BBCAlbanian.com
 
Botuar: E hënë, 21 maj 2007 - 10:16 CET
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
Presidenti Moisiu reagon ndaj zhvillimeve
 
Alfred Moisiu
Presidenti shqiptar, Alfred Moisiu u bëri thirrje forcave politike që në qendër të axhendës së tyre të vendosin interesin madhor të stabilitetit demokratik te vendit, ndërsa e konsideroi debatin aktual për zgjedhjen e presidentit si një debat artificial, të panevojshëm dhe të motivuar nga interesa politike të ditës.

Në një deklaratë të posaçme të lëshuar nga zyra e tij e shtypit, zoti Moisiu u bëri thirrje atyre për të ndjekur një politikë vizionare, të matur dhe qytetare.

Sipas tij kjo politikë “...në prag të vizitës historike të Presidentit të SHBA, Xhorxh Bush dhe të zgjidhjes së statutit përfundimtar të Kosovës, të dëshmojë se jemi një vend në normalitet, stabilitet dhe me zhvillim të qëndrueshëm demokratik”.

Debati mbi presidentin

Në Shqipëri është ndezur debati lidhur me afatin dhe mënyrën e zëvendësimit të Presidentit të vendit në rast se nuk arrihet konsensus për zgjedhjen e tij.

Partia Demokratike në pushtet thotë se në rast se zgjedhja nuk arrihet deri në 24 korrik, vendin e tij do ta zerë kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli

Në 24 korrik mbaron mandati i presidentit aktual, Alfred Moisiu.

Por opozita është kundër kësaj ideje.

Pjesëtarë të saj e kanë paralajmëruar atë që e quajnë si plan të paramenduar të qeverisë.

Sipas opozitës, me kryetaren e Parlamentit Topalli në vendin e Presidentit, qoftë edhe përkohësisht, Qeveria mund të realizonte shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm dhe ndryshime në përbërjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Këto lëvizje qeveria nuk arriti t’i realizojë edhe pas një konflikti të gjatë me presidentin aktual, Moisiu.

Aleksandër Furxhi bisedoi me eksperten e të drejtës Kushtetuese, Aurela Anastasi dhe fillimisht e pyeti se çfarë kuptimi i jep Kushtetuta përfundimit të mandatit të Presidentit?

Anastasi - Kushtetuta ka përcaktuar disa aspekte të mbarimit të mandatit të presidentit në detyrë. Në vijën më normale mandati i presidentit të republikës përfundon me mbarimin e afatit kushtetues. Meqë kushtetuta ka përcaktuar një mandat 5 vjeçar duke filluar nga dita e betimit të presidentit të republikës sipas formulës së parashikuar në kushtet 5 vjet më pas mbaron mandati i tij sipas afatit kohor në vijë normale.

BBC - Zonja Anastasi a mendoni se kushtetuta nuk e përcakton se çfarë ndodh me postin e presidentit në rast se parlamenti shpërndahet?

Anastasi - Parlamenti shpërndahet vetëm si rezultat i përgjegjësisë politike që mban në qoftë se ai nuk e zgjedh presidentin e republikës. Duhet pranuar që në fillim që formula jonë e parashikuar në nenin 87 të kushtetuës është origjinale, por mjaft e komplikuar. Mendoni 3 parlamente që mund të marrin pjesë në zgjedhjen e presidentit të republikës dhe 11 raunde votimesh, 5 raunde do të ketë parlamenti i parë që është në detyrë normalisht dhe parlamenti i dytë që zgjidhet nëse i pari shpërndahet dhe 1 raund me shumicë jo të cilësuar, por absolute do të ketë parlamenti 3. Të mendojmë se çfarë formule e vështirë është kjo. Si konkluzion parlamenti ka detyrim kushtetues të zgjedhë presidentin e republikës, kjo nuk është një dëshirë apo një liri e parlamentit, ky është një detyrim kushtetues. Ai duhet të votojë në 5 raunde dhe vetëm nëse pas raundit të 5 nuk e ka arritur shumicën e cilësuar të parashikuar nga kushtetuta ai shpërndahet. Pas kësaj parashikohet zgjedhje dhe rizgjedhje për dy parlamente të tjerë, por nuk parashikohen procedurat që do të ndiqen në rast se parlamenti i parë shpërndahet.

