BBCAlbanian.com
 
Botuar: E premte, 16 shkurt 2007 - 16:16 CET
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
Ristrukturimi i kalasë
 
Pamje nga kalaja e qytetit të Elbasanit
Pamje nga kalaja e qytetit të Elbasanit

Eliana Cengeli: Dimë që para pak kohësh u aprovua një projekt për rikonstrukturimin e kalasë së Elbasanit. Çdo të bëhet me të?

Ardian Turku: Unë e falenderoj për këtë pyetje që më jep mundësi të shpjegohem. Ne kemi fituar një projekt me universitetin e Pizës dhe në ministrinë e kërkimit shkencor të Italisë ku bashkia e Elbasanit kontribuon me 40 mijë euro nga buxheti vet, është rasti vetëm në Shqipëri.

Ka filluar studimi i cili pritet të përfundojë nga muaji shkurt i gjithçkaje që ndodhet nën tokë në kalanë e Elbasanit dhe vlerësimi i gjithçkaje që ndodhet mbi tokë dhe për më tepër sensi është jo vetëm kërkimi shkencor, por edhe përcaktimi i mënyrave të ndërhyrjes në këtë kala për të rivitalizuar në të gjitha aspektet.

Ky studim do të bëhet dhe besoj se do të jetë shumë i plotë, profesor Neritani mund të flasë shumë më tepër dhe është angazhuar në konferencën paraprake që ne kemi bërë.

Bashkia e Elbasanit pothuajse ka fituar të drejtën e një granti direkt nga Banka Botërore në vlerë që mund të shkojnë gati në 3 - 4 milionë dollarë.

Ne po bëjmë përpjekje vetëm me paketën sesi do të operojmë me Bankën Botërore dhe mbështetur në strategjinë e zhvillimit, në projektet prioritare të përcaktuara me komunitetin është përcaktuar dhe ndërhyrja konkrete në kalanë e Elbasanit që do të ketë një vlerë jo më pak se 1.4 milionë dollarë dhe që presupozon ndërhyrjen në infrastrukturën tokësore, në rrugicat e kalasë dhe gjithashtu rivitalizimin e pjesëve që kanë lidhje me ndërtesat historike, ndriçimin e kështu me radhë.

Pra gjërat tani janë në një moment të qepur për nga ana e përgatitjes dhe e gjetjes së fondeve, ndërkohë që i takon mandatit tjetër që përfundimisht të presë shiritat dhe ta shohim kalanë ashtu siç e dëshirojmë.

Bardhyl Musai: Kjo është një nismë shumë e mirë për kalanë e Elbasanit pasi i jep një dimension tjetër dhe jetës në qytet duke zhvilluar dhe turizmin kulturor, por unë do të tërhiqja vëmendjen e personave që përfshihen në këtë lloj projekti, të pushtetarëve vendorë, të kërkuesve dhe instancave të tjera që të bëjnë më shumë kujdes për kalanë e Elbasanit, pasi ne shohin që në kala ka ndërtime që nuk përputhen me vetë historikun e kalasë.

Nga ana tjetër punimet restauruese në disa raste mund të rrezikojnë edhe muret e kalasë apo objektet e tjera kulturore që ka kalaja dhe për më tepër unë jam dëshmimtar i një rikonstruksioni të fundit që është bërë në rrugicat e kalasë që në vend që ta kthente në identitet, ja hoqi këtë lloj identiteti rrugicave të kalasë.

Pamje nga qyteti i Elbasanit
Pamje nga qyteti i Elbasanit
Kalaja është një pasuri shumë e madhe për qytetin e Elbasanit dhe duhet të trajtohet me seriozitetin më të madh dhe duhet të ketë dhe sanksione për të gjithë mekanizmat që do të përfshihen në restaurimin e kalasë pasi në të kundërt në vend që të ndihmojë turizimin dhe kulturën në Elbasan do ta zbehte atë.

Aleksandër Furxhi: Faleminderit zoti Musai. Zoti Neritan jeni në fushën tuaj si dhe jeni dhe familje me origjinë nga Elbasani.

