BBCAlbanian.com
 
Botuar: E hënë, 08 janar 2007 - 16:55 CET
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
E ardhmja e studentëve të diplomuar
 
Pamje nga salla ku u zhvillua Auditoriumi
Pamje nga salla ku u zhvillua Auditoriumi

Brunilda Dingo: Pyetja që do të doja t'ja u drejtoja gjithë të ftuarve në panel është: si do të justifikohet në të ardhmen gjithë studentet e sapodiplomuar, të papunësuar?

Bardhyl Musai: Shqipëria është në një moment që aspiron të integrohet në familjen europiane dhe e dimë që 2006 ishte viti i nënshkrimit të marrëveshjes së stabilizim asocimit.

Integrimi në këtë familje parakupton që të integrohemi në atë që quhet shoqëria e dijes. Shoqëria e dijes parakupton që të gjithë qytetarët e shoqërisë të zbatojnë disa shprehi për tu integruar në këtë shoqëri dhe një nga shprehitë është ajo që quhet sipërmarrësia domethënë individët duhet të jenë sipërmarrës të lirë dhe të mos presin që ata të punësohen, por në vend që ata të punësohen ata duhet të hapin tregje pune.

Kjo do të thotë që duke qenë se Shqipëria është dhe një vend i vogël ne nuk mund të prodhojmë shkencë, por Shqipëria është një vend që do të konsumojë shkencën dhe që njerëzit nëpërmjet sipërmarrjes së lirë të hapin fronte pune në sferën e shërbimeve, në shkenca aplikative dhe rinia e sapodiplomuar duhet detyrimisht ti zotërojë këto shprehi.

Prandaj është detyrë e shkollës t'i pajisë të rinjtë me këto shprehi si dhe me shprehi të tjera të zgjidhjes së problemit me shprehitë e të nxënit afatgjatë etj. Kjo do të bëjë që pavarësisht nga ritmet e zhvillimit të shoqërisë apo nga zhvillimi i teknologjisë njerëzit do të jenë në gjendje që të ndërojnë dhe profesionet gjatë viteve të jetës së tyre pasi nuk ka më profesione të dhëna njëherë e përgjithmonë.

Por zhvillimi i informacionit bën të mundur që njerëzit të orientohen dhe riorientohen disa herë në jetë në bazë të kërkesave të tregut të punës.

Neritan Ceka: Pyetja u bëhet në përgjithësi politikanëve dhe detyra e shtetit është që tu sigurojë vende pune sipas praktikës socialiste që kushdo që dilte nga universiteti kishte një vend pune diku në Shqipëri.

Detyra jonë është të bëjmë politika që hapin fronte pune si dhe politika që inkurajojnë dhe iniciativën private. Ndërsa pjesa e parë në njëfarë mase po realizohet nëpërmjet reformave që janë iniciuar herë pas here qoftë në universitete, qoftë edhe në jetën ekonomike unë them që në rastin e dytë inkurajimi është afër niveleve zero.

Pra nuk ka banka, fonde të cilat japin mundësi të rinjve të cilët kanë ide, inisiativë të gjejnë veten e tyre në një vend ku arsimi do ti jipte mundësi të afirmojnë aftësitë e tyre.

Emin Gjana: Shqetësimi është i drejtë dhe jo vetëm për sallën, por edhe për ne. Secili nga ne edhe pse ka një pozicion të caktuar në pushtet apo politikë është dhe familjar njëkohësisht dhe natyrisht nuk është i pandjeshëm shqetësimi.

Duhet të kuptojmë dhe të ndajmë dy gjëra. Kemi të paktën 15-16 vjet që përpiqemi të ndërtojmë ekonomi të tregut që do të thotë reduktim gjithnjë e më të madh të asaj që do të thotë sektor publik dhe një zhvillim akoma më të madh të ekonomisë së tregut.

Pjesmarrësit para fillimit të debatit
Pjesmarrësit para fillimit të debatit
Kur them reduktim të madh të sektorit publik do të thotë detyrim gjithnjë e më të paktë drejtpërdrejtë për ti punësuar njerëzit në administratën publike.