BBC- Pra nuk është e qartë në rast se shkojmë në zgjedhje të parakohshme se çfarë ndodh në vendin e presidentit të republikës, qëndron apo jo i njëjti president. Çfarë parashikon atëherë legjislacioni shqiptar?

Anastasi - Parlamenti edhe pse përbëhet nga forca parlamentare që janë në debat dhe mund të jenë në debat të vazhdueshëm ka përgjegjësinë e vet për të përmbushur detyrimet e kushtetutës e madje dhe ta interpretojë atë sa herë që është nevoja për të kryer veprimet e veta. Kështu që unë mendoj që gjykata kushtetuese duhet të futet në lojë le të themi në rast se ka konflikt brenda parlamentit dhe nuk gjendet gjuha e përbashkët midis forcave politike ose midis institucioneve për çështje që kanë lidhje me procedurat që do të ndiqen pas shpërndarjes së parlamentit.

BBC- Pikërisht më duket se jemi në këtë situatë ku ka një mospërputhje, një mospajtim të thellë brenda parlamentit dhe një nga këto pika ku ka mospërputhje është çështja e konceptit të vakantit të presidentit. Çfarë do të thotë vakant në radhë të parë?

Anastasi - Është fjala për interpretimin e nenit 91 të kushtetutës. Ky nen e lidh vakancën me pamundësinë e presidentit të republikës ose me pamundësinë e përkohshme ose me pamundësinë e përhershme. Në pamundësinë e përkohshme kuptohet një sëmundje ose për shkak të daljes me një afat të paarsyeshëm jashtë shtetit dhe natyrisht në këto raste kërkohet një vijimësi dhe kryetari i kuvendit mund të zërë vendin e presidentit të republikës. Pra, pamundësia e përkohshme nuk e mbaron mandatin e presidentit, por bën një farë pezullimi. Vendi vakant mbetet kur pamundësia është e përhershme, kur ai vdes, ka një sëmundje të tillë që nuk ka shpresë se do të rikthehet më në detyrën e tij. Unë këtu mund të fusja dhe dorëheqjen e presidentit të republikës, pra mund të fusja gjithçka që e mbaron mandatin e tij para afatit 5 vjeçar.

BBC- Me siguri politikanët do t'i drejtohen për ndihmë dhe për konsultë konstitucionalistëve. Ju jeni një eksperte e të drejtës kushtetuese, çfarë këshille do t'i jepni politikanëve në këtë rast që të dilej nga ky kolaps i paralajmëruar?

Anastasi - Jemi në situatën kur pak ditë kanë mbetur nga afati kushtetues i mbledhjes së parlamentit për të filluar procedurat e zgjedhjes së presidentit të republikës. Nuk shtrohet dot këtu as çështja që të kemi një ndryshim të kushtetutës me qëllim që ta amendojmë nenin përkatës, as dhe çështja e pritjes së një vendimi të gjykatës kushtetuese përpara se të fillojmë proçedurat parlamentare. Kështu që unë do të jepja një këshillë të tillë që përgjegjësia e anëtarëve të kuvendit të rritet në atë shkallë sa ata vetë të marrin fatet në dorë të kësaj procedure dhe të interpretojnë kushtetutën në mënyrën më të mirë të mundshme dhe do të doja unë si qytetare që pas raundit të 5 minimumi të kishte përfunduar proçedura e zgjedhjes së presidentit të republikës në kushtet në të cilat ndodhemi sepse kemi disa probleme të mos përmendim problemet që shoqëria civile ngre gjithmonë të infrastrukturës zgjedhore, por themi që kemi probleme të tjera që vijnë nga një farë zbrazëtie që ka kushtetuta dhe mos parashikimet e detajuara të saj pas shpërndarjes së kuvendit.

 
 
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>