http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E diel, 14 tetor 2007 - 21:04 CET

Moisiu për politikën shqiptare dhe Kosovën

Ish presidenti i Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu, thotë se Tirana dhe Prishtina duhet të jenë më agresive në trajtimin e problemeve të statusit përfundimtar të Kosovës dhe në reagimin ndaj mënyrave të zgjidhjes që ofron pala serbe.

Në një intervistë ekskluzive për BBC-në Zoti Moisiu flet për marrëdhëniet që ka patur si me të majtën dhe me të djathtën në qeverisje.

Ai reflekton për vendimet më të vështira që ka marrë, përfshirë edhe atë për mosshkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm – të cilin ai e konsideron vendim të drejtë.

Zoti Moisiu u bën thirrje politikanëve të ndryshojnë drejtimin dhe të vënë interesat e vendit mbi çdo gjë.
Me zotin Moisiu bisedoi Elira Lamani.

BBC: Zoti Moisiu përpara se të bëheshit President i Republikes ju ishit një ushtarak profesionist me integritet. Mund të na thoni momentet më të rëndësishme të karierës suaj si ushtarak?

Zoti Moisiu: Kariera ime ushtarake është gati 42 vjet e gjatë. Ajo ka filluar që në kohën e luftës dhe ka vazhduar deri në Janar të vitit 1985 kur unë dola në pension. Gjatë kësaj kohe ka pasur periudha nga më të ndryshmet, edhe të mira edhe jo të mira.

Pa dyshim se ndër momentet që më kanë lënë mbresa më shumë eshtë ai kur unë mbarova shkollën dhe u emërova komandant toge në shkollën ushtarake këtu në Tiranë.

Nuk kisha mbushur ende 18 vjeç dhe mu dhanë nën komandë 24 vetë që ishin shumë më të mëdhenj nga unë dhe unë isha i detyruar t’i përgatisja ata si oficerë të ardhshëm. Ky është një moment që njeriu në jetën e tij nuk e haron dot.

Një moment tjetër është kur shkova në akademinë e inxhinjerisë ushtarake në Moskë. Pas pesë vjetë e gjysëm studimesh, aq ishte programi i asaj shkolle, arrita ta mbaroj atë me medalje të artë.

Sigurisht që ishte një kënaqësi kur më caktuan të flas para gjithë studentëve që mbaruan atë vit, të cilët u përkisnin shumë kombësive të ndryshme. Ishte krenaria ime si shqiptar në këtë rast ajo që unë nuk mund ta harroj.

Një moment tjetër i rëndësishëm në jetën time është kur u emërova Komandant Brigade në vitin 1966 në Kavajë, post në të cilin shërbeva pesë vjet në vazhdimësi.

Kjo ishte vërtet një shkollë e madhe për mua: të komunikosh dhe të drejtosh me qindra njerëz me detyrat dhe hallet e tyre të përditëshme, natyrisht edhe duke patur parasysh kërkesat e ushtrisë të asaj kohe.

Sigurisht kam parasysh edhe vitin 1981 kur unë u emërova zevendës ministër i mbrojtjes, detyrë në të cilën qëndrova rreth një vit e gjysëm sepse në vitin 1982 u shkarkova për arësye politike dhe u dërgova në Burrel.

Ka qenë një shkarkim që nga pikëpamja e rangjeve ushtarake ishte një degradim nga Gjeneral në Kapiten -- gjëra të tilla nuk ndodhin në ushtri normale. Njerëzit mund të nxirren në pension para kohe, por nuk u bëhet një shkarkim apo degradim kaq i madh. Por ashtu ka qenë koha.

Gjatë gjithë kësaj kohe të gjatë 42 vjeçare ka pasur ngjarje nga më të ndryshme të cilat nuk mund t’i themi për një kohë kaq të shkurtër sa kemi në dispozicion.

BBC: Përpara se të bëheshit president, ju keni shërbyer në disa qeveri. Duke u nisur nga kjo përvojë si edhe nga përvoja në drejtimin e shtetit, cilët mendoni se janë elementet pozitivë që duhen adoptuar në qeverisjen e sotme dhe çfarë mendoni se duhet të ndryshojë?

