BBCAlbanian.com
 
Botuar: E premte, 02 shkurt 2007 - 19:06 CET
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
Kosova 'do të shkëputet nga Serbia'
 
Shqiptarë në Kosovë
Shqiptarët duan të shkëputen nga Serbia
I dërguari i posaçëm i OKB-së, Martti Ahtisaari ka shpalosur në Prishtinë përmbajtjen e paketës së tij për të ardhmen e Kosovës, por nuk ka dashur të ndalet shumë te statusi politik.

Në asnjë moment, ai nuk ka përmendur fjalën pavarësi, mirëpo plani i tij përmban elementet e shtetësisë së Kosovës dhe pezullon rezolutën 12 44 të OKB-së, e cila e njihte sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën.

Zoti Ahtisaari në paraqitjen e tij para gazetarëve është përqëndruar më shumë në të ashtuajturën pjesë teknike, për të cilën kanë biseduar Prishtina dhe Beogradi në takimet e Vjenës.

Zoti Ahtisaari tha se plani i tij nuk është përfundimtar dhe se pala shqiptare dhe ajo serbe do të kenë disa ditë në dispozicion për ta shqyrtuar dokumentin.

Gjatë muajit shkurt do të mbahet konsultime ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit me qëllim qëi parë do të mbahet më 13 shkurt.

Zoti Ahtisaari tha se shpreson që në fund të muajit mars do të jetë në gjendje ta dorëzojë dokumentin për miratim në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe se aty do flasë më konkretisht për statusin e Kosovës. Por ai siguroi se propozimi i tij e bën Kosovën një vend demokratik dhe shumëetnik.

"Qëllimi i marrëveshjes është që t'i vërë bazat për të një ardhme të qëndrueshme të Kosovës, ku pjesëtarët e komunitetit shqiptar, serb dhe komunitetet e tjera do të mund të kenë një jetë të dinjitetshme, të sigurtë dhe të qëndrueshmë nga aspekti ekonomik, si dhe një të ardhme për Kosovën që i kontribuon në mënyrë aktive dhe të efektshme sigurisë dhe stabilitetit në rajon," tha zoti Ahtisaari.

Pjesa kryesore e dokumentit të zotit Ahtisaari i kushtohet të drejtave të pakicave.

Në këtë drejtim, ish presidenti finlandez siguroi se komunitetet joshqiptare do të kenë të drejta të posacme. Ato do të udhëheqin me disa komuna që do të krijohen sipas planit të decentralizimit, ndërsa kishat e manastiret serbe do të kenë të ashtuquajturat zona mbrojtëse.

"Marrëveshja paraqet dispozita të veçanta për mbrojtjen e komuniteteve joshqiptare, duke përfshirë përfaqësimin e tyre të garantuar në Kuvendin e Kosovës, në qeveri dhe në sistemin gjyqësor. Do të themelohen një numër i komunave me shumicë serbe, të cilat do të kenë kompetenca shtesë, vecanërisht në atë të arsimit dhe shëndetësisë publike.më shumë se 40 vende kulturore dhe fetare do të kenë zona mbrojtëse për t'u siguruar që Kisha Ortodokse Serbe të mbetet një komunitet aktiv", deklaroi zoti Ahtisaari.

I dërguari i OKB-së, Martti Ahtisaari tha se dokumenti për statusin krijon mundësitë për avancimin e zhvillimit ekonomik dhe i jep të drejtën Kosovës të aplikojë për anëtarësim në institucionet ndërkombëtare financiare.

Zoti Ahtisaari në planin e tij thekson nevojën e vazhdimit të pranisë ndërkombëtare civile dhe ushtarake në Kosovë.

Plani i Martti Ahtisaarit për statusin e Kosovës është bërë pas një viti negociatash të dështuara ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në Vjenë.

Ai tha se ky është një plan kompromisi dhe shfaqi bindjen se gjatë ditëve të ardhshme, Prishtina dhe Beogradi do të angazhohen në mënyrë konstruktive për finalizimin e marrëveshjes për statusin e Kosovës.

Zoti Ahtisaari është takuar në Prishtinë me shefin e UNMIK-ut, komandantin e KFOR-it, Ekipin Negociator të Kosovës dhe përfaqësuesit e pakicave.

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu duke folur pas takimit me Ekipin Negociator të Kosovës tha se pret që procesi i statusit të përmbyllet shumë shpejt në përputhje me vullnetin e popullit për pavarësi.

Ai tha se dokumenti i zotit Ahtisaari ofron të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët e Kosovës.

"Ne e kemi një plan të përbashkët për të gjithë qytetarët e Kosovës, për të ardhmën e Kosovës. Kemi punuar dhe kemi ofruar garancione të qëndrueshme për të gjitha komunitetet pakicë dhe qasja jonë është integruese, nuk është përjashtuese. Është qasje që dëshiron një aktivizim dhe mobilizim të pakicave duke filluar me garancat në përfaqësim në institucionet e shtetit të Kosovës", tha presidenti Sejdiu.

Ndërkaq lideri i opozitës dhe anëtari i Ekipit Negociator i Kosovës, Hashim Thaci ishte më i qartë në përmbajtjen e pakos së zotit Ahtisaari. Ai tha se plani çon në krijimin e një shteti të pavarur.

