http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E enjte, 28 qershor 2007 - 11:19 CET

Sërish Parlamenti shqiptar nuk zgjedh Presidentin e ri

Ashtu siç pritej, Parlamenti shqiptar nuk arriti të zgjidhte Presidentin e ri të vëndit, pasi maxhoranca dhe opozita, megjithë bisedimet intensive nuk arritën të nxjerrin një kandidaturë konsensuale.

Në seancën parlamentare të 27 Qershorit përfaqësuesit e maxhorancës dhe opozitës debatuan rreth kushteve që palët i kishin imponuar njëra-tjetrës, veçanërisht kushteve që kishin të bënin me emrat e kandidatëve.

Ben Blushi, kreu i grupit parlamentar të PS tha se çmontimi i kushteve ishte synimi i socialistëve, ndërsa u shpreh i gatshëm për të vazhduar bisedimet.

Nga ana e tij, kreu i maxhorancës, Kryeministri Berisha u shpreh i gatshëm për të takuar krerët e të gjitha partive për të diskutuar për këtë çështje, ndërsa tha se të djathtët nuk kanë paragjykime.

Por pavarësisht deklaratave të palëve për kushte apo përjashtime, në vëmëndje janë kandidaturat tashmë të njohura, si ajo e zotit Topi, ish-kreut socialist Nano, por edhe ajo e kreut aktual te shtetit, Alfred Moisiu.

Ndërkohë në shtypin shqiptar spekullohet edhe me emra të tjerë, më së shumti emra që vijnë nga rradhët e opozitës.

Disa analistë thonë se nuk është çudi që në këtë post të ngjitet edhe ndonjë emër i panjohur, apo edhe i harruar.

Seanca parlamentare është e gatshme të fillojë në çdo moment sapo palët të kenë arritur konsensusin për një kandidaturë.

Por kjo nuk ka gjasa të ndodhi të paktën këtë javë. Nëse ju referohemi deklarimeve të të dy palëve gjithshka pritet në afatet maksimale kushtetuese, pra afër datës 24 korrik, kur mbaron mandati i Presidentit aktual, Moisiu.