http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E mërkurë, 15 gusht 2007 - 09:40 CET

Ilir Kadia
Tiranë

Gazsjellës i ri në Shqipëri

Këshilli Kombëtar i Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqiperisë dha lejen për ndërtimin e gazsjellësit Trans Adriatik, një projekt i miratuar nga Komuniteti Evropian si projekt përparësor dhe që ka mbështetjen e qeverisë zviceriane.

Gazsjellësi do të ketë një kapacitet prej 10 miliardë metra kub, një pjesë e të cilit mund të përdoret për nevojat e Tec-eve të reja që do ndërtohen në vend.

Në Shqipëri gjurma e tij do jetë 169 km. Ai lidhet me rrjetin ndërkombëtar të gazit në Selanik dhe futet në Shqipëri në qarkun e Korçës në Devoll, vazhdon në jug nëpërmjet Kolonjës, Përmetit dhe zonën e Tepelenës dhe hyn në rrethin e Vlorës dhe shkon në veri duke përshkuar zonën e Mallakastrës për të përfunduar në detin Adriatik afër Fierit.

Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha tha se vendi duhet të shfrytëzojë maksimalisht pozicionin gjeografik si më perëndimori i Ballkanit dhe se qeveria dhe ai personalisht kanë bërë fushatë për kalimin e këtij kapilari në Shqipëri.

Gazsjellësi është një projekt i kompanisë zviceriane EGL dhe sjell gazin nga vendet Kaspsike drejt Europës.

Po në mbledhjen e së martës të KRRTRSH u miratua edhe dokumenti final për ndërtimin e TEC-it në Vlorë i cili pritet të hyjë në prodhim me kapacitet të plotë prej 800 milion kilovat orë në vit në vitin 2009, çka do ndihmonte ndjeshëm prodhimin vendas të energjisë me afro 3 milionë kw orë në ditë.

Por veprimtarët thonë se TEC-i në Vlorë është shkatërrimtar për mjedisin atje dhe se nuk do të lejojnë ndërtimin e tij.

Doc Ardian Klosi i Aleancës për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës tha se qeveria shqiptare kishte shkelur konventën e Ahrusit duke mos bërë informimin e duhur të publikut dhe duke mos tërhequr pjesëmarrjen e publikut në këto vendime.