BBCAlbanian.com
 
Botuar: E premte, 15 dhjetor 2006 - 18:23 CET
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
Marrëdhëniet me shtetet fqinjë
 
Studentë duke mbushur pyetsorët
Studentë duke mbushur pyetsorët

Aleksander Furxhi: Shkodra është një qytet kufitar me Malin e Zi, a do të thotë kjo një mundësi më tepër?

Voltana Ademi: Përgjigja është po. Unë mendoj që hapja dhe lidhja me Malin e Zi ka filluar të rigjallërojë dhe qytetin tonë, tregëtinë dhe marrëdhëniet që shtrihen jo vetëm në fushën ekonomike, por edhe në fusha të kulturës, të sportit, të artit.

Këtë vit numërohen rreth 91 mijë persona që kanë ardhur e vizituar Shkodrën nga pika të ndryshme të hyrjes për në qytetin e Shkodrës. Kjo tregon që në njëfarë mënyre lehtësia është e dukshme.

Këta njerëz kanë ardhur në Shkodër, kanë vizituar qytetin, kanë patur mundësi të shpenzojnë diçka dhe efektet janë pasuar në një rritje të turizmit në këtë qytet.

Ne kemi patur kohët e fundit disa aktivitete kulturore në Shkodër që shihnin një marrëdhënie të re me qytete të Kroacisë si Dubrovnikun dhe me këtë dua të them që Mali i zi jo vetëm na ka hapur rrugën, por ne kemi shkuar më tej dhe në kuadër të një tradite të vjetër që ne kemi patur me këtë vende gjallërojmë dhe njëherë traditën.

Marrëdhënia me Malin e zi duhet të shihet dhe si një rrugë komunikimi me gjithë rajonin duke e kthyer Shkodrën siç ka qenë, një vend shumë i rëndësishëm i rajonit përsa i përket tregëtisë, zhvillimit të kulturës dhe të gjitha marrëdhëniet e tjera që shtrihen pastaj në fushën ekonomike.

Aleksander Furxhi: Jam dakort që ka shumë marrëdhënie me Malin e Zi, por nuk jam shumë i sigurtë se sa këto marrëdhënie realisht zbatohen siç janë hapja e pikave të kalimit kufitar që janë disa, por se si funksionojnë ju e dini më mirë.

Zoti Hoti si mendoni, marrëdhëniet me Malin e Zi, kjo situatë e re gjeopolitike çfarë shansesh ka?

Mahir Hoti: Unë në përgjithësi nuk do kisha qenë shumë dakort për shembull që të flasim me superlativa. Disa ndryshime po duken, por ne duhet ta shohim realisht situatën se nuk i bëjmë mirë dhe zhvillimit nëse ne themi jemi mirë dhe kemi bërë hapa përpara.

Pamje nga salla
Pamje nga salla
Ka lajme të mira, punon dhe politika në përgjithësi në Europë për bashkëpunimin rajonal, kështu që një rrugë e mirë për zhvillimin e Shkodrës është dhe hapja konkrete efektive me Malin e Zi.

Sot për sot është akoma anemikë përsa i takon efiçensës ekonomike sepse ka pengesa. Unë kam parasysh si gjeograf zonën tepër pjellore të paktën të nën Shkodrës, zona e Oblikës që ka dy prodhime në vit, nuk lejohet që fermerët e vegjël nga Oblika nga ana e Malit të kalojnë për në Ulqin me mallrat e tyre që i shesin më lirë, pra ka një stopim ose të paktën marrëveshjet nuk janë aq efikase.

Pra ekziston mundësia me lëviz lirshëm, pasaporta vetëm me një vulë të thjeshtë nuk ka pengesa, ka një frymëmarrje pra shihen disa hapa pozitivë, por për t'i dhënë tamam një zhvillim real atyre zonave është akoma herët.

Gjithashtu nuk më pëlqen që Shkodra të mbetet vetëm me karakteristikat e një qendre tranziti. Duhet të zhvillohen dhe potencialet e shumta që ka qyteti dhe rajoni dhe njëkohësisht ne duhet të mësojmë nga politikat botërore për zhvillimin rajonal sepse ka një tendencë të zhvillimit të Tiranës.

Nuk mund të kemi një Shqipëri të zhvilluar dhe progresiste në qoftë se nuk zhvillohen paralelisht edhe rajone të tjera biles duke e parë rajonin e Shkodrës edhe si një resto e vonuar për mbështetjen që ka patur nevojë ky qytet dhe rajoni.

