BBCAlbanian.com
 
Botuar: E enjte, 29 nëntor 2007 - 16:26 CET
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
Lordi Eshdaun për stabilitetin në Ballkan
 
Lordi Eshdaun
Ka një zgjidhje për Kosovën dhe ajo është pavarësia në kohën e duhur
E ardhmja e Ballkanit sërish është në balancë. Dy vjet bisedime për zgjidhjen e çështjes së statusit të Kosovës kanë dështuar. Serbia thotë se është e gatshme të jape autonomi të plotë territoriale, por shqiptarët e Kosovës, shumicë kërkojnë as më shumë e as më pak pavarësi .

BBC bisedoi me Lordin Pedi Eshdaun, ish-Përfaqësuesin e Lartë të OKB-së në Bosnje dhe ish-udhëheqës i Partisë Liberaldemokrate të Britanisë së Madhe.

Lordi Eshdaun thotë se ka vetëm një zgjidhje për Kosovën dhe kjo është që në kohën e duhur Kosova të bëhet e pavarur.

Fillimisht Lordi Eshdaun i përgjigjet pyetjes, se a nuk ka ardhur koha që të merret një qëndrim i menduar mirë, pasi mund të trazohet situata, e cila gjithësesi është e tensionuar dhe rrezikshme ?

Lordi Eshdaun: Ka ardhur koha të merret një vendim, i cili duhej të merrej në vitin 1999-të, kur mbaroi lufta.

Shiko, ka një fakt që është i qartë, dhe i kuptueshëm dhe i njohur nga të gjithë, megjithëse ndonjë përpiqet ta mohojë atë, dhe pikërisht fakti se nisur nga mënyra sesi Beogradi e trajtoi dhe qeverisi Kosovën, ku serbët janë pesë për qind e popullsisë dhe shqiptarët e Kosovës janë 95 për qind e saj, Serbia humbi të drejtën morale dhe atë praktike për të qeverisur Kosovën.

Kjo ndodh. Britania për shembull, e humbi të drejtën morale dhe praktike për të qeverisur Irlandën, për shkak të mënyrës sesi ne e trajtuam Irlandën. Dhe Irlanda u bë një shtet i veçantë. Ky ishte realiteti.

Ky është një vendim, i cili duhej marrë menjëherë pas luftes në Kosovë në 1999-tën.

Shumë nga ne ishim të mendimit se sa më shumë zgjatej kjo punë, aq më e vështirë do të bëhej situata, pasi do ti mundësonte Beogradit dhe forcave jo-konstruktive në rradhët e shqiptarëve të Kosovës, që të manovronin në këtë vakum të krijuar.

Kjo i ka krijuar hapsirë Rusisë për të luajtur me këtë çështje.
Ka vetëm një zgjidhje për Kosovën dhe kjo është që në kohën e duhur Kosova të bëhet e pavarur.

Poqese ky vendim do të ishte marrë më herët, nuk do gjendeshim sot në këtë pozitë qe jemi.

E dyta, kjo tashmë është lënë si një çështje e hapur prej aq shumë kohësh, saqë është shndëruar në faktor destabilizues në pjesë të tjera të Ballkanit.

Shqetësimi im nuk është vetëm Kosova, e cila është boll serioze si e tille, por relativisht e kufizuar.

Aktualisht egziston një propabilitet i madh që serbët në Republika Srbska në Bosnjë, do të shpallin pavarësinë e njëanshme, çka do të krijojë një problem shumë, shumë të madh.

Në fakt, problemi më i madh që fshihet pas Kosovës, të cilën nuk e kanë komentuar shumë, është problemi i Bosnjës. Dhe ky destabilizim do të jetë jashtëzakonisht shqetësues.

BBC: Lordi Eshdaun, flitet për armatosje të paraushtarakëve, dhe riformime të njësive të tyre...?

Lordi Eshdaun: Unë nuk them se ato nuk janë serioze, por shqetësimi i vërtetë është ky. Jo se nuk do të ketë konflikt, siç kërcënon ushtria e Car Llazarit, e kështu me rradhë.

Unë mendoj se ky nuk është problemi i vërtetë. Problemi i vërtetë është se, nëse do të ketë një shpallje të njëanshme të pavarësisë, nga serbet në veri të lumit Ibër në veri të Kosovës, e pasuar nga nje tjetër në Bosnjë, e cila do të çojë në ndarjen e shtetit boshnjak, dhe për pasojë do të zërë në grackë komunitetet myslymane në Srebrenicë, Kozarac dhe Brçko, brënda entitetit sërb, që i përket Beogradit, lind pyetja: Cfarë do të bëjë Perëndimi ?

Dhe këtu kemi të bëjmë me një problemë shumë, shumë serioz.

BBC: Lordi Eshdaun, udhëheqësi i opozitës këtu në Britani të Madhe, do të mbaj një fjalim, ku do të sugjerojë se forcat perendimore, të cilat mund të përfshijnë trupat britanike, duhen dërguar në Ballkan, për të parandaluar Rusinë nga ndezja e një lufte tjetër në rajon. A do ta mbështesnit ju një gjë të tillë ?

Lordi Eshdaun: Unë do të doja të dëgjoja se çfarë do thotë Dejvid Kemërën.

Jam i mrekulluar dhe i gëzuar që po mbaron periudha kohore kur pjesa tjetër e botës duket se kishte injoruar këtë çështje, dhe udhëheqësi i opozitës konservatore po tërheq vëmendjen për këtë problem.

Kemi të bëjmë me një problem shumë, shumë serioz. Unë mendoj se duhet të mendojmë se çfarë veprimesh duhet të ndërmarrim, nëse do të ketë shpallje të njëanshme të pavarësive, veçanërisht në Bosnje.

Dhe mendoj se duhet të përgatitemi për të përforcuar me trupa ato pjesë të Ballkanit, për të ruajtur stabilitetin.

Mendoj se ka fare pak gjasa dhe e dyshoj që Dejvid Kemërën, ka thënë se Rusia do të ndërhyjë ushtarakisht.

Nuk mendoj se ka perspektivë një gjë e tillë, por përforcimi i trupave është diçka, të cilën duhet ta shqyrtojmë si mundësi.

 
 
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>