"Nga sot edhe de jure mund të konkludojmë se sovraniteti i Serbisë mbi Kosovën largohet, ruhet dhe garantohet integriteti territorial i Kosovës, Kosova fiton të drejtën që të jetë subjektivitet ndërkombëtar dhe natyrisht nga sot fillon një etapë e re për ndërtimin e shtetit të ardhshëm të Kosovës", u shpreh zoti Thaçi.

Sipas zotit Veton Surroi, pakoja e Ahtisaarit është pako për pavarësinë e Kosovës, ndonëse fjala pavarësi nuk përmendet në dokument.

"Në pakon të cilën na dorëzoi zoti Ahtisaari janë elementët që e ndërtojnë shtetin. Ne kemi një pako të pavarësisë, por pa emrin pavarësi. Është çështje e partneritetit kosovar dhe ndërkombëtar që në muajt dhe javët që vijnë ta pagëzojmë këtë pako me emrin e vet të duhur, me atë të pavarësisë", tha zoti Surroi.

Pas marrjes së paketës së Ahtisaarit, Ekipi Negociator i Kosovës ka mbajtur një takim të jashtëzakonshëm me kryesinë e Kuvendit të Kosovës dhe shefat e grupeve parlamentare.

Pesëshja negociatore e ka njoftuar kryesinë e Kuvendit dhe shefat e grupeve parlamentare me përmbajtjen e pakos së z.Ahtisari. Presidenti Sejdiu tha se dokumenti do t'u dorëzohet deputetëve dhe ata do të mund të japin vërejtjet e tyre në një seancë ku do të debatohet për planin e z. Ahtisaari për Kosovën.

Presidenti Sejdiu nuk deshi të thotë se kur do ta shpallë Kuvendi pavarësinë e Kosovës, duke lënë të kuptohet se do të pritet miratimi i rezolutës së re për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Edhe kryeministri Çeku ka thirrur në takim kabinetin qeveritar për ta njoftuar me paketën e z. Ahtisaari.

Ahtisaari në Beograd

Gjatë një konference shtypi në Beograd, z. Ahtisaari tha se shpresonte se plani i tij mund të çonte drejt një të ardhmeje paqësore për Kosovën.

"Qëllimi i planit është të vendosë themelet për të ardhmen e një Kosove të qendrueshme, një Kosove të së ardhmes ku pjesëtarët e të gjitha komuniteteve, shqiptarët, serbët dhe komuniteteve të tjera, të mund të jetojnë një jetë të sigurt, dinjitoze dhe ekonomikisht të qendrueshme. Dhe një Kosove të së ardhmes që të kontribuojë për paqen dhe stabilitetin në rajon," tha ai.

z. Ahtisaari shtoi se qëllimi i paketës së tij ishte krijimi i një Kosove ku pjesëtarët e të gjitha komuniteteve të jetonin të sigurt.

"Zgjidhja parashtron masa specifike për mbrojtjen e komuniteteve jo-shqiptare, duke përfshirë garanci për përfaqësimin e tyre në kuvend, në qeveri dhe në sistemin e drejtësisë," tha z. Ahtisaari.

Disa nga propozimet e Ahtisaarit

  • të miratojë një kushtetutë që do të paraqesë mekanizmat ligjore dhe institucionale për mbrojtjen, promovimin dhe zbatimin e të drejtave të njeriut të të gjithëve në Kosovë.
  • të ketë të drejtën të negociojë dhe përfundojë marrëveshje ndërkombëtare, përfshirë të drejtën për të kërkuar anëtarësi në organizata ndërkombëtare.
  • të ketë simbolet e veta të veçanta kombëtare, përfshirë një flamur, stemë dhe himn, që të pasqyrojë karakterin shumë-etnik.
  • nuk duhet të ketë pretendime territoriale ndaj, dhe nuk do të kërkojë bashkim me, ndonjë shtet apo pjesë të ndonjë shteti.
  • bashkësia ndërkombëtare do të supervizojë, monitorojë dhe do të ketë të gjitha kompentencat e nevojshme për të garantuar zbatim efektiv dhe të mirë të kësaj zgjidhjeje.
  • banorët që i përkasin një grupi të njejtë kombëtar apo etnik, linguistik, apo fetar që janë të pranishme tradicionalisht në territorin e Kosovës do të kenë të drejta të veçanta.
  • të krijojë një forcë të re profesionale e shumëetnike të Sigurisë së Kosovës, FSK.

Këshilli i Sigurimit do të thotë fjalën e fundit nëse do të miratojë apo jo planin.

Serbia ka thënë në mënyrë të përsëritur se nuk do të pranojë humbjen e sovranitetit ndaj Kosovës, dhe negociatori serb në bisedimet e statusit Slobodan Samardzic i hodhi poshtë konkluzionet e pritshme.

"Çdo gjë që ... shkel ligjet e brendshme të Serbisë, nuk mund të jetë objekt negociatash," i tha ai televizonit kombëtar serb.

 
 
LOKALE
Profil i zotit Ahtisaari
01 shkurt 2007 | Faqja Kryesore
Bildt në Prishtinë
01 shkurt 2007 | Faqja Kryesore
Analisti serb flet për Kosovën
30 janar 2007 | Faqja Kryesore
Ahtisari paraqet propozimin për Kosovën
26 janar 2007 | Faqja Kryesore
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>