http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E premte, 09 mars 2007 - 19:28 CET

Samiti i Brukselit mbyllet me optimizëm

Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, tha se Evropa është në një pozicion drejtues në luftën kundër ngrohjes globale.

Zoti Barroso e bëri këtë deklaratë pasi udhëheqësit e 27 vendeve të Bashkimit Evropian përfunduan samitin e tyre dyditor në Bruksel, me një marrëveshje shumë të rëndësishme për ndryshimin e klimës.

Brenda 13 vjetësh, BE-ja ka premtuar që të ulë me një të pestën, emetimin e gazeve që shkaktojnë efektin serë.

Gjithashtu Bashkimi Evropian premtoi të rrisë konsumin e energjisë së përftuar nga burime të ripërtëritshme, si nga djelli dhe era nga 7 për qind deri në 20 për qind.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, që drejton deri në muajin qershor, tha se vendimi tregoi se BE-ja mund të veprojë si një e vetme.

Ajo u bëri thirrje vendeve të tjera të botës që të ndiqnin shembullin për të parandaluar një katastrofë njerëzore.