http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E enjte, 08 mars 2007 - 12:37 CET

BE-ja diskuton ndryshimin e klimës

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian mblidhen në Bruksel në samitin e tyre të parë të vitit dhe në qendër të diskutimeve janë plane rigoroze për uljen e emetimeve të gazrave që krijonë efektin serë.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, që mban presidencën e radhës të BE-së, dëshiron që 27 vendet anëtare të BE-së të angazhohen për të ulur emetimet e dioksidit me 80 përqind krahasuar me nivelet e vitit 1990 deri në vitin 2020.

Duke folur para samitit kancelarja Merkel tha se Evropa kishte mundësinë për të vendosur një shembull të mirë dhe për të bindur të tjerët për nevojën e goditjes së ngrohjes globale.

Marrëveshja që është hedhur mbi tryezë nuk do të jetë e mjaftueshme për të kënaqur të gjithë shkencëtarët pro-mjedisit, por udhëheqësit e BE-së do të dëshironin të ishin pranë marrëveshjes për uljen e emetimeve si këto.

Mbretëria e Bashkuar dëshironte një ulje të njëanshme evropiane të karbonit me 30 përqind.

Disa shtete kanë frikë se kjo do të dëmtojë fuqinë konkuruese kështu që propozimi më i mundshëm për t'u aprovuar është 20 përqind ulje, që do të ngrihet më vonë në 30 përqind, por vetëm nëse amerikanët luanin rolin e tyre.

Megjithatë, hapat e detyrueshme për të arritur këtë qëllim të uljes së ndotjeve po provojnë se janë më të debatueshme se sa pritej.

Shumë vende nuk dëshirojnë të detyrohen për të marrë 20 përqind të energjisë në Evropë nga burimet e ripërtëritshme.

Ata thonë se mund të mos jetë realiste dhe nuk lë hapësirë të mjaftueshme për energjinë bërthamore.

Të tjerë kundërshtojnë kërkesat rigoroze për bio-karburantet dhe termocentralet që përdorin qymyr me nivel të ulët karboni.

Megjithatë, pa këto masa të detyrueshme ekziston rreziku që plani do të injorohet nga amerikanët si thjesht fjalë pa përmbajtje.