http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E martë, 10 korrik 2007 - 18:51 CET

Opozita bojkoton votimin e dytë për Presidentin

Bojkotimi edhe i votimit të dytë nga opozita në parlamentin e Shqipërisë për zgjedhjen e presidentit të vendit e ka lënë të bllokuar situatën.

Dy janë kandidatët zyrtarë për postin e presidentit, Bamir Topi i PD-së në pushtet dhe Fatos Nano, ish-kryetar i PS-së të opozitës.

Asambleja e kryetarëve të grupeve parlamentare pa praninë e opozitës që ka vendosur mbajtjen e raundit dhe ka bërë interpretimin ligjor që të ketë raund votimi.

Ndërkohë që sipas kushtetutës mbeten dhe tre raunde të tjerë deri në zgjedhjen e presidentit, apo në shkuarjen në zgjedhje të parakohshme.

Opozita përkrah mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme nëse nuk zgjidhet një president konsensual.

Shumica është shprehur vetëm per zbatimin e kushtetutës.

Ndërkohë ka thirrje dhe përpjekje të faktorëve të ndryshëm politikë për të evituar skenarin e zgjedhjeve të parakohshme.

Ekspertët vlerësojnë se mbajtja e zgjedhjeve do të sillte një frenim të zhvillimit ekonomik të Shqipërisë dhe pengesa në rrugën e reformave.

Ministri i Financave Ridvan Bode tha se mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme nuk ishte ndonjë dëm i madh për ekonominë e vendit, ndonëse pranoi pasojat negative që mund të rridhnin.