BBCAlbanian.com
 
Botuar: E enjte, 28 qershor 2007 - 06:55 CET
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
Masa të rrepta sigurie në Kosovë
 

 
 
Kosova
Forca paqëruajtëse e NATO-s dhe Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë thonë se nuk do të lejojnë përshkallëzimin e situatës gjatë shënimit të përvjetorit të 618 të Betejës së Kosovës.

Pjesëmarrjen në atë që për serbët njihet si Dita e Vidovdanit, e kanë paralajmëruar edhe pjesëtarët e një organizate ilegale serbe që quhet "Garda e Car Llazarit".

Kjo organizatë u formua muajin e kaluar në Krushevc dhe mbledh rreth vetes veteranë të luftës nga gjithë Serbia.

Pjesëtarët e Gardës së Car Llazarit janë zotuar se nuk do të lejojnë ndarjen e Kosovës nga Serbia dhe se do të kapin armët për të mbrojtur atë që ata e quajnë tokë serbe.

Mediat serbe kanë njoftuar se rreth 70 pjesëtarë të kësaj organizate kanë hyrë në Kosovë gjatë fundjavës për të marrë pjesë në manifestimin kushtuar Betejës së Kosovës që mbahet në Gazimestan, pak kilometra në veri të Prishtinës.

Reagimet

Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Joakim Ryker ka nënshkruar një vendim ekzekutiv me të cilin e shpallë gardën e Car Llazarit organizatë paramilitare dhe i ndalon mbajtjen e aktiviteteve në Kosovë.

"Dua t'ju informoj se kam nënshkruar një vendim ekzekutiv që i ndalon gardës së Car Llazarit ose çfarëdo grupi të ngjashëm paramilitar mbajtjen e aktiviteteve në Kosovë, siç është veshja e uniformave, nxitja e urrejtjes etnike ose dhunës. Prania e çfarëdo garde në Kosovë do të konsiderohet shkelje e rezolutës 1244 të KS dhe kërcënim i rendit publik. Unë i kam udhëzuar policët dhe ata kanë pushtet për ruajtjen e sigurisë. Ne nuk do të tolerojmë kurrfarë provokimesh apo sjellje të papërgjegjshme që çojnë në dhunë", tha shefi i UNMIK-ut, Joachim Reucker.

Ardhja në Kosovë e pjesëtarëve të gardës së Car Llazarit është cilësuar provokim nga shoqatat e dala nga lufta e ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ndërkohë një organizatë që veten e quan Armata Kombëtare Shqiptare ka shpërndarë pak ditë më parë afishe në rajonin e Mitrovicës, ku shkruante "paramilitarët dhe 'Car Lazarët, nuk kanë çka të lypin në Kosovë" dhe "AKSH është këtu, do t'ju presë me plumba".

Afishet janë hequr disa orë më vonë nga Shërbimi Policor i Kosovës.

KFOR-I dhe policia i kanë ndaluar qytetarët serbë që të marshojnë në këmbë për në Gazimestan, por kanë lejuar që ardhja e tyre në këtë monument historik të bëhet me autobusë të shoqëruar nga organet e rendit.

Disa autobusë do të shkojnë fillimisht nga Mitrovica në Graçanicë, ku do të mbahet një meshë, ndërsa më pas do të bëhet nisja e organizuar e marshuesve për në Gazimestan.

Në ceremoni do të marrin pjesë edhe dy ministra të qeverisë së Serbisë, Slobodan Samarxhiq dhe Radomir Naumov.

Shënimi i Betejës së Kosovës pritet të shfrytëzohet nga politikanët dhe qytetarët serbë për të bërë deklarata kundër pavarësisë së Kosovës nga Serbia.

Ministri serb për Kosovë, Sllobodan Samarxhiq ka thënë se Beogradi do të luftojë me të gjitha mjetet ligjore për mbetjen e Kosovës nën Serbi.

Për shkak të tensionimit të gjendjes, Kosova sot ndodhet në masa të rrepta të sigurisë.

