http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E mërkurë, 12 dhjetor 2007 - 15:28 CET

Brown flet në parlament për Kosovën

Kryeministri britanik, Gordon Brown, tha të hënën në parlamentin e vendit se Britania mbështet pavarësinë e mbikqyrur për Kosovën.

"Ne besojmë se Kosova duhet të shkojë drejt pavarësisë së mbikqyrur.
Nuk ishte e mundur të arrihej një marrëveshje mes kosovarëve dhe serbëve," tha z. Brown.

"Ne besojmë se Bashkimi Evropian duhet të ofrojë mjetet e veta për të barazuar ato mjete (ndërkombëtare) që janë aktualisht në Kosovë dhe ne shpresojmë se mund të shkojmë drejt asaj që ne e quajmë pavarësi e mbikqyrur.

E thënë me fjalë të tjera, që të përmbushen të drejtat e kosovarëve, me kusht që të mos ketë dhunë," shtoi ai.

Kryeministri britanik tha se kjo çështje do të diskutohej nga BE-ja gjatë fundjavës.

Statusi i Kosovës tha z. Brown, është përgjegjësi e Bashkimit Evropian.

'Zgjidhje e duhur'

Më tej, z. Brown theksoi rëndësinë e gjetjes së 'zgjidhjes së duhur' për Kosovën dhe popullin e saj.

"Kjo është zona e fundit e Ballkanit ku ne duhet të zbatojmë në praktikë mekanizmat që do të siguronin paqe dhe stabilitet në të ardhmen," tha ai para deputetëve.

"Unë personalisht besoj se serbët janë të interesuar të punojnë me Bashkimin Evropian dhe ne duhet t'i bindim që ta bëjnë një gjë të tillë, por unë mendoj se çështja më rëndësi është që ne të mbështesim pavarësinë e mbikqyrur të popullit të Kosovës," shtoi ai.

Kryeministri britanik tha se Serbisë dhe Rusisë po i dërgohet 'haptazi dhe qartë' mesazhi se kjo është rruga që dëshiron të ndjekë BE-ja dhe Britania e Madhe.

Ai kërkoi mbështetjen e gjithë spektrit politik në vend për këtë.

"Shpresoj se për hapat që ne po ndërmarrim për këtë, do të ketë mbështetje nga të gjitha partitë".

'Shqetësimi' rus

Ndërkohë, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka përsëritur të mërkurën 'shqetësimin e Rusisë' për pavarësinë e Kosovës.

Z. Lavrov tha në një intervistë për BBC-në se një hap i tillë, do të vendoste një 'precedent të rrezikshëm' në Ballkan, këtë pjesë të paqëndrueshme të Evropës.

'Pasoja e dukshsme e kësaj është se ligji ndërkombëtar do të pengohet në mënyrë brutale dhe do të vendoset një precedent jo vetëm për Ballkanin. Maqedonia, Bosnja, Mali i Zi, sigurisht Serbia dhe ndoshta edhe disa vende të tjera, do ta ndjenin ndryshimin," tha ai.