Në 1992 e kemi gjetur Shqipërinë me 285 mijë vetë të punësuar në administratën publike, e kemi lënë në 1996 me 168 mijë dhe e kemi gjetur në 2005 me 110 mijë.

Çfarë është detyrë e shtetit? Detyrë e shtetit është që në këtë kuadër të reduktimit të asaj që është publike dhe një zhvillimi më të madh të atij që është sektor privat ka disa detyrime që janë të shtetit dhe të shoqërisë në tërësi. Një klimë më e mirë për biznesin, një paketë më e mirë fiskale, një besueshmëri më e madhe në vend si për biznesin vendas dhe atë të huaj, një stabilitet politik më i madh në vend për besueshmëri për investitorët, mundësi më të madhe për investime jo vetëm buxhetore, një profilizim gjithnjë e më i madh i shkollës tonë në përputhje me nevojat e tregut.

Besoj se të gjithë këta faktorë së bashku do të përbëjnë atë shtrat i cili është një proçes dhe jo një akt i vetëm për të krijuar gjithnjë e më shumë hapësira në punësimin e të rinjve që mbarojnë arsimin e lartë dhe që kualifikohen dhe me arsim të mesëm.

Aleksandër Furxhi: Faleminderit zoti ministër. Ideja e hapjes së universiteteve, e zgjerimit të mundësive për të hyrë në universitet është zbatuar dhe nga qeveritë e mëparshme. Zonja Leskaj politika që po ndiqet nga qeveria aktuale a përputhet me atë vizion që ekzistonte më parë apo keni ndonjë rezervë?

Valentina Leskaj: Nëse më lejoni unë shoh 3 mundësi përsa i përket asaj që ka të bëjë më rritjen e mundësive të punësimit. Në radhë të parë e shoh tek mundësia e një përputhjeje më të mirë të degëve të universitetit me nevojat e zhvillimit rajonal. Së dyti unë e shoh në mundësinë dhe burimet që ofron Elbasani i cili ka gjithë atë industri të vjetër që është kthyer në një ndotje për Elbasanin e cila përmes inisiativave private mund të kthehet në inkubatore biznesi, në vende që krijojnë mundësi biznesi dhe së treti unë e shoh dhe në rritjen e cilësisë së universitetit e cila i jep mundësi studentëve të Elbasanit të jenë më të integruar në tregun e punës.

Sigurisht këto janë sfida që i përkasin politikës pavarësisht se kush është në pushtet. Përsa i përket çështjes së hapjes së universitet nuk dua që të bëj rolin e opozitës për hir të së vërtetës ka një liberalizim të universitetit për këtë vit por nuk duhet të harrojmë që ky liberalizim nuk është shoqëruar me rritjen e stafeve pedagogjike, nuk është shoqëruar me rritjen e kapaciteteve në konvikte ç'ka do të thotë që këto mund të jenë në kurriz të cilësisë së studentëve.

Ne këtë vit kemi një kufizim përsa i përket sistemit part - time dhe sigurisht ky është një kufizim që i bëhet studentëve. Nuk dua të hyj në probleme të tjera si shkurtimi i kuotave dytësore që do të thotë nga një anë është shtuar dhe nga ana tjetër kemi një pakësim dhe heqja e kuotave dytësore ka ngushtuar në mënyrë të ndjeshme burimet e financimit të universiteteve i cili nuk i shërben vetëm studentëve të part - time, por të gjithëve sepse kur universiteti ka mundësi të gjenerojë të ardhura përmes kuotave dytësore me ata studentë të cilët kanë mundësi të paguajnë dhe atij që ka mundësi për të paguar nuk ka pse ti privohet e drejta për të studiuar.

Ato të ardhura që gjeneron universiteti do të sjellë mundësi në të ardhmen dhe për një liberalizim më të madh por edhe për kushte më të mira në universitet.

