BBCAlbanian.com
 
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
Bie ndjeshëm vlerësimi për rastet me AIDS
 
Klinikë për AIDS-in
Shumica e rasteve janë në Afrikë
Kombet e Bashkuara e kanë ulur në mënyrë të ndjeshme numrin e njerëzve që sipas përllogaritjeve janë prekur nga virusi i AIDS-it.

Agjensia e OKB-së, UNAIDS, thotë se numri rasteve me virusin HIV në të gjithë botën është 33 milionë, krahasuar me 40 milionë vitin e kaluar.

Kjo shënon një rënie me një të pestën.

Kombet e Bashkuara thonë se kjo rënie më së shumti është rezultat i përmirësimit të metodave për vlerësimin e HIV/AIDS-it, ne vende te tilla si India.

Shifrat e reja të Kombeve të Bashkuara tregojnë se statistikat e deritanishme për AIDS-in kanë qenë të fryra, para së gjithash për shkak të metodës që është përdorur në numërimin e rasteve të prekjes nga ky virus.

Praktika e mbështetjes së statistikave globale mbi përqindjet e grave shtatzëna të prekura nga virusi HIV, apo në përqindjet e personave të prekur nga grupet më të rrezikuara si përdoruesit e rregullt të drogës, duket se e ka rritur artificialisht numrin e rasteve me HIV/AIDS në shkallë globale.

Këtë vit u përdor një metodologji tjetër.

"Ky ndryshim ka ardhur kryesisht për shkak të metodologjisë dhe bazohet në të dhëna më të sakta lidhur me nivelin e infektimit me virusin HIV në vende të ndryshme. Pra është një rivlerësim i epidemisë dhe i të gjithë informacionit që është i disponueshëm", tha Drejtori i Programit për HIV/AIDS-in në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, Kevin de Cock.

Një shembull tipik është India.

"Në gjashtë vende ne kemi bërë ndryshime të mëdha në metodologji dhe më i madhi prej këtyre vendeve është India, ku vlerësimi i përgjithshëm ka rënë me afro tre milionë raste", tha drejtori i departamentit të politikave në UNAIDS, Dr. Paul de Lay.

Zyrtarët e OKB-së por edhe autoritetet e vendeve ku është shënuar një rënie e theksuar e numrit të rasteve të përllogaritura me HIV/AIDS, po përsjellin mesazhin se kjo nuk do të thotë se rreziku i prekjes nga ky virus është zhdukur.

"AIDS vazhdon të përbëjë një rrezik të madh. Shkalla e këtij rreziku është ulur në krahasim me të kaluarën, por nga ana tjetër ai mund të bëhet një problem edhe më i madh në qoftë se ulet tempi i zbatimit të programeve të ndërhyrjes dhe kontrollit me mendimin se tani AIDS-i nuk është më një problem i madh, thotë Shefi i Qendrës Kërkimore Kundër AIDS-it në Indi, Lalil Dandona.

Disa kritikë thonë se Kombet e Bashkuara mund të kenë hezituar që t'i pranonin këto shifra më të ulta për rastet e HIV/AIDS-it, pasi druheshin se kjo mund të çonte në shkurtimin e fondeve.

Ekspertët besojnë se epidemia e AIDS-it e arriti kulmin e saj në fund të viteve 90-të.

Megjithatë këtë vit nga AIDS-i kanë vdekur mesatarisht mbi 5700 vetë çdo ditë, ndërkohë që numri i rasteve të reja me HIV çdo ditë është 6800 vetë.

 
 
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>