BBCAlbanian.com
 
Botuar: E mërkurë, 20 qershor 2007 - 11:22 CET
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
Ligji shqiptar dhe procedura e zgjedhjes
 
Presidenti Moisiu
Presidentit Moisiu së shpejti i mbaron mandati
Në kalendarin e punës së Parlamentit të së mërkurës është votimi për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Por ende nuk ka asnjë kandidat zyrtar.

Përfaqësues të shumicës dhe të opozitës po takohen në përpjekje për të arritur një marrëveshje për emrin e kandidatit për President të ri të Shqipërise.

Marrëveshja është e domosdoshme pasi asnjë prej kampeve politike nuk mund të mbledhë i vetëm 3/5 e votave ose të 84 deputetëve, numër i parashikuar nga Kushtetuta për zgjedhjen e Presidentit të Republikes.

Fatos Ahmati i BBC bisedoi me ekspertin e të drejtës kushtetuese, Genti Ibrahimi dhe fillimisht e pyeti se çfarë parashikon ligji shqiptar për fillimin e proçedurave për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve.

Ibrahimi: Kushtetuta ka parashikuar një formulë e cila në thelb synon që të mos krijojë vakum kushtetues, pra t'i jepet aq kohë parlamentit sa nevojitet për të zgjedhur një president të ri pa i përfunduar mandati që është në detyrë. Më konkretisht, kushtetuta parashikon një afat jo më shpejt se 60 ditë nga përfundimi i mandatit të presidentit ose jo më vonë se 30 ditë nga skadimi i afatit të presidentit aktual, pavarësisht nga kthesat që mund të sjellin këto shifra qëllimi është ky që thashë, pra aftësia e parlamentit për të zgjedhur një president përpara përfundimit të mandatit të atij që është në detyrë.

BBC- Gjithnjë duke ju referuar kushtetutës, zgjedhja e presidentit duhet të mbështetet nga 84 deputetë. Çfarë ndodh kur në seancën që është përcaktuar për votim marrin pjesë më pak deputetë?

Ibrahimi: Kushtetuta ka një formulim disi të cekët në këtë pikë. Është një formulim i cili është i supozuar të plotësohet nga praktika kushtetuese dhe faktikisht kjo praktikë në rastin e zgjedhjes së presidentit Moisiu ishte e tillë që shkoj në një drejtim të frymës së kushtetutës, ishtë një praktikë e cila arriti të gjeneronte konsensusin, pikërisht atë konsensus që pret formulimi i kushtetutës. Në rast se shumica nuk sigurohet në parlament ka një formulë kushtetuta. Kjo është një formulë e përsëritjes së vazhduar të përpjekjeve të cilat në rast se dështojnë përfundimisht e çojnë vendin pas 5 raundeve të dështuara, drejt zgjedhjeve të parakohshme. Kjo është presion maksimal mbi klasën politike për të gjetur konsensusin, në rast të kundërt është shprërndarja e parlamentit dhe rikonstituimi i një parlamenti dhe një qeverie të re.

BBC: Gjithashtu kushtetuta përcakton afate 7 ditore për mbajtjen e seancave për zgjedhjen e presidentit. Po në rast se këto seanca nuk mbahen si proçedohet?

Ibrahimi: Përsëri është një pyetje që nuk ka një përgjigje të drejtpërdrejtë. Pyetja mund të shtrohej dhe ndryshe, kur do të quhej se një seancë nuk është mbajtur kur mungon kuorumi, kur nuk zhvillohet debati, kur nuk zhvillohet votimi? Natyrisht që përgjigja më e drejtpërdrejtë e një pyetje hipotetike si kjo është që seancat tipikisht quhen të pakonsumuara në rast se nuk janë të pranishëm në sallën e parlamentit shumica e deputetëve pra 71 deputetë, pra ky është kuorumi që parashikon kushtetuta dhe rregullorja e kuvendit për funksionimin e parlamentit, pra nuk mund të miratohet asnjë ligj, asnjë vendim kur nuk janë të pranishëm 71 deputetë në parlament. Kam dëgjuar argumente këto ditë në shtyp dhe në media që kuorumi në rastin e zgjedhjes së presidentit nuk është 71, por është 84. Edhe kjo është një çështje që do diskutim. Nq fakt kushtetuta nuk parashikon ndonjë kuorum të veçantë për zgjidhjen e presidentit, por duke patur parasysh që kuorumi është kusht për fillimin e seancës dhe për zhvillimin e debatit parlamentar dhe po ti shtosh kësaj dhe faktin tjetër që në rastin e presidentit debat parlamentar nuk ka, pra në sallë shkohet vetëm për të votuar nuk është fare pa vend pikëpamja që kuorumi në rastin e zgjedhjes së presidentit është 84. Megjithatë, unë vetë nuk do dija t'i jepja një përgjigje kësaj pyetje nëse do duheshin 71 apo 84 deputetë për zgjedhjen e presidentit në sallë. E vetmja mënyrë për të marrë një përgjigje autoritative për këtë pyetje është ndërhyrja e Gjykatës Kushtetuese, por kjo është një çështje që ndoshta mund ta prekim pak më vonë.

BBC: Në këto kushte çfarë rruge shikoni të mundshme për të zgjedhur presidentin e ri të Shqipërisë?

Ibrahimi: Formula kushtetuese është e tillë që presupozon konsensus politik. Për të qenë të sinqertë në të gjitha ato rastet e republikave parlamentare ku presidenti zgjidhet nga parlamenti proçedurat janë komplekse dhe disi absurde në pamje të parë. Ndoshta rasti i Shqipërisë është rasti më ekstrem ku zgjedhja e presidentit kushtëzohet si të thuash me jetën e vet parlamentit, zgjidhje që unë e quaj të arsyeshme deri në një farë mase, por sidoqoftë proçedurat janë komplekse. Zgjidhjet janë në thelb politike, pra formula e kushtetutës është e tillë që vepron aksion politik dhe vetëm politik. Çdo përpjekje tjetër për të gjetur një zgjidhje të ashtuquajtur politike të këtij problemi kishte për të qenë një farsë. Natyrisht që në teori ekziston edhe opsioni i të drejtuarit të Gjykatës Kushtetuese dhe do mjaftontë të prisnim një vendim nga ana a tyre për interpretimin e kushtetutës dhe ata mund të na thonin ne, politikës shqiptare, publikut shqiptar që seanca do quhet e konsumuar pavarësisht se nuk janë 84 deputetë në sallë dhe ne në këtë rast do kishim mundësi të shikonim disa seanca me shpresën se tek seanca e 5 – të eventualisht konsensusi do të arrihej të fraktohej. Mirëpo kjo është një zgjidhje që unë e quajta farsë dhe pse kishte për të qenë e pandershme në një farë mënyre që politika ti transferonte atë ç‘ka është qartësisht përgjegjësia e saj Gjykatës Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese në këtë rast do ti duhej të vepronte në një sforcim maksimal, në një presion politik publik të papërballueshëm për një institucion të tillë. Kështu që unë e përsëris dhe njëherë që zgjidhja e parë dhe e fundit është ajo politike.

 
 
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>