http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E mërkurë, 04 korrik 2007 - 10:51 CET

Orët e fundit për negociata për presidentin

Në Tiranë janë orët e fundit të negociatave në përpjekje për të gjetur së paku një kandidat që të votohet në seancën e parlamentit.

Nëse kjo nuk ndodh, sipas një interpretimi të besueshëm të Kushtetutës, do të duhej të shpalleshin zgjedhjet e parakohshme.

Në ambientet politike, thotë një korrespondent i BBC-së në Tiranë, ka filluar një gjueti e vërtetë në kërkim të kandidatit të pranueshëm nga të dy krahët e politikës.

Krerët e opozitës të mbledhur pas refuzimit të listës së tyre nga shumica thanë se nuk e tërheqin këtë listë dhe se do ta paraqesin sërish në tryezë duke këmbëngulur se kandidati për president duhet të vijë nga rradhët e tyre (opozitës).

Shumica i vlerëson të papranueshëm kandidaturat e deritanishme të paraqitura nga opozita, mes të cilave edhe atë të ish kryeministrit dhe ish kryetarit të PS-së, Fatos Nano dhe atë të presidentit aktual, Alfred Mojsiu.

Opozita e quan qesharake listën me katër emra të shumicës, mes të cilëve është edhe politikani dhe shkrimtari i njohur Sabri Godo.

Mediat e Tiranës spekulojnë me emra diplomatësh si kandidatura të mundshsme konsesuale për seancën e mbasdites të Kuvendit, e cila nëse digjet, sipas disa interpretimeve të ligjit, i hap rrugën vendit për zgjedhje të parakohshme.

Ndërkaq nënkryetari i PD-së, Bamir Topi kandidati për president i tërhequr të martën tha se do të përfshihej në garë vetëm në një proces kushtetues.