Ilir Meta: Unë mendoj që nuk duhet ta reduktojmë shansin e madh që ka Shkodra për tu bërë qytet shumë i zhvilluar siç ka qenë shekuj më parë. Shkodra ka qenë një vend kryqëzimesh kulturash, komunikimesh edhe tregëtie.

Nuk duhet të harrojmë Bosnjën, është një potencial shumë i madh për të zhvilluar komunikimin, biznesin, tregëtinë dhe do duhet qeveria të ecë më shpejt në drejtim të lehtësimit dhe liberalizimit të vizave me Bosnjën dhe me Serbinë sepse është shumë më e thjeshtë se sa me BE-në.

Nuk duhet të harrojmë Serbinë që është një tjetër potencial i madh për zhvillimin e komunikimit, ndërsa përsa i takon çështjes së Malit të Zi mendoj që me pak investim mund të krijohet tashmë dhe një unazë turistike që do të ndihmonte shumë edhe turistët e huaj që janë në Mal të Zi për të ardhur në Velipojë apo Shkodër dhe kjo do të kërkontë dy ura, një urë të re në Bunë dhe një urë të re nga Ada e madhe tek Ada e vogël dhe një lidhje më rrugën e re të Velipojës.

Kjo do të ishte një mundësi shumë e mirë për të gjithë turistët e huaj që kanë një traditë me Malin e Zi që prej ish-Jugosllavisë për të vizituar jo vetëm plazhin tonë në Velipojë, por edhe Shkodrën për të krijuar një shans më të madh.

Aleksander Furxhi: Kjo është një ide që ju e keni patur kur keni qenë në pushtet dhe nuk e realizuat dot apo është ide e re?

Ilir Meta: Po e kam patur me kohë, por nuk mund t'i realizoja të gjitha për dy vjet.

Aleksander Furxhi: Atëherë zonja ministre e keni radhën për ti realizuar këto ide, apo nuk ju pëlqejnë?

Arenca Trashani: Absolutisht është një ide që ne e kemi patur në vëmendjen tonë domethënë qeveria shqiptare qysh në fillimet e saj. Jo shumë kohë më parë, pikërisht në këtë sallë, është shpallur i përfunduar studimi për zhvillimin territorial të qarkut Shkodër edhe Lezhë.

Profesor Mahiri tha që ka një tendencë nga autoritetet e vendeve europiane drejt rajonalizimit për të krijuar rajone të zhvilluara dhe Shkodra përbën një potencial të madh. Shkodra ka fatin të jetë një pikë kryesore lidhëse.

Jam shumë dakort me atë që thotë zoti Meta jo vetëm me Malin e Zi, por me të gjithë vendet e rajonit ashtu siç e ka patur historikisht. Siç e thashe dhe në fillim kemi një plan të zhvillimit territorial të qarkut Shkodër e Lezhë i cili është marrë parasysh në investimet e dhëna së fundi nga qeveria shqiptare i cili është i përbërë nga projekte të sakta në lidhje me zhvillimin e rajonit të Shkodrës dhe të Lezhës.

Reklamë e BBC-së jashtë kinemasë Milennium
Reklamë e BBC-së jashtë kinemasë Milennium
Në lidhje me Malin e Zi unë do të thoja që së shpejti Komisioni Europian do të shpallë gjithashtu dhe programet e ashtuquajtura programe të fqinjësisë në kuadër të ndihmës komunitare që jep jo vetëm ndihmës kombëtare, por ka dhe një komponent tjetër që është programet e fqinjësisë ku këtë vit ne shpallim programet e miqësisë Shqipëri – Mal i Zi të cilat janë programe që synojnë forcimin dhe rikthimin e lidhjeve të reja mes Shkodërs dhe Malit të Zi.

Altin Dushaj: Jam i sindikatës së pavarur të Shkodrës. Kam jetuar 6 vjet nëpër Europë. Unë e njoh rrugicë më rrugicë Londrën, Brukselin, Gjermaninë dhe doja të dija asnjë nuk diskuton këtu as në parlament as kurrkund të varfërit shqiptarë.

Asnjë lloj problemi, por njerëzit vazhdojnë me listë, nuk janë në gjendje të pagojnë dritat.

Petrit Ymeraj: Vij nga shoqëria civile. Siç e dinë të gjithë që bashkëpunimi ndërkufitar është shumë i rëndësishëm dhe është pikë e fortë drejt integrimit në BE.

