BBCAlbanian.com
 
Botuar: E shtunë, 02 dhjetor 2006 - 15:02 CET
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
Dita e shkollës në Mitrovicë
 
Me projektin Dita e Shkollës, një grup nxënësish të shkollës së mesme Frang Bardhi, në jug të qytetit zhvilluan një bisedë me një grup nxënësish serbë të shkollës së mesme në veri.
Me projektin Dita e Shkollës, një grup nxënësish të shkollës së mesme Frang Bardhi, në jug të qytetit zhvilluan një bisedë me një grup nxënësish serbë të shkollës së mesme në veri.

Studentë nga dy pjesët e qytetit të ndarë etnikisht të Mitrovicës në Kosovë - një shkollë e mesme serbe në veri të qytetit dhe nga shkolla e mesme e përgjithshme shqiptare në jug - u lidhën përmes telefonit për të mësuar për jetët e njëri-tjetrit në qytetin e ndarë.

Shkolla e parë e mesme në qytetin e Mitrovicës u hap në vitin 1919 si shkollë për vajza. Pak kohë më pas, në të pranuan dhe djem, por mësimi mbahej në klasa të ndara.

Në atë kohë, 90 përqind e nxënësve ishin serbë apo malazezë dhe mësimi mbahej vetëm në gjuhën serbe.

Nxënësit serbë që morën pjesë në projekt
Nxënësit serbë që morën pjesë në projekt
Pas luftës së dytë Botërore, në vitin 1951, për herë të parë u hapën klasa në gjuhën shqipe dhe që nga ajo kohë, numri i nxënësve shqiptarë erdhi në rritje deri në vitet '80, kur ata përbënin shumicën e nxënësve të shkollës.

Gjatë gjithë kësaj kohe, klasat ishin të ndara sipas gjuhëve, por programi mësimor ishte i njëjtë.

Mësimi i gjuhës shqipe dhe asaj serbe ishte i detyrueshëm.

Por shumëçka ndryshoi në vitin 1990 kur Beogradi ndryshoi kushtetutën e Serbisë dhe zvogëloi autonominë e Kosovës.

Shqiptarët në atë kohë braktisën të gjitha institucionet shtetërore. Dhe nxënësit e shkollës së mesme braktisën objektin dhe vazhduan mësimin në shtëpi private.

Në këtë kohë, nxënësit serbë vazhduan të ndiqnin mësimet në objektin e shkollës, e cila ndodhet në pjesën jugore të qytetit.

Pas ndërhyrjes së NATO-s, mes marsit dhe qershorit të vitit 1999, qyteti u nda. Lumi Ibër u bë 'kufiri'. Shumica shqiptare jeton në jug dhe serbët në veri.

Nxënësit shqiptarë, pjesmarrës në projekt
Nxënësit serbë që morën pjesë në projekt
Me dislokimin e trupave paqëruajtëse në Kosovë në qershor 1999 ndërtesa e shkollës shërbeu si bazë e ushtarëve paqëruajtës francezë.

Pas disa muajsh, ajo filloi të përdorej nga nxënësit shqiptarë.

Shkolla mori emrin 'Frang Bardhi' dhe ka aktualisht 2000 nxënës.

Nxënësit serbë zhvillojnë mësimin në Kosovska Mitrovica Gimnazija në pjesën veriore të qytetit. Shkolla serbe ka rreth 200 nxënës.

 
 
LOKALE
Brezi i Ardhshëm vjen në BBC
02 dhjetor 2006 | Faqja Kryesore
Dita e Shkollës që pothuaj nuk ndodhi
02 dhjetor 2006 | Faqja Kryesore
Çfarë thanë nxënësit në Ditën e Shkollës
02 dhjetor 2006 | Faqja Kryesore
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>