Zoti Moisiu: Vërtet, kam pasur funksione të ndryshme shtetërore siç thashë edhe më parë që nga viti 1981. Kam qënë rreth një vit e gjysëm zëvendës ministër dhe më vonë, në dhjetor të vitit 1991 u emërova Ministër i Mbrojtjes në qeverinë teknike të asaj kohe.

Edhe pas ardhjes në pushtet të Partisë Demokratike në vitin 1992 unë mbeta për ca kohë këshilltar dhe pastaj u bëra përsëri zëvendës minisër i mbrojtjes deri në gusht të vitit 1997.

Të gjitha këto shkallë të detyrave të rëndësishme shtetërore, duke shtuar këtu edhe gjithë karjerën time ushtarake, pa tjetër që kishin formuar në ndërgjegjen time, në mentalitetin tim dhe në praktikën time kërkesat për të vepruar vetëm dhe vetëm në bazë të ligjit, vetëm dhe vetëm në bazë të kushtetutës, gjë për të cilën edhe gjatë kohës që unë isha President jam përpjekur t’i përmbahem me përpikmëri, sepse mendoj se në çdo pushtet demokratik është e rëndësishme të ketë një shtet ligjor.

Dhe për Shqipërinë, e cila ka një prejardhje shumë të hidhur, pas 45 vjetëve të një diktature shumë të egër, nga më të egrat në gjithë Lindjen - dhe kjo është e njohur si fakt - unë mund të them se ka vërtet rëndësi të dorës së parë, sepse tendencat për një shtet tribal tek ne kanë egzistuar dhe egzistojnë.

Këto tendenca bartin rreziqe shumë të mëdha, rreziqe të cilat ne i kemi provuar. Ato na çuan në vitin 1997 në ato ngjarje që ndodhën. Pra unë mendoj që tek ne duhet forcuar lufta për të forcuar shtetin ligjor.

Vetëm në këtë mënyrë ne mund të ecim përpara dhe të përshpejtojmë hapat e integrimit të cilat janë shumë të domosdoshme për zhvillimin e përgjithshëm të Shqipërisë, për t’i çelur rrugë dhe perspektivë rinisë sonë.

Kjo ka shumë rëndësi. Të rinjtë duhet ta kenë shumë të qartë perspektivën e tyre. Ata nuk duhet ta kenë dritën e tunelit të mbyllur, por ta kenë jo vetëm jeshile por edhe shumë të afërt këtë dritë jeshile.

Pra, kjo është një detyrë e politikës shqiptare, është një detyrë e gjithë qeverisë shqiptare dhe e parlamentit shqiptar.

BBC: Në vitin 2002, ju u zgjodhët president - i pari i zgjedhur me konsensus nga dy partitë kryesore. Çfarë mendoni se i shtyu palët të vinin tek kandidatura juaj; çfarë cilësish kishit ju që nuk i kishin kandidatë të tjerë?

Zoti Moisiu: Kjo është një pyetje përgjigjen e së cilës duhet ta japin ata të cilët e menduan emrin tim. Megjithatë, unë mund të them disa gjëra. Mendoj, është supozimi im sigurisht, se është prejardhja ime familjare, përvoja ime dhe ajo që unë nuk bëja pjesë në asnjë forcë politike në atë kohë.

BBC: Me një mandat të fuqishëm nga parlamenti, ju premtuat se do të kontribuonit në forcimin e demokracisë, stabilizimin e gjyqësorit dhe integrimin e Shqipërisë në struktuarat euro- atlantike. Si do të rezultonte bilanci i këtyre premtimeve? Çfarë arritët të realizonit gjatë mandatit pesë vjeçar?

Zoti Moisiu: Kjo është një pyetje që vërtet përbën një temë për analistët në të ardhmen, sepse është vështirë që unë të jap vlerësimin dhe mendimin për punën që kam bërë gjatë këtyre 5 vjetëve.