Me të drejtë këtu po flitet se zona e Shkodrës ka potenciale të mëdha dhe resurse natyrore dhe njerëzore. Lidhjet me Malin e Zi nuk janë vetëm me liqenin e Shkodrës dhe lumin Buna, por një potencial shumë i madh janë dhe alpet shqiptare ku një pjesë e madhe e tyre i përkasin Shkodrës dhe unë kërkoj nga ju opinionin nëse inicativa për krijimin e parqeve kufitare, për mirë administrimin e resurseve natyrore dhe nxitjen e lëvizjes së lirë të njerëzve do të ishte një mundësi e mirë dhe do të ishin hapa konkretë që do të tregonin për një punë e cila në të ardhmen nuk do të bënte asgjë tjetër vetëm do të tregonim se ne jemi të aftë të bashkërendojmë, të menaxhojmë dhe administrojmë sa më mirë resurset rajonale.

Ideja e krijimit për parkun ballkanik të paqes mes Kosovës, Shqipërisë dhe Malit të Zi unë mendoj që është një nga modelet më të mira që ne mund të tregojmë që jemi të aftë për bashkërendim, bashkëpunim dhe për integrim në Europë.

Ruzhdi Poda: Jam banor i anës së Malit, banor i pikës kufitare Muriqan. Falenderoj profesorin që na e qau hallin dhe do t'i thosha këtyre zonjave dhe zotërinjve të pushtetit qendror dhe lokal më të përkushtuar ndaj detyrës që keni. Është bërë hyrja e Shkodrës shumë mirë, por ka tash dy vjet që janë lënë kanalet pa u bërë.

Pazari që furnizon ana e Malit Shkodrën me perime, Zdralja, është me të vërtetë siç e ka emrin. Bostani, domatja jonë, patëllxhani, kastraveci me emër në republikë kalben në kavalet në një kohë që mungon tregëtimi si këtu ashtu dhe në rajon. Ishalla ky takim na vlen për të përmirësuar punët tona.

Aleksander Furxhi: Faleminderit për komentin tuaj. Përpara se t’ja jap fjalën nënkryetares së bashkisë, Megi ju nuk jeni përfshirë në debat keni ndonjë gjë për të shtuar?

Megi Ajtyreza: Jo, unë mendoj që është pozitive, por nuk kam diçka për të shtuar.

Voltana Ademi: Unë dua të shtoj diçka që i intereson më shumë se gjithçka kësaj salle. Marrëdhëniet e univeristetit Luigj Gurakuqi me universitetet në rajon kanë një rëndësi shumë të madhe përsa i përket një aspekti tjetër të rëndësishëm të lidhjes dhe të komunikimit, të shkëmbimit të burimeve njerëzore, të eksperiencave pasi rritja e kapaciteteve çon në rritjen e njerëzve që bëjnë shtetin, qytetin dhe mund t'i çojnë përpara ato.

Unë mendoj që kjo lidhje është një forcë e madhe jo vetëm për qytetin e Shkodrës që e rrit, po rrit edhe rolin e tij në rajon nëpërmjet kësaj hapje universitare.

Nëse mund të bëj një koment shtesë që nuk ka lidhje me Malin e Zi, por me komentin e zotërisë më parë, ka një vëmendje shumë të madhe nga bashkia e Shkodrës për gjatë gjithë viteve për të zgjidhur njëherë e mirë problemet e tregjeve në Shkodër duke i dhënë mundësi jo vetëm tregtarëve të punojnë, por edhe qytetarëve që të shfrytëzojnë të mirat dhe burimet e veta duke ju ofruar një shërbim sipas standartit.

Në kuadër të kësaj, pikërisht në Zdrale ne kemi investuar në bashkëpunim me një organizatë shumë të famshme në qytetin e Shkodrës që ndihmon dhe fermerët. Në këtë bashkëpunim dypalësh ne do të organizojmë një treg që do të ofrojë mundësi më të mira tregëtimi.

 
 
LOKALE
Auditoriumi në Shkodër
13 dhjetor 2006 | Faqja Kryesore
Potencialet natyrore dhe njerëzore
13 dhjetor 2006 | Faqja Kryesore
Zhvillimi i zgjedhjeve
15 dhjetor 2006 | Faqja Kryesore
Gratë dhe politika shqiptare
15 dhjetor 2006 | Faqja Kryesore
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>