BBCAlbanian.com
 
Botuar: E premte, 08 qershor 2007 - 14:45 CET
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
Prishtina bën apel për statusin
 
Sejdiu dhe Çeku
Politikanët kosovarë janë të shqetësuar për zhvillimet e fundit
Zyrtarët kryesorë kosovarë i bënë apel komunitetit ndërkombëtar ditën e premte që të miratojnë sa më shpejt një projektrezolutën për pavarësinë e Kosovës.

"Ne shprehim qëndrimin tonë shumë të qartë se jemi të interesuar dhe angazhohemi që të shkojë sa më shpejt çështja e nxjerrjes së rezolutës së re në Këshillin e Sigurimit", tha presidenti Fatmir Sejdiu pas një mbledhje urgjente të Ekipi Negociator të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Agim Çeku shkoi dhe më larg. Ai i bëri thirrje faktorit ndërkombëtar që ta zgjidhë statusin e Kosovës sa më shpejt ose "të na lejojë të shkojmë rrugës tonë".

"Ne nuk mund të presim më, çdo ditë shtyerje është rritje e frustrimeve, humbje e legjitimitetit të lidershipit kosovar dhe humbje e besimit te faktori ndërkombëtar, çdo ditë shtyrje është e dëmshme për të gjithë qytetarët e Kosovës", u shpreh kryeministri Çeku.

Alarm

Grupi i politikanëve kosovarë u mblodh të premten për të shqyrtuar situatën e krijuar për statusin pas zhvillimeve të fundit në samitin e G8-ës që po zhvillon punimet në Gjermani.

Alarmin e shkaktoi një deklaratë e presidentit francez, Nikola Sarkozy.

Z. Sarkozy ka paraqitur papritmas të enjten në mbrëmje një propozim të ri, i cili do ta shtynte me gjatë muaj procesin e përcaktimit të statusit.

Ky afat, sipas tij do t'i shërbente Rusisë që të reflektunte ndaj propozimit të Ahtisaarit për Kosovën dhe do të angazhonte sërish Prishtinën dhe Beogradin në një proces të ri negociatash.

Çështja e statusit të Kosovës është një nga çështjet që po diskutohet nga udhëheqësit e tetë vendeve më të zhvilluara të botës.

SHBA dhe vendet e BE-së po e shfrytëzojnë takimin për ta diskutuar mundësinë e miratimit të rezolutës për Kosovën me Rusinë, e cila kërkon shtyrjen e procesit dhe negociata të reja mes Prishtinës dhe Beogradit.

Përgjenjeshtrim

Udhëheqësit kosovarë pas mbledhjes së jashtëzakonshme të Ekipit Negociator thanë se njoftimet se në samitin e G8-ës ëshjtë arritur marrëveshje për shtyrjen e procesit.

Ata shtuan se nuk do ta pranojnë shtyrjen e zgjidhjes së statusit.

"Ne nuk mund të presim më, çdo ditë shtyerje është rritje e frustrimeve, humbje e legjitimitetit të lidershipit kosovar dhe humbje e besimit te faktori ndërkombëtar, çdo ditë shtyerje është e dëmshme për të gjithë qytetarët e Kosovës", tha kryeministri Çeku.

Udhëheqësi i opozitës, Hashim Thaçi tha se zhvillimet rreth statusit janë komplikuar dhe janë shqetësuese.

Ai tha se koha për pavarësi është tani dhe nuk duhet humbur asnjë ditë.

"Ne ftojmë presidentin e SHBA-ve, Bashkimin Evropian dhe OKB-në që të mos i bashkangjiten ideve për shtyerje, por të fuqizojnë qëndrimin e tyre në propozimin e z. Ahtisari për nxjerrjen e rezolutës", deklaroi z.Thaçi.

Anëtari tjetër i Ekipit Negociator, Veton Surroi tha se udhëheqësit kosovarë dëshirojnë të ruajnë partneritetin me bashkësinë ndërkombëtare, por pranoi se procesi ka hyrë në një fazë delikate.

"Qëndrimi ynë i përbashkët është se pa marrë parasysh kërcënimin (e Rusisë) për veto, ne kërkojmë nga shtetet sponzoruese të rezolutës që kjo rezolutë të vihet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Kosova nuk mund të mbetet peng i kërcënimit me veto e as i çështjeve që kanë të bëjnë me marrëdhëniet bilaterale ose ndërmjet shteteve të fuqishme", tha z.Surroi.

Reagime

Po të premten në Prishtinë, shefi i zyrës franceze atje, Thierry Reinhard ka nxituar të shpjegojë propozimin e presidentit të tij.

Ai tha se shtyrja ishte e nevojshme për t'u siguruar që Rusia nuk do të vërë veton kundër projektrezolutës.

"Qëndrimii Francës është se pavarësia e Kosovës mbetet e vetmja zgjidhje, por problemi është se ne na duhet që të gjitha shtetet anëtare të Këshillit të Sigurimit ta pranojnë këtë realitet", tha diplomati francez.

Lidhur me paralajmërimet për shtyerjen e mundshme të zgjidhjes së statusit të Kosovës, kanë reaguar zyrat diplomatike të vendeve anëtare të Grupit të Kontaktit.

Në reagimin e tyre thuhet se nuk ka marrëveshje për shtyerjen e procesit dhe se vazhdojnë aktivitetet diplomatike për zgjidhjen e statusit të Kosovës.

 
 
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>