajnë qetësinë, ndërkohë që udhëheqësit e tyre po shqyrtojnë se si të ruajnë ecurinë e procesit demokratik të vendit.

Në një shkrim për një gazetë të Pakistanit, zoti Brown thotë se zgjedhjet e lira e të ndershme janë pengesa më e madhe për terroristët.