Neritan Ceka: Po jam nga qendra e Kalasë, tek Hyqymeti. Unë mendoj që është një projekt në kohën e duhur. Iniciativa e familjes Tafa ka qenë me të vërtetë për thellimin e kalasë nga brenda, unë them ishte nisma për një projekt më të gjërë i cili parashikon vlerësimin e mureve të kalasë së Elbasanit si faza fillestare, ndërkohë siç tha dhe kryetari i bashkisë ka një projekt për të parë mbi tokë dhe nën të sepse është një qytet i antikitetit, një nga qendrat kryesore në rrugën Egnatia, gjithashtu ajo ka dhe vlera që shkojnë deri në ditët e sotme.

Ka qenë qendra e lëvizjes kombëtare, shtëpia Kristoforidhi është në kala, Dhaskal Todri e kështu me radhë, por dhe gjenerata tjetër e elbasanasve Aleks Buda dhe studiues të famshëm të albanologjisë shqiptare vijnë nga kalaja.

Pra ka një gamë jashtëzakonisht të gjërë e cila duhet integruar në një program që do vlerësonte jo vetëm kalanë e Elbasanit, por edhe Elbasanin vetë si një nga qendrat e rëndësishme të antikitetit, të pararendësit të dikurshëm të koridorit të 8-të që ka qenë via Egnatia, por edhe në kumtesën time që mbajta në sesionin shkencor tregova që jo vetëm kalaja e Elbasanit, por edhe rrethi Elbasanit ka vlera të tjera të mëdha kulturore arkeologjike, të cilat gjithashtu mund të integrohen në këtë projekt duke përfshirë Gradishtën e Belshit, shkëmbin e Shën Lliut që është një kala sa ngjitesh në rrugën e Krrabës ose kishat e famshme të Shpatit ku ka pikuturar Onufri.

Jemin Gjana: Qeveria është e interesuar dhe natyrisht që duhet bërë më shumë në këtë aspekt. Çështja e trashëgimisë kulturore në Shqipëri kërkon më shumë vëmendje.

Unë nuk mund të marr pjesën e asaj ç'ka zoti Ceka është në fushën e tij për të thënë se si duhet restauruar. Ajo që doja të thoja janë 3 çështje që vlejnë për kalanë e Elbasanit dhe për të gjitha objektet e trashëgimisë tonë.

Njerëzit që nisen dhe shkojnë në Egjipt sot, shkojnë në Kajro sepse janë piramidat atje, ndryshe do të shkonin në Sharm el Sheik.

Çfarë detyrimesh kemi ne, çfarë detyrimesh ka pushteti qendror dhe lokal?

Së pari të bëhet kujdesi maksimal për ndërtimet e paligjshme që rrethojnë objektet tona ose që ndonjëherë vendosen mbi objektet tona.

Së dyti për kalanë e Elbasanit vite më parë kam parë një ndërhyrje për të cilën zoti Ceka thotë është e vlefshme, por të gjitha ndërtimet kudo në objektet e trashëgimisë kulturore ka fasilitete, ka objekte ku shiten, tregtohen sepse çdo gjë shkon duke u përshtatur me ambiciet e kohës.
Njerëzit që shkojnë atje shkojnë edhe për të pushuar, por edhe për të parë këtë pjesë të trashëgimisë.

Së treti duhet të investohet më shumë para. Shumë mirë që është një projekt dhe ne duhet të kërkojmë për më shumë të tilla. Në detyrat e ekzekutivit qendror dhe lokal është për të restauruar, mirëmbajtur dhe për ti kontrolluar sepse kudo që hyn në botë në objekte të kësaj natyre paguan pa hynë.

Shqipëria duhet të vendosë rregulla, ti shfrytëzojë ato sepse ato para që mblidhen shkojnë për ta mirëmbajtur këtë trashëgimi.

Mësues: Për shkak të sensibilitetit që kam në lidhje me problemet e kulturës, jam anëtar i këshillit bashkiak të qytetit të Elbasanit dhe i komisionit të kulturës.

