BBCAlbanian.com
 
Botuar: E mërkurë, 06 dhjetor 2006 - 05:50 CET
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
Dita e Shkollës në valët e BBC-së
 
Nxënës shqiptarë
BBC në Shqip dhe Serbisht lidhi dy shkolla në Mitrovicë
Dita e Shkollës në BBC, të mërkurën në 6 dhjetor, ofron një mundësi të gjithë nxënësve të shkollave që në rrethana të zakonshme nuk kanë mundësi komunikimi me njëri-tjetrin, të lidhen për të diskutuar në valët e saj.

Ideja e Ditës së Shkollës është që t'u ofrojë një mundësi për të komunikuar fëmijëve të ndarë nga konfliktet apo tensionet.

BBC në Shqip dhe Serbisht lidhi përmes telefonit nxënës shqiptarë të shkollës së mesme "Frang Bardhi" në jug dhe nxënës të gjimnazit serb në veri.

Ky ishte komunikimi i parë mes nxënësve që nga viti 1999, kur qyteti u nda etnikisht në dy pjesë-veriun e dominuar nga serbët dhe jugun nga shqiptarët.

Të ulur në zyrat e drejtorëve të shkollave të tyre përpara mikrofonit të BBC-së, nxënësit folën për jetën e tyre në qytetin e ndarë, për shkollën, muzikën e argëtimin dhe gjetën se kanë shumë të gjëra të përbashkëta.

Ata i shmangën bisedat me temat politike, por ndarja fizike që ekziston mes tyre, reflektohej dhe në bisedën që ata zhvilluan në largësi, edhe pse dy shkollat ndodhen vetëm pak km larg nga njëra-tjetra.

Nxënësit e dy palëve shprehën dëshirën që komunikimi i nisur, duhet të vazhdojë.

Ideja

Ideja për Ditën e Shkollës lindi pas një projekti të transmetuar në BBC News 24. Për të përkujtuar 30 vjetorin e kryengritjes së Sovetos në qershor të 2006-ës, kanali televiziv lidhi një shkollë në veri të Anglisë me një shkollë në Soveto.

Projekti ishte shumë i suksesshëm. Fëmijët u argëtuan. Lidhja po ashtu duket se tregoi një të ardhme drejt një bote ku të gjithë komunikojnë hapur: duke gjetur gjërat e përbashkëta dhe jo ato që zakonisht i ndajnë njerëzit.

Ideja e projektit u mor nga Shërbimi Botëror i BBC-së për t'u zbatuar në disa nga zonat më të trazuara të botës.

Nxënës nga Moska dhe Çeçenia do të kenë mundësinë të diskutojnë qëndrimet e tyre të ndryshme ndaj konfliktit në Çeçeni.

Po ashtu, do të lidhen fëmijë izraelitë dhe palestinezë, indianë dhe pakistanezë, amerikanë dhe iranianë, shqiptarë dhe serbë.

Çështje të tjera

Por me projektin nuk do të lidhen vetëm fëmijë në zonat e konflikteve.

Disa nga çështjet e tjera që do të diskutohen janë ato ekonomike, emigracioni, besimi fetar etj.

Fëmijët në Nigeri, psh. do të flasin me fëmijë në Britaninë e Madhe.

Fëmijë amerikanë dhe meksikanë do të flasin për emigracionin. Fëmijë të besimeve të ndryshme fetare në Indonezi do të flasin për mësimin e fesë në vendin e tyre.

Gazetarët e BBC-së që punojnë me projektin do të sigurohen që diskutimet mes fëmijëve të nxiten prej vetë atyre. Fëmijët do të bëjnë ato pyetje për të cilat kërkojnë përgjigje.

Dita e Shkollës kërkon që të ndërtojë ura komunikimi mes fëmijëve, mes atyre që janë pjesë e Brezit të Ardhshëm, brezit që do të drejtojë botën në të ardhmen.

 
 
LOKALE
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>