http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E premte, 24 gusht 2007 - 10:20 CET

Polemika para zgjedhjeve të pjesshme

Gradualisht vëmëndja në Tiranë po vendoset tek zgjedhjet e pjesshme që do të zhvillohen në zonën 31.

Sikurse dihet ish-deputeti i saj Bamir Topi është që prej një muaji president i vendit.

Përgatitjet tashmë kanë filluar, por zyrtarët e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve kanë shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj forcave politike të cilat nuk kanë paraqitur dokumentacionin e nevojshëm, ndonëse afati ka kaluar.

Midis grupimeve politike ka polemika lidhur me paraqitjen e kandidatëve.

Partia Demokratike si kandidat zyrtar të saj ka paraqitur Edi Palokën deri tani drejtor i agjensisë zyrtare të lajmeve ATSH.

Por duket se midis të djathtëve ka mosmarrëveshje. Kjo për faktin se kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, ka filluar prej kohësh fushatën zgjedhore.

Duket se arritja e një marrëveshjeje midis palëve është e vështirë pavarësisht disa ofertave që PD i ka bërë zotit Shehi.

Në kampin e majtë partitë e koalicionit kanë rënë dakord që kandidati i tyre të jetë socialist, por brenda kësaj partie grupimet kundërshtare, përkrahësit e kreut aktual Edi Rama dhe ato të ish-udhëheqësit socialist Fatos Nano, po polemizojnë.

Përkrahësit e zotit Nano kanë bërë thirrje që vota e mbështetësve të tyre të shkojë për kandidatin e djathtë Shehi.

Pritet që të premten udhëheqja e PS-së të caktojë kandidatin zyrtar të kësaj partie.

Ndër kandidaturat e përzgjedhura janë edhe ato të këngëtarit të njohur Luan Zhegu apo e ish-yllit të futbollit të viteve 70-80 Shkëlqim Muça.