http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E shtunë, 11 gusht 2007 - 07:54 CET

Kanadaja forcon pretendimet në Arktik

Kryeministri kanadez, Stephen Harper ka njoftuar ngritjen e dy objekteve ushtarake në Arktik në një përpjekje për të ushtruar sovranitetin e vendit të tij mbi këtë rajon të diskutuar.

Rajoni vlerësohet se ka burime miliarda dollarëshe gazi dhe nafte.

Duke folur gjatë një turneu në Arktik, zoti Harper tha se qendra e stërvitjes së ushtrisë dhe porti theksonin praninë afatgjatë të Kanadasë në rajon.

"Qeveria e re e Kanadasë e kupton parimin e parë të sovranitetit të Arktikut, që është përdorimi ose humbja e tij."

"Ne e kuptojmë që Veriu është një magazinë burimesh energjie dhe mineralesh."

"Ne e dimë se ndryshimi i klimës është duke rritur mundësinë e shfrytëzimit të këtyre pasurive dhe i kuptojmë sfidat që mund të përballojë në të ardhmen sovraniteti ynë në Arktik," tha zoti Harper.

Kryeministri kanadez e bëri këtë deklaratë një javë pasi një nëndetëse ruse uli flamurin e tyre kombëtar në Polin e Veriut dhe e shpalli zonën ruse.

Pëveç Rusisë dhe Kanadasë, SHBA-ja, Norvegjia dhe Danimarka kanë pretendime në rajon.

Zoti Harper tha se vizita e tij në Veri kishte si qëllim t'u kujtonte rivalëve se Kanadaja do të mbronte të drejtat e saj në Arktik.