Megjithatë mund të them kaq: që unë u përpoqa, dhe them se kam bërë mirë, luftova për të forcuar shtetin ligjor, luftova që atë që thotë kushtetuta e Shqipërisë për ndarjen e pushteteve ta realizoj praktikisht.

Luftova për forcimin e pavarësisë së pushteteve të pavarura në mënyrë të veçantë të institucioneve si gjykatat, prokuroria, kontrolli i lartë i shtetit dhe ca institucione të tjera të cilat vërtet janë institucione kushtetuese që zgjidhen nga parlamenti, por veprojnë në mënyrë të pavarur.

Unë luftova për të ngritur sa më lart prestigjin e shqiptarit, imazhin e shqiptarit në arenën ndërkombëtare. Gjatë kësaj kohe u përpoqa që të krijoj lidhje sa më të afërta me homologët e mi në rajon.

Dhe besoj që këtu kam patur arritje në mënyrë që shqiptarët në tryeza jo vetëm të konsideroheshin të barabartë, por zëri ynë të dëgjohej, të vlerësohej dhe të respektohej. Kam përshtypjen që pesë vjet mund t’i quash shumë, por në kuptimin e jetës politike dhe zhvillimeve demokratike të një vendi nuk janë shumë. Kështu, mendoj që pasardhësi im do të vazhdojë më tej.

BBC: Gjatë mandatit tuaj ju luajtët një rol kyç në ruajtjen e ekuilibrave politike. Sa e vështirë ishte përballja me këtë sfidë?

Zoti Moisiu: Kjo është vërtetë e vështirë. Kësaj pyetje mund t’i përgjigjem shkurtimisht vetëm kaq: unë pesë vjet nuk i mora vesh si kaluan sepse pavarësisht se rreth tre vjet isha President kur ishin në pushtet forcat e majta, dhe dy vjet me forcat e djathta, unë vazhdimisht kam pasur probleme, në kuptimin e mirë të fjalës, përplasje që si t’i bëjmë gjërat më mirë.

Sigurisht të majtët kanë qenë pak më të sofistikuar ndaj veprimeve të mija kurse e djathta ka qenë më e vrazhdë ndaj veprimeve të mija dhe pa tjetër që ka patur përplasje më të ashpra. Por unë nuk mund të flas dot për të tjerët. Unë flas për veten time.

Gjithmonë qëllimi im ka qenë që interesat e kombit të jenë mbi interesat partiake, mbi interesat personale. Dhe unë mendoj se kjo është rruga më e drejtë për çdo politikan.

Do t’u sugjeroja të gjithë politikanëve shqiptarë se pavarësisht se çfarë ka ndodhur deri tani të ndryshojnë drejtimin dhe të vënë vërtet interesat e vendit mbi çdo gjë.

BBC: Reputacioni juaj ne fushen politike shqiptare la gjurmë në mënyrën se si funksioni presidenca në Shqipëri. Ju krijuat një imazh të ri të presidentit të vendit, a mendoni që ky imazh ishte i lidhur edhe me faktin që ju nuk vinit nga një llogore e mirëfilltë partiake?

Zoti Moisiu: Ju thashë pak më parë që janë disa faktorë që kanë ndikuar këtu edhe prejardhja ime, edhe përvoja sigurisht që edhe ajo që unë nuk kisha interesa partiake të veçanta.

Kjo vërtetë është një kërkesë e Kushtetutës që edhe sikur Presidenti i Republikës të jetë pjesë e politikës, ai duhet të shkëputet. Mirëpo është ndryshe kur ke një shkëputje të natyrshme dhe është ndryshe kur bën një shkëputje të detyruar sepse e kërkon kushtetuta. Megjithatë, them që nëqoftëse secili politikan i vë qëllim vetes që vërtet t’i shërbejë vendit të tij, t’i shërbejë kombit të tij, kjo është e arritshme. Ka rëndësi të jetë vullneti.

