BBCAlbanian.com
 
Botuar: E shtunë, 29 dhjetor 2007 - 17:09 CET
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
Zgjedhjet e janarit në pikëpyetje
 
Pakistan
Si rezultat i situatës së tensionuar ka patur disa të vrarë
Komisioni elektoral në Pakistan thotë se dhuna që shpërtheu pas vrasjes së udhëheqëses së opozitës, Benazir Bhutto ka penguar përgatitjet për zgjedhjet parlamentare të muajit tjetër.

Ai do të mbajë një takim urgjent të hënën për të vendosur nëse duhet të vazhdohet me votimin.

Më shumë se 40 persona janë vrarë si rezultat i përleshjeve dhe situatës së turbullt.

Presidenti Pervez Musharraf ka urdhëruar shefat e tij të sigurisë të marrin masa të forta për të vendosur rregull dhe qetësi.

Figura të larta nga partia e zonjës Bhutto do të mblidhen të dielën për të diskutuar nëse të bojkotojnë zgjedhjet apo jo.

Kundërshtohet versioni zyrtar

Partia e zonjës Bhutto, Partia e Popullit, e ka hedhur poshtë versionin e qeverisë për vdekjen e saj.

Autoritetet pakistaneze thanë se zonja Bhutto nuk kishte vdekur nga plagë plumbi apo cifla të shpërthimit. Sipas versionit zyrtar, ajo kishte ndërruar jetë nga plagët në kokë pasi kishte goditur pjesën e sipërme të automjetit te vet, duke dashur t'i shmangej atentatorit.

Një zëdhënëse e Partisë së Popullit, e përshkroi versionin zyrtar si një marrëzi të rrezikshme. Ajo tha se autoritetet po përpiqeshin të çliroheshin nga përgjegjësia pasi nuk mundën të mbronin zonjën Bhutto.

Vëzhgim i situatës

Një korrepondent i BBC-së njofton se autoritetet vazhdojnë konsultimet me partitë politike që shpresojnë arritjen e konsensusit për shtyrjen e votimeve, të caktuara për datën tetë janar.

Zyrtarë të lartë të administratës së Presidentit Bush kanë kontaktuar me aleatët ndërkombëtarë dhe partitë politike në Pakistan.

Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Tom Casey, tha se zgjedhjet në Pakistan duhet të zhvillohen në datën e caktuar, nëse mund të sigurohet mbajtja e qetë dhe sigurt e tyre. Ai tha se është e rëndësishme që Pakistani të vazhdojë të ecë në rrugën e demokracisë.

Ndërkaq një nga kandidatët kryesorë për postin e presidentit të Shteteve të Bashkuara, senatorja demokrate Hillary Clinton, tha se qeveria e drejtuar nga Presidenti Musharraf e kishte humbur gjithë besimin.

Zonja Clinton tha se kërkohej "një hetim ndërkombëtar i pavarur për vdekjen e Benazir Bhuttos" dhe se "qeveria pakistaneze nuk gëzon besueshmërinë e nevojshme për të kryer një hetim të tillë".

 
 
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>