BBCAlbanian.com
 
Botuar: E shtunë, 03 mars 2007 - 18:12 CET
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
Protestë e qetë e 'Vetëvendosjes'
 
Nga protesta e 10 shkurtit e 'Vetëvendosjes'
Mijëra qytetarë të Kosovës kanë protestuar të shtunën në Prishtinë kundër propozimit të kryenegociatorit Martti Ahtisari për statusin e Kosovës.

Protestuesit në mënyrë simbolike kanë shkatërruar pakon e z. Ahtisaari dhe kanë kërkuar lirimin pa kusht të udhëheqësit të 'Vetëvedosjes', Albin Kurti.

Folës në protesë kanë kritikuar ashpër pjesëtarët e Grupit Negociator të Kosovës.

Por policia tha se protesta ishte e qetë dhe pa incidente, ndryshe nga protesta e tre javëve më parë të organizuar nga lëvizja.

Dy protestues u vranë me plumba plastikë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën në 10 shkurt gjatë përleshjeve mes protestuesve dhe policisë.

Protestuesit marshuan nga selia e lëvizjes "Vetëvendosje" në drejtim të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare dhe nuk u ndaluan nga policia.

Kritika të ashpra

Para ndërtesës ku ndodhet selia e presidencës, protestuesit në mënyrë simbolike shkatërruan pakon e kryenegociatorit Martti Ahtisari.

Masës së tubuar iu drejtua aktivisti i lëvizjes, Glauk Konjufca.

"Meqë kjo pako nuk e përmban vullnetin tonë politik dhe vendin tonë ia lë peng Serbisë dhe 5 përqind të popullit të Kosovës, ne këtë pako do ta shkatërrojmë. Sot do ta shkatërrojmë atë simbolikisht, ndërsa në të ardhmen realisht", tha Konjufca.

Protestuesit kanë kërkuar lirimin pa kushte të udhëheqësit të lëvizjes Albin Kurti dhe aktivistëve të tjerë, të cilët u arrestuan gjatë protestës së dhunshme të 10 shkurtit.

Gjatë mbajtjes së protestës rrugët kryesore të Prishtinës kanë qenë të mbyllura për trafik dhe policia kishte rrethuar ndërtesat qeveritare.

Protestë e qetë

Zëdhënësi i Shërbimit Policor të Kosovës, Veton Elshani tha se protesta kishte kaluar pa incidente.

"Policia vlerëson se protesta ishte e qetë... Kur policia ka parë formën e qetë të protestës sipas premtimeve të dhëna më herët nga lëvizja 'Vetëvendosje', është vendosur që të lirohet edhe pjesa e rrugës përballë ndërtesës së OKB-së që ishte e përfshirë në planin operativ", tha zoti Elshani.

Ndërkohë pas përfundimit të protestës, institucionet e Kosovës dhe udhëheqësit opozitarë kanë falënderuar pejsëmarrësit për sjelljen e tyre paqësore.

Ata i kanë siguruar qytetarët se Kosova është në rrugën e duhur për t'u bërë shtet i pavarur dhe sovran.

Udhëheqësit kosovarë kanë bërë thirrje për qetësi dhe maturi në fund të procesit.

 
 
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>