BBCAlbanian.com
 
Botuar: E premte, 08 qershor 2007 - 11:07 CET
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
G8-a pa marrëveshje për Kosovën
 
Udhëheqësit e Samitit G8
Vendet perëndimore dhe Rusia nuk kanë arritur marrëveshje për shtyrjen e procesit të zgjidhjes së statusit të Kosovës, në samitin e G8 që po mbahet ne Gjermani.

Propozimi i presidentit francez, Nikola Sarkozy, për shtyrje gjashtëmujore të zgjidhjes së statusit, thuhet se nuk është miratuar në takim, njofton Arbër Vllahiu:

Deklarata në formë të shkruar, me të cilën vendet perëndimore do të pajtoheshin me shtyrjen e zgjidhjes së statusit të Kosovës për gjashtë muajt e ardhshëm, nëse Rusia pranon që rezultati përfundimtar do të ishte pavarësia e Kosovës, në rast të mosgjetjes së një zgjidhjeje tjetër, nuk është nënshkruar në takimin e djeshëm në samitin e G8-s.

Burime diplomatike thonë se propozimi i Presidentit francez, Nikola Sarkozy, nuk ka kaluar për shkak të hezitimit rus që ta nënshkruajë marrëveshjen me të cilën Moska do të detyrohej të pranonte zgjidhjen që çon drejt pavarësimit të Kosovës, në rast të dështimit të gjetjes së një zgjidhjeje tjetër për Kosovën.

Presidenti francez ka paraqitur papritmas një propozim me të cilin do t’i jepej një afat gjashtëmuajsh Rusisë për të reflektuar ndaj propozimit të Ahtisaarit për Kosovën dhe do të angazhonte sërish Prishtinën dhe Beogradin në një proces të ri negociatash.

Presidenti Sarkozy ka thënë se në rast të mos arritjes së pajtueshmërisë përmes negociatave të reja, plani Ahtisaari do të duhej të pranohej dhe të zbatohej menjëherë.

Mësohet ndërkaq se propozimi i zotit Sarkozy, megjithë faktin se ka patur një jehonë në samit, nuk ka arritur të pajtojë palët të cilat sërish kanë shfaqur dallime të mëdha rreth Kosovës.

Diplomatë të huaj thonë se përpjekje të reja mund të bëhen gjatë ditës së sotme në samitin e G8-s që po zhvillohet në Gjermani për të arritur një marrëveshje, megjithëse ka pak gjasa që përfaqësuesit e shtatë vendeve më të zhvilluara industrialisht në botë dhe Rusia, t’i kthehen sërish Kosovës në ditën kur do të flasin për çështjet e tjera në botë, përfshirë edhe Afrikën.

Diplomatët thonë se në rast të asnjë marrëveshjeje, Rezoluta për Kosovën do të paraqitet brenda pak javësh në Këshillin e Sigurimit, megjithëse bëhet me dije se kjo mund të ndodhë pas takimit të presidentëve Bush e Putin, në fillim të korrikut në SHBA.

 
 
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>