BBC: Ju u propozuat nga e djathta për postin e presidentit, por në fund të mandatit tuaj, u vutë përpara sulmeve të papara po nga e djathta? Çfarë mendoni se nuk shkoi mirë? Sa problematik ishte për ju kundërshtimi politik që vinte nga e djathta, veçanërisht gjatë viteve të fundit të presidencës tuaj?

Zoti Moisiu: Kjo vërtet tingëllon e çuditëshme por është fakt. Unë u propozova nga e djathta dhe kam qenë pjestar i qeverisë të së djathtës nga viti 1992 deri në vitin 1997 në rangun e zevendës ministrit.

Por, me marrjen përsipër të detyrës së Presidentit të Republikës unë i vura qëllim vetes siç e kërkon edhe kushtetuta jonë, që t’i shërbej vendit dhe jo interesave të ndonjë force politike. Duke pasur parasysh këtë, për të vepruar rreptësisht dhe në mënyrë rigoroze në bazë të kushtetutës dhe ligjeve, sigurisht që nganjëherë krijohen përplasje. Dhe pikërisht këto përplasje fatkeqsisht në disa momente morën forma të ashpra.

BBC: Kur shikoni vendimet që keni marrë lidhur me një sërë çështjesh të debatueshme, siç është ajo e prokurorit të përgjithshëm, a mendoni se morrët vendimin e drejtë?

Zoti Moisiu: Mendoj që ka qenë një nga vendimet më të vështira të gjithë këtyre pesë vjetëve të mija në detyrën e presidentit sepse ishte një problem sa i rëndësishëm në pikëpamje të respektimit të kushtetutës, kaq edhe i rëndësishëm për klimën politike që mund të krijohej pas këtij vendimi qoftë pozitiv, qoftë negativ.

Unë kam qenë jo vetëm i kujdesshëm dhe i matur por jam konsultuar gjerësisht edhe me specialistë të vendit dhe me specialistë të huaj, për të marrë vendimin më të drejtë. Dhe unë mendoj se kam marrë vendimin më të drejtë.

Kushtetuta jonë është shumë eksplicite në lidhje me prokurorin. Ka tre kërkesa. Këto tre kërkesa janë: kur shkelet kushtetuta, kur bëhen veprime që bien ndesh me ligjet e shtetit dhe kur vetë prokurori nuk është në rregull nga gjendja fizike dhe mendore ose bën veprime që bien ndesh me figurën e institucionit përkatës. Pra të treja këto gjëra nuk më dolën që të ishin shkelur.

Sigurisht vërejtje për punën e prokurorit ka patur - edhe unë kam patur - por më duket se nuk qe kjo rruga e zgjidhjes. Pastaj ky problem u fillua një çikë jo mbarë. Pikërisht kjo krijoi edhe këtë perturbacion që solli si rezultat vendimin tim për të mos ta shkarkuar prokurorin e përgjithshëm.

Ky vendim gjeti mbështetje edhe nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, e cila e konsideroi krijimin e komisionit të këtij karakteri jo të ligjshëm.

BBC: Ju përmendët që çështja e Prokurorit të Përgjithshëm ishte një moment i veshtire ne karieren tuaj politike ? A ka pasur momente të tjera të vështira?

Zoti Moisiu: Mund të them që më e vështirë për mua ka qenë mënyra se si u reagua ndaj këtij vendimi, gjë e cila në një shtet ligjor nuk duhet të ndodhë dhe nuk mund të ndodhë. Një vendim i kryetarit të shtetit, i cili aq më tepër u përforcua edhe nga Gjykata Kushtetuese dhe nga mbarë opinioni i shëndoshë, specialistë të brendshëm dhe të huaj, sigurisht që duhet të krijonte një performancë tjetër në trajtimin politik të kësaj çështje.

Fatkeqsisht, unë nuk u kuptova drejtë. Jo vetëm kaq por iu nënështrova disa sulmeve të panevojshme dhe të pahijshme, të cilat shpresoj dhe lus zotin të mos ndodhin në të ardhmen me pasardhësit e mi.

Një vështirësi tjetër lidhet me periudhën e mbas zgjedhjeve të vitit 2005, nga korriku deri në fillim të shtatorit. Ishte një periudhë të cilën mund ta quajmë pothuaj si një vakum qeveritar.

