BBCAlbanian.com
 
Botuar: E premte, 12 tetor 2007 - 07:27 CET
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
Rice dhe Gates në Moskë për bisedime
 
Rice dhe Gates
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusia zhvillojnë të premten bisedime të nivelit të lartë në Moskë.

Ato pritet të përqendrohen në planet e Amerikës për të ngritur një sistem të mbrojtës raketore në Evropë.

Moska i sheh planet e SHBA-së për të vendosur radarë në Republikën Çeke dhe interceptorë në Poloni, si kërcënim ndaj sigurisë së saj kombëtare.

Amerika thotë se duhet ta ngrejë sistemin për të përballuar kërcënimin që përbëjnë për sigurinë vende si Irani dhe Koreja e Veriut.

Kremlini i ka kërkuar SHBA-së të përdorë radarët e operuar më herët nga rusët në Azerbajxhan.

'Probleme serioze'

Sekretarja amerikane e Shtetit, Condoleezza Rice dhe sekretari i Mbrojtjes, Robert Gates do të takohen me homologët e tyre rusë për të diskutuar planin amerikan që ka shkaktuar krizë në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Bisedimet e së premtes priten të mbulojnë dhe kërcënimin rus për t'u tërhequr nga Traktati për Forcat e Armatosura Konvencionale në Evropë dhe për t'i drejtuar nga Evropa raketat e veta bërthamore nëse Amerika do të fillojë zbatimin e planit të saj.

Korrespondenti i BBC-së në Moskë thotë se fakti që Condoleeza Rice dhe Robert Gates kanë udhëtuar së bashku për të takuar homologët e tyre rusë, tregon shkallën e seriozitetit të problemeve që ekzistojnë tani mes dy vendeve.

Takim me Putin

Znj. Rice pritet të takohet privatisht dhe me presidentin Putin.

Analistët thonë se nuk pritet që bisedimet të shënojnë ndonjë hap përpara në çështjen kyçe: planet amerikane të mbrojtjes në Evropën Lindore.

Dy ditë bisedimesh mes zëvendësministrave të të dy vendve, për të përgatitur terrenin e bisedimeve të së premtes, duket se kanë përfunduar pa rezultat.

Zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Kislyak i përshkroi bisedimet si të vështira, por serioze.

 
 
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>