http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E martë, 26 qershor 2007 - 10:29 CET

Presidenti i ri të vijë nga nga politika

Në mbyllje të raundit të katërt te negociatave mes përfaqësuesve të Partisë Demokratike në pushtet dhe Partisë Sosicaliste të opozitës është rënë dakord për kriteret që duhet të plotësoje kandidati konsesual.

Kriteri kryesor i vënë prej tyre është që kandidati për president duhet të vijë nga politika.

Por edhe 24 orë nga raundi i dytë i votimit në kuvend ende nuk mund të flitet për emra konkretë.

Opozita vë kusht tërheqjen e kandidaturës të nënkryetarit të PD-së Bamir Topi. Ajo thotë se nuk do të paraqesë asnjë kandidat sa kohë shumica mban si kandidat të saj zotin Topi.

Shumica thotë se nuk mund ta pranojë këtë kusht dhe e fton opozitën të paraqesë kandidatura konkrete.

Ndërkaq zoti Topi ka kërkuar nga kryeministri Sali Berisha mbështetje për garën presidenciale.

Në Tiranë po forcohen zërat e politikës që i vlerësojnë të dështuara bisedimet PD-PS dhe mbështesin variantin e zgjedhjes së presidentit nga populli.

Lidhja Socialiste për Integrim e opozitës, që mbështet rikandidimin e presidentit të tanishëm Alfred Moisiu, thotë se do kërkojë ndryshimin e Kushtetutës që t'i hapë rrugën votës së popullit për presidentin e ri.