http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E diel, 15 korrik 2007 - 13:01 CET

Fatos Ahmati
Tiranë

Nano del nga gara për president

Në raundin e tretë të votimit, parlamenti shqiptar nuk arriti sërisht të zgjidhte kreu e ri të shtetit.

Ndryshe nga dy raundet e mëparshme në të morën pjesë 85 deputetë, por asnjë nga kandidatët e pranishëm nuk arriti të merrte 84 vota që parashikon kushtetuta për zgjedhjen në postin e kreut të shtetit.

Pjesa më e madhe e deputetëve të opozitës sikurse kishin paralajmëruar nuk morën pjesë.

Ndërkohë, rezultati i djeshëm ka paralajmëruar zhvillime të rëndësishme.

Kandidati demokrat Bamir Topi, ndonëse ka kryesuar garën me 50 vota ka marrë shumë më pak se në dy raundet e mëparshme.

Megjithatë, zoti Topi është optimist.

Ndërkaq, ndryshe nga çfarë pritej udhëheqësi liberal-demokrat Neritan Ceka, partia e të cilit është në opozitë, ka arritur të marrë 32 vota, pjesa më e madhe nga maxhoranca.

Mjaft optimist ai tha se po shkohet drejt zgjidhjes së problemit.

Por ndoshta lajmi më i bujshëm është eleminimi nga gara për postin e kreut të shtetit e ish udhëheqësit socialist Fatos Nano, i cili mori vetëm tre vota.

Ende nuk dihet nëse zoti Nano i cili e kish vetëshpallur kandidaturën, t'u ketë bërë thirrje përkrahësve të tij për të marrë pjesë në votim.

Pas këtyre zhvillimeve, deri diku të papritura, sërisht për mjaft analistë, hija e zgjedhjeve të parakohshme nuk është zhdukur.

Megjithatë, rezultati i arritur nga zoti Ceka mund t'i shtyjë partitë e opozitës të mbështesin kandidaturën e tij në raundin e katërt.