Mbi 16 mijë trupa paqëruajtëse të NATO-s dhe rreth 10 mijë policë vendas e ndërkombëtare janë vënë në gjendje gatishmërie.

Komandanti I KFOR-it, gjenerali Roland Kather ka thënë se nuk do të lejohet përdorimi i dhunës nga asnjëra palë.

"Duhet të jetë e qartë se nuk do të ketë përjashtime në asnjë mënyrë për strukturat paramilitare. Ne do të ndërhyjmë menjëherë dhe këtë duhet ta kenë të qartë të gjithë", tha gjenerali Kather.

Ai tha se të gjithë ata që do të marrin pjesë në manifestimin e sotëm të shënimit të Betejës së Kosovës do të kontrollohen nga trupat e tij.

"Ne do t'i kontrollojmë të gjithë autobusët dhe të gjitha makinat dhe njerëzit duhet ta kenë këtë parasysh. Nuk ka dyshim se nëse identifikojmë ndonjë kriminel do ta arrestojmë menjeherë", tha komandanti i KFOR-it, gjenerali gjerman Roland Kather.

Çeku bën thirrje për qetësi

Nga ana tjetër, kryeministri i Kosovës, Agim Çeku tha se manifestimet kulturore e fetare janë të lejuara, por kërkoi që ato të mos politizohen.

Ai u bëri thirrje qytetarëve serbë që të mos e keqpërdorin situatën, ndërsa atyre shqiptarë që të mos bien në provokimet eventuale.

"Apeloj te pjesëmarrësit e kësaj ngjarje kulturore që këto rite t'i kryejnë në mënyrë dinjitoze dhe në kuadër të kornizës fetare. Mos të lejojnë që situate të dalë jashtë kontrollit, të keqpërdoret ky manifestim, ta respektojnë rendin dhe ligjiin në Kosovë, ta respektojnë vullnetin e mirë të institucioneve të Kosovës, që i lejojnë manifestimet e tilla, si dhe autoritetin e organeve të sigurisë dhe mbi të gjitha dinjitetin e popullit të Kosovës. Gjithashtu ftoj qytetarët e Kosovës, shoqatat e ndryshme që të mos ndihen pjesëmarrës në ruajtjen e sigurisë në Kosovë. Është ky monopol i KFOR-it, policisë së Kosovës dhe të UNMIK-ut dhe këta janë të thirrur për ruajtjen e sigurisë në vend", tha kryeministri Çeku.

Kryeministri Çeku ftoi qytetarët e Kosovës që të mos i kushtojnë rëndësi Gardës së Car Llazarit, të cilën ai e quajti mbeturinë e regjimit të Millosheviqit.

Ai tha se Kosovës tani më shumë se kurrë i nevojitet qetësia dhe stabiliteti.

"Ka shumë të tillë në Serbi që e dëshirojnë destabilizimin e Kosovës, që ne qytetarët e Kosovës të biejmë pre e provokimeve të tilla. Në këto momente kritike historike për Kosovën, asgjë më e rëndësishme nuk është se sa stabiliteti i brendshëm dhe asgjë më e rëndësishme se sa të dërgojmë mesazhe positive nga Kosova dhe të dërgojmë prova se sa e gatshme është Kosova për pavarësinë e saj", deklaroi kryeministri Agim Çeku.

Serbët festojnë Betejën e Kosovës të vitit 1389, gjatë së cilës forcat ballkanase të udhëhequra nga sundimtari serb, Car Llazari pësuan disfatë nga perandoria osmane.

Në përvejtorin e 600 të kësaj beteje, në vitin 1989 ish diktatori serb, Sllobodan Millosheviq mbajti një fjalim famëkeq në Gazimestan, duke paralajmëruar çezullimin e autonomisë së Kosovës në kuadër të ish federatës jugosllave.

Fjalimi i tij nacionalist i parapriu luftërave në ish Jugosllavi dhe shpërbërjes së kësaj federate.

 
 
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>