Pjesëmarrësit para fillimit të debatit
Pjesëmarrësit para fillimit të debatit
Dua të them që i pari që duhet të protestonte më shumë për atë që duhej bërë jo në këto vite sepse bashkia e Elbasanit ka bërë gozha në lidhje me projektin që ka marrë përsipër, do të ishte zoti Neritan Ceka. Ai duhet të protestonte i pari.

Së dyti largësia që ka patur zoti Ceka nga Elbasani në Tiranë nuk e justifikon faktin që ai duhet të ishte njeriu dishepull i kësaj, përderisa thotë që është nga qendra e kalasë.

Fakti që përreth kësaj kalaje gjendet shkolla e parë shqipe që quhej shkolla e Tebojës dhe që është ende në mëshirën e fatit, por brenda kësaj kalaje gjenden figurat e 8 akademikëve më të shquar të Shqipërisë, Aleksa Buda kryetari i parë i akademisë dhe Ylli Popa kryetari i fundit i kësaj akademie si dhe emra të tjerë si Mahir Domi, Simon Shuteriqi etj.

Nuk është vetëm kuriozitet mos të harrojmë që kalaja ka brenda saj edhe elementa nga më të veçantë është e papërsëritshme në botë. Fakti që brenda kësaj kalaje gjenden 3 komunitete fetare si kisha e Shën Pjetrit kisha katolike, 50 metra larg saj ndodhet kisha Shën Maria kisha ortodokse e veçantë në llojin e vet dhe 50 metra më larg gjendet dhe xhamia Mbret. Në botë nuk është zhvilluar asnjëherë asnjë konflikt fetar.

Elbasani mund të mbajë shembullin në këtë drejtim dhe pikërisht ky duhet të ishte turizmi kulturor më i mirë që ti propagandonte botës këtë tolerancë fetare.

Elona: Do doja të thosha diçka në lidhje me këtë projekt. Flas si njohëse e mirë e këtij projekti sepse kam marrë pjesë vetë dhe do ishte fati i madh për qytetin e Elbasanit që ky projekt të miratohej dhe të kishin dhe diçka tjetër të bukur që të na njihte bota përveç ndotjes.

Laerti, student i gazetarisë, viti i parë: Në zonën e Shpatit ndodhet një kishë mjaft e bukur, kisha e Shelsanit që është pikturuar nga Onufri. Ajo është në gjendje të mjeruar unë e kam vizituar vetë sepse atje kam origjinën e mamasë time dhe do të doja a kemi një projekt konkret për rikonstruksionin e kësaj kishe.

Kujtim Topuzi, viti dytë gazetari: Dua t'ju falenderoj për mendimet dhe që vlerësoni kalanë e Elbasanit si një vlerë të madhe kombëtare doja të dija nga ju që e dini më mirë historinë a është parashikuar nga ata që e kanë ndërtuar këtë kala që në kala duhet të ketë bingo apo disko?

Aleksandër Furxhi: Një pyetje me të cilën do të doja ta mbyllja debatin në Elbasan ishte debati i BBC - së Auditorium në bashkëpunim me Top Channel i mundësuar dhe me ndihmën e ambasadës Britanike në Tiranë. Ju kujtoj se në Elbasan, BBC në Shqip sapo ka filluar dhe një bashkëpunim me radion Egnatia kështu që emisionet tona në radio mund ti dëgjoni dhe përmes saj. Falenderoj të gjithë panelistët dhe të gjithë ju që ishit të pranishëm këtu në sallë. BBC dhe debati auditorium vazhdon udhëtimin e tij nëpër Shqipëri dhe Kosovë, mirë u takofshim.

Ky program u realizua në bashkëpunim me televizionin Top Channel dhe me ndihmën e Ambasadës Britanike në Tiranë.

 
 
LOKALE
Auditoriumi në Elbasan
04 janar 2007 | Faqja Kryesore
E ardhmja e studentëve të diplomuar
08 janar 2007 | Faqja Kryesore
Ndotja e ambjentit shqetësim i përgjithshëm
15 shkurt 2007 | Faqja Kryesore
Zgjedhjet lokale
15 shkurt 2007 | Faqja Kryesore
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>