http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E hënë, 25 qershor 2007 - 10:15 CET

Raund i ri bisedimesh për presidentin

Përfaqësues të Partisë Demokratike në pushtet dhe Partisë Socialiste në opozitë pritet të zhvillojnë një raund të ri bisedimesh në përpjekje për të arritur një konsensus në zgjedhjen e presidenti të ri të vendit.

Javën e kaluar palët janë shprehur se kanë rënë dakord rreth një platforme të paraqitur nga opozita për nevojën e një konsensusi në kryerjen e reformave në vend.

Sipas pjesëmarrësve në bisedime sot pritet të fillojnë diskutimet edhe për kandidaturat, por ata ngurojnë të përmendin emra konkretë.

Të djathtët kanë përmendur vazhdimisht emrin e nenkryetarit demokrat Bamir Topi si kandidatura e vetme, ndërsa tek të majtet bie në sy kandidatura e vetshpallur dhe mjaft e debatuar e ish-kreut socialist Fatos Nano dhe ajo e kreut aktual të shtetit Alfred Moisiu te mbështetur se fundit nga Lëvizja Socialiste për Integrim.

Por disa zhvillime të fundit brenda koalicionit të majtë ka bërë që ato të mos flasin me një zë për këtë çështje.

Seanca e votimit për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, sipas ligjit shqiptar, do të duhet të zhvillohet të mërkurën.

Kjo është seanca e dytë, pasi e para e parashikuar për t'u mbajtur më 20 qershor dështoi, për shkak se palët nuk arritën një konsensus dhe se asnjëra prej tyre nuk kishte 84 vota, numuri i nevojshëm për të zgjedhur presidentin e vendit.

Gjithnjë sipas ligjit shqiptar deri më 24 korrik do të duhet të zhvillohen edhe katër raunde votimesh dhe nëse edhe pas këtyre nuk arrihet zgjedhja e presidentit, në vend do të duhet që brenda 60 ditëve të mbahen zgjedhje të parakohshme.