http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E premte, 28 dhjetor 2007 - 15:29 CET

Pakistanezët vajtojnë Bhutton

Dhjetra mijëra vetë në Pakistan kanë marrë pjesë në varrimin e udhëheqëses së opozitës, Benazir Bhutto.

Ajo u varros në mazoleumin e familjes Bhutto në fshatin Garhi Khuda Bakhsh, në Larkana, në jug të vendit.

Turma pakistanezësh të pikëlluar ndoqën pas makinën që mbante arkivolin me trupin e pajetë të Benazir Bhuttos.

Arkivoli, i mbuluar me flamurin e partisë së zonjës Bhutto, ishte i vendosur në një ambulancë të bardhë.

Forcat pakistaneze të sigurisë janë vendosur në shkallën e sigurisë së më të lartë, ndërsa bëhet e ditur që 19 vetë janë vrarë gjatë akteve të dhunës në të gjithë vendin.

Presidenti Pervez Musharraf ka bërë thirrje për qetësi, pas vdekjes së zonjës Bhutto në një tubim zgjedhjesh, ku një person i armatosur hapi zjarr kundër ish-kryeministres së Pakistanit dhe më pas vrau veten.

Përkrahës të zemëruar

Turma të tjera të tronditura thellë e pritën korteun funeral të zonjës Bhutto pranë muzoleumit të familjes në provincën Sindhi.

Jashtë mauzoleumit me tri kupola turmat me zë të lartë dënonin presidentin Pervez Musharraf për vdekjen e udhëheqëses së opozitës.

Pjesëmarrësit në varrim, disa duke vajtuar dhe duke goditur gjoksin, mundoheshin me vështirësi të shihnin arkivolin që shoqërohej nga bashkëshorti i zonjës Bhutto, Asif Ali Zardari dhe tre fëmijtë e saj.

Ajo u ajo u varros pranë të atit -- një tjetër ish kryeministër, Zulfikar Ali Bhutto i cili u dënua me varje në vitin 1979 nga një qeveri ushtarake e Pakistanit.

Benazir Bhutto u vra ditën e enjte ndërsa po largohej nga një miting zgjedhor me përkrahësit e saj në Rawalpindi.

Presidenti Pervez Musharraf ka fajësuar ekstremistët islamike për vrasjen dhe ka deklaruar trie ditë zi kombëtare.

Një zyrtar i qeverisë pakistaneze tha se mbrapa këtij sulmi mund të jetë Al-Qaeda.

Përkrahësit e zonjës Bhutto thanë se qeveria nuk bëri aq sa duhet për ta mbrojtur atë.