BBCAlbanian.com
 
Botuar: E premte, 16 shkurt 2007 - 08:39 CET
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
Marrëveshje për emetimin e dioksidit të karbonit
 
Mccain
Kandidati presidencial McCain thotë se debati për klimën u mbyll
Politikanë nga disa vende kryesore të botës kanë rënë dakord për masat që duhen marrë për ndryshimet e klimës.

Kjo i hap rrugën një traktati të ri ndërkombëtar.

Përfaqësues të Grupit të Tetë vendeve më të industrializuara, si dhe politikanë nga Kina, India, Brazili dhe Afrika e Jugut ranë dakord për vendosjen e një tavani për emetimin e dioksidit të karbonit.

Gjatë një takimi në Uashington, ata ranë për herë të parë dakord se edhe vendet e mëdha që janë në zhvillim, si Kina apo India, duhet të ulin nivelin e emetimit, krahas shteteve më të pasura.

Deklarata që doli nga ky takim nuk është e detyrueshme për t'u zbatuar, por korrespondenti i BBC-së për çështjet e mjedisit thotë se ky është një hap i rëndësishëm për arritjen e një marrëveshjeje politike për ndryshimet e klimës.

Megjithatë, një shkencëtar i njohur në Shtetet e Bashkuara thotë se ka pak shpresa që administrata e Bushit të marrë masa kundër ngrohjes globale.

Doktor John Holdren, President i Shoqatës Amerikane për Avancimin e Shkencës, tha se besonte se administrata amerikane nuk do të hidhte ndonjë hap deri në zgjedhjen e presidentit të ri.

Ai tha se kostoja e hapave të tanishëm është më e ulët se dëmi nga ndryshimet e klimës në të ardhmen.

"Unë mendoj se duhet t'i spjegojmë presidentit Bush se kundërshtimi i tyre kryesor se hedhja e hapave serioze për ndryshimet e klimës do të dëmtojë ekonominë amerikane, është krejtësisht i gabuar", tha Dr.Holdren.

Në një zhvillim tjetër ish-zëvendëspresidenti amerikan, Al Gore, njoftoi se gjatë muajit korrik do të organizohen disa koncerte me këngëtarët më të njohur të muzikës pop për të rritur ndërgjegjësimin e publikut për ndryshimet e klimës.

 
 
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>