http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E enjte, 19 korrik 2007 - 12:06 CET

Opozita kërkon konsensus për Cekën

Në Shqipëri opozita po i bën presion maxhorancës për të tërhequr kandidatin për president dhe të japë konsensus për kandidatin opozitar.

Opozita e majtë po bëhet gjithnjë e më shumë unike në qëndrimin e saj rreth zgjedhjes së presidentit të ardhshëm të Shqipërisë. Pas disa mosmarrëveshjesh, partitë e saj po mbështetin si kandidatin e tyre, kreun liberal-demokrat, Neritan Ceka.

Zoti Ceka ka qenë një nga krijuesit e PD-së, por u shkëput prej saj në vitin 1992, duke krijuar Aleancën Demokratike. Në raundin e tretë të votimit presidencial ai mori një mbështetje të rëndësishme nga rradhët e maxhorancës.

Ndërsa më 20 korrik do të mbahet raundi i katërt i votimit, opozita po kërkon tërheqjen e kandidatit demokrat, Bamir Topi, nga gara presidenciale. Udhëheqësi socialist, Edi Rama, tha se në të kundërt vendi do të përballet me zgjedhje të parakohshme, për faj të maxhorancës.

PD ende nuk është shprehur lidhur më këtë qëndrim të opozitës, por disa parti aleate të saj kanë treguar preferenca për kandidatin e opozitës.

Komuniteti ndërkombëtar po u bën thirrje partive shqiptare të gjejnë gjuhën e përbashkët dhe të mos e çojnë vendin në zgjedhje të parakohshme.

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Tiranë, Sir Fraser Wilson, tha se mbajtja e zgjedhjeve në këtë situatë do të pengonte reformat në vend.