Aleksandër Furxhi: Qyteti i Elbasanit ka një universitet të njohur që sot ka 12 mijë studentë. Është një potencial intelektual, por edhe një potencial i një kërkese shumë të madhe për punë. Si e ndien veten pushteti lokal, si mund ta përballojë këtë fluks kaq të madh të diplomuarish?

Disa prej pjesëmarrësve që bënë pyetjet
Disa prej pjesëmarrësve që bënë pyetjet
Ardian Turku: Problemi është që të mos përsërisim njeri tjetrin dhe unë do të thoja vetëm që universiteti i Elbasanit është një pjesë goxha e rëndësishme e jetës së qytetit përtej faktit që pregatiten specialistë të disa fushave.

Pushteti lokal nuk është se ka detyrime të drejtpërdrejta përveçse krijimin e kushteve të infrastrukturës në zonat e populluara me studentë në mënyre direkte ose duke stimuluar iniciativën private, por sidoqoftë bëhet fjalë për disa mijëra studentë që gjallërojnë jetën e qytetit, atë kulturore, artistike pse jo edhe zhvillimin ekonomik në zonat ku ato banojnë, por nga ana tjetër do doja të përmendja që vërtet duke e patur afër dhe duke patur kushte më të mira nga qyteti i Elbasanit dhe rajoni përreth e kanë më të lehtë të ndjekin këtë universitet sesa të tjerët që janë më larg dhe kjo ka krijuar kontigjente që megjithëse janë diplomuar nuk gjejnë vende punë.

Unë do doja të thoja që nuk është aq liberalizimi ose pranimi i tyre sepse në fund të fundit ndikohet në ngritjen e nivelit të shoqërisë në përgjithësi, por mbetet forcimi i cilësisë.

Problemi i dytë që do të doja të prekja është që ka vend për të politika për shkollat e larta në sensin e krijimit të raporteve më të drejta midis diplomave që jepen, një rakordim më të mirë midis universiteteve në shkallë vendi.

Ervini: Student i gazetarisë, viti III. Në radhë të parë uroj panelin për këtë diskutim kaq të vlefshëm për ne si studentë. Më pëlqeu pyetja dhe normalisht një pjesë e përgjigjevë ishin shumë të vlefshme për ne. Unë personalisht mendoj që shteti kushdo qoftë qeveria aktuale, por edhe qeveritë e tjera që do të vijnë më vonë duhet të kenë politika më të qarta lidhur me punësimin e studentëve në të ardhmen sepse aktualisht nuk ka një politikë apo strategji të qartë lidhur me pjesën dërmuese të studentëve të cilët mbarojnë shkollën e lartë tek ne.

Mendoj që vetë fakti që liberalizimi i universiteteve sapo filloj duhet të ndiqet nga një tjetër politikë e qeverisë lidhur me punësimin sepse teksa flasim për liberalizim atëhere duhet të mendojmë që do dalin edhe më shumë studentë me kalimin e viteve.

Përsa i takon liberalizimit unë mendoj që është një e dhënë pozitive, por nga ana tjetër ashtu sikurse u shpreh edhe zonja Leskaj mendoj se duhen parë edhe disa probleme të tjera kur mendojmë për liberalizimin.

Rasti konkret është konvikti i universitetit Aleksandër Xhuvani. Ky është një problem që mund të preket dhe në universitetet e tjera siç është prekur edhe në Tiranë, por mendoj që në rrethe është më shumë i hasur ky problem teksa mendon që në një dhomë mund të jetojnë 6 - 8 studentë.

Kjo është një situatë shumë e prekshme për ne sidomos për ata që jetojnë në konvikte. Liberalizimin e vlerësoj pozitiv, por edhe strategjitë e politikat mendoj se duhet të jenë më të sakta dhe më të mira.

 
 
LOKALE
Auditoriumi në Elbasan
04 janar 2007 | Faqja Kryesore
Ndotja e ambjentit shqetësim i përgjithshëm
15 shkurt 2007 | Faqja Kryesore
Zgjedhjet lokale
15 shkurt 2007 | Faqja Kryesore
Ristrukturimi i kalasë
16 shkurt 2007 | Faqja Kryesore
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>