Unë u detyrova që krahas detyrave të mija kushtetuese të merrem edhe me probleme të tjera, sepse ishte një kohë e krijimit të këtij vakumi në transmetimin e pushteteve nga njera forcë politike në një forcë tjetër politike.

Ishte hera e parë që ndodhte një gjë e tillë. Përpjekja ime ishte që kjo të zhvillohej në mënyrë sa më paqësore, sa më kushtetuese dhe sa më ligjore. Dhe ashtu u bë. Pra, nuk mund të them se nuk kam patur vështirësi. Kam patur madje shumë të mëdha.

BBC: Cili ka qene momenti me i bukur qe ju ka lene dhe mbresa?

Zoti Moisiu: Momenti më i bukur është tani kur dëgjoj nga njerëzit vlerësimet më të mira për punën time.

BBC: Një nga pikat kulmore të mandatit tuaj ishte pritja që i bëtë Presidentit Bush - kush e përgatiti këtë vizitë, a ishte kjo ftesa juaj apo rëndësia gjeopolitike që ka Shqipëria për Shtetet e Bashkuara?

Zoti Moisiu: Pyetja juaj ka pothuajse edhe një pjesë të përgjigjes. Sigurisht është rëndësia që ka Shqipëria në kushtet aktuale në situatën gjeo-politike si faktor për stabilitetin e rajonit. Unë i kisha bërë disa herë ftesë presidentit Bush që nga viti 2002 kur e takova për herë të parë në Nju Jork.

Por çuditërisht vjet në vitin 2006, kur u takova përsëri me të, unë nuk ja përsërita ftesën. Ai vetë më tha që kam ndërmend të vij në Shqipëri. Unë i thashë “President kjo është një kënaqësi.

Unë nuk ua përsërita ftesën, sepse ua kam thënë disa herë dhe ju keni mbajtur një qëndrim jo shumë të qartë për këtë punë, dhe ju jeni i mirëpritur në Shqipëri”. Sigurisht përgatitja e vizitës ishte një punë komplekse e përbashkët e stafeve shqiptare me stafet amerikane dhe mendoj se vërtetë ne shqiptarët, shteti shqiptar tregoi disa aftësi të veçanta në organizimin e kësaj pritjeje.

Por, më e rëndësishme është vetë natyra dhe fryma që tregoi populli në pritje. Një pritje të tillë unë nuk e kam parë në vende të tjera për presidentët amerikanë.

Dhe këtë ma kanë thënë edhe shumë të tjerë -- personalitete edhe amerikane edhe të vendeve të tjera -- të cilëve iu ka lënë mbresa të jashtzakonëshme, sepse ishte një pritje që u transmetua në të gjitha televizionet botërore, veçanërisht takimi me popullin në Fushë Krujë, ku çdo protokoll dhe çdo masë e sigurimit u la mënjanë dhe nuk merrej vesh se çfarë u bë.

Por, më kryesorja ishte dashuria e shqiptarëve për Amerikën që është një gjë e drejtë, historike dhe e vazhdueshme. Nuk është dëshira e politikanëve, është dëshira e popullit që Amerika të vlerësohet.

BBC: Pa dashur t'i paraprij botimit të kujtimeve tuaja, -- nëse mund të na thoni -- çfarë do të veçonit nga biseda kokë më kokë me zotin Bush?

Zoti Moisiu: Bisedat kokë më kokë zakonisht janë biseda kokë- më-kokë. Por mund të them vetëm dy fjalë: unë me të bisedova për shqetësimet mbi zhvillimin demokratik të vendit tonë dhe për Kosovën.

BBC: Flisni disa gjuhë të huaja, keni shkruar shumë artikuj, materiale shkencore në fushën e mbrojtjes. Po ashtu edhe librin për Kosovën. Kosova: midis Luftës dhe Paqes - Cili është gjykimi juaj, si do të zgjidhet statusi i Kosovës ?

Zoti Moisiu: Kosova një temë e imja jo vetëm gjatë periudhës para se të zgjidhesha president dhe gjatë kohës që kam qenë president, por ka qenë një temë e ushqyer që në fëmijëri, si për çdo shqiptar të ndershëm, për fatet e një pjese të madhe të kombit tonë. Mund të them që problemi i Kosovës ka hyrë në rrugën drejt një zgjidhjeje të pakthyeshme.

Por kjo nuk do të thotë që ne duhet të rrimë vetëm të vështrojmë e të presim se çfarë bëjnë të tjerët. Unë mendoj që qoftë Tirana qoftë Prishtina - në mënyrë të veçantë Prishtina - duhet të jenë më agresivë në trajtimin e problemeve dhe reagimin ndaj mënyrave të zgjidhjes që ofron pala serbe.

Për shembull, unë kam dëgjuar të thonë që nëqoftëse Kosova shpall pavarësinë, Mitrovica do të shkëputet. Unë këtë nuk e perceptoj dot se si mund të ndodhë.

Megjithatë, mendoj se ne shqiptarët kemi sakrifikuar shumë, sepse në konferencën e Bujanit që u zhvillua më 1 janar të vitit 1944, u vendos që mbas luftës të bëhej referendum se ku do të shkonte Kosova pas luftës: do të vinte me Shqipërinë apo jo. Ne shqiptarët hoqëm dorë nga ky vendim politik i paezauruar.

Dhe kjo është një sakrificë e madhe. Por, nëse do të ketë në vazhdimësi kërkesa nga më të ndryshmet, që barazojnë Kosovën me Abhazinë ose me ndonjë vend tjetër, unë mendoj që natyrshëm mund të dalin zëra që pse të mos bashkohet Kosova me Shqipërinë. Pra unë mendoj që zgjidhja e këtij problemi duhet bërë në mënyrë të arësyeshme.

Plani Ahtisari, pavarësisht se ne kemi sakrifikuar dhe kemi bërë mirë që e kemi pranuar, është plani më i drejtë që i jep zgjidhje këtij problemi, në mënyrë të ligjshme, në mënyrë që të respektohen të drejtat e minoriteteve dhe të minoritetit serb.

Megjithëse atje ka shumë minoritete, ka boshnjakë, kroatë, turq, malazezë, ashkali e të tjerë, dhe atyre u janë dhënë të drejta maksimale, të cilat nuk egzistojnë në kushtetutën e asnjë vendi të botës që ka shumë minoritete.

Megjithatë, unë mendoj që kjo është një zgjidhje e drejtë. Unë gjykoj që tejzgjatja ka rrezikshmëri. Këtë unë e kam deklaruar disa herë -- qoftë publikisht, qoftë në takime që kam pasur me personalitete të ndryshme -- që me Kosovën duhet të jemi shumë të vëmendshëm, sepse ekstremistë ka në të dy krahët, edhe shqiptarë edhe serbë.

Mirëpo, në një situatë ku zhvillimet mund të bëhen të qeta dhe të ligjëshme, këta ekstremistë nuk do të kenë fushë veprimi. Por, nëqoftëse fillojnë të shkelen këto parime, atëhere atyre u hapet fushë veprimi.

BBC: Po të viheshit sërish në krye të shtetit çfarë do të bënit ndryshe?

Zoti Moisiu: Kjo është një pyetje shumë hipotetike. E kam të vështirë të përgjigjem. Vetëm mund të them që sikur edhe 100 herë të bëhesha president prapë do të vazhdoja të bëja atë që kam bërë.

BBC: Për çfarë do të donit të mbaheshit mend?

Zoti Moisiu: Dua të mbahem mënd vetëm si një shqiptar që ka punuar për Shqipërinë.

BBC: Me çfarë po meret Zoti Moisiu aktualisht?

Zoti Moisiu: Jam mësuar gjithë jetën të punoj dhe nuk mund të rri pa punuar. Jam duke menduar që vërtet përvojën time, arritjet e mija dhe njohjet e mija t’i vë në dispozicion të vendit tim edhe në vazhdimësi.