http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E premte, 13 tetor 2006 - 13:28 CET

Intervistë me ministrin e Energjetikës

Ministri i Energjisë dhe Minierave, Et’hem Çeku, i tha BBC-së se Kosova me projektin për ndërtimin e një Termocentrali të ri do të bëhet partner i fuqishëm në Evropë.

Ai ka thënë se Kosova ka potenciale të mëdha që të bëhet një fuqi ekonomike dhe politke në rajon.

Ministri Çeku u shpreh kështu në përmbyllje të një konference dyditore ndërkombëtare për investitorët në sektorin e energjisë elektrike, ku morën pjesë një numër kompanish vendase dhe të huaja.

Me ministrin bisedoi Arbër Vllahiu dhe fillimisht i kërkoi një vlerësim se çfarë ishte synimi i Konferencës dhe çfarë u arrit me të…

Çeku: Ne në radhë të parë kemi dashur që t’i informojmë për potencialin ekonomik që e ka Kosova në fushën e energjisë elektrike, në fushën e gjenerimit të energjisë elektrike, siç është linjiti dhe gjithashtu edhe për mundësitë e investimeve të tyre në fushën e energjisë elektrike.
Ne i informuam ata se janë kryer parapërgatitjet, se janë kryer edhe studimet, se e kemi bërë shpalljen e Shprehjes së Interesit dhe kemi informuar për vendin ku duhet të ndërtohen Termocentralet e reja si dhe është 31 Tetori kur duhet të përmbyllet faza e parë e parakualifikimeve që kanë të bëjnë me ndërtimin e Termocentralit prej 2100 Megawatëve, hapjen e minierës së re të Sibovcit dhe rehabilitimin e blloqeve të Termocentralit Kosova A.
Kjo pra ishte një pako e informacioneve që ne iu ofruam investitorëve të mundshëm në sektorin e energjisë elektrike në Kosovë.

BBC: Zoti ministër, a është shprehur ndonjë interesim i investitorëve për të investuar në Kosovë dhe posaçërisht në fushën e energjisë elektrike?

Çeku: Ju jeni të informuar se në gjithë rajonin e Evropës Juglindore ka mungesa të mëdha të energjisë elektrike. Përafërsisht mungojnë rreth 14 mijë Megawat energji elektrike.
Kosova tani paraqitet si një nga vendet më të fuqishme në gjenerimin e energjisë elektrike si dhe një nga vendet me stabilitet të mirë në infrastrukturën ligjore dhe në atë fiskale që e bën që të tërheqë shumë investitorë për t’u inkuadruar në sektorin energjetik në Kosovë.
Ne kishim mbi 20 kompani, nga të cilat një numër syresh me renome botërore që përbëjnë forcën e energjisë elektrike në gjithë botën.
Ishte, pra, kjo një konferencë e para në Kosovë që ofroi të gjitha bankat dhe kompanitë më të fuqishme botërore në sektorin e energjisë elektrike.

BBC: Projekti juaj kryesisht mbështet në rezervat e linjitit dhe ju thoni se Kosova është e pasur me linjit. A ka ndonjë rrezik që këto rezerva të dëmtohen pa ndonjë përfitim që mund të ketë Kosova?

Çeku: Përfitimet janë mjaft të mëdha. Ju e dini se çmimet e energjisë elektrike kanë arritur kulmin e tyre. Tani çmimet kalojnë edhe 70-80 Euro Megawat orë, kurse në disa vende edhe 100 Euro.
Ne gjatë kohës së krizave të mëdha si Kosovë e kemi blerë edhe 75 Euro Megawatin, prandaj tregu është shumë i fuqishëm.
Kosova ka potencial dhe ne jemi të përgatitur që Kosovës t’ia ofrojmë një paketë të fuqishme financiare. Bruto qarkullimi për Kosovën do të jetë afërsisht 600 milionë Euro në vit, të hyra të drejtpërdrejta në Buxhetin e Konsoliduar të Kosovës do të jenë mbi 150 milionë Euro dhe për herë të parë biznesi vendor do të jetë i barabartë edhe me biznesin e vendeve të rajonit. Dhe kjo për faktin se nuk do të kenë shpenzime të mëdha siç kanë tani për shkak të energjisë elektrike.
Prandaj ne mendojmë se me këtë projekt, Kosovën do ta rikthejmë në një vend të zhvilluar ku buxheti i Kosovës do të rritet, ku do të hapen vende të reja të punës dhe ku do të zvogëlohen në minimum çështjet sociale. Por ne jemi përkujdesur edhe për elementin mjedisor dhe për elemente të tjera. Mendoj se në 4 apo 5 vjetët e ardhshme, ky projekt i Kosovës do sjell një begati dhe të hyra të mëdha buxhetore. Edhe sektori privat do të jetë mjaft përfitues, sepse fitimi është relativisht i mirë edhe për investitorët të cilët i bën konkurrues edhe ata vetë.

BBC: Kur flisni për projektin tuaj, ai është një prej projekteve më madhor në Kosovën e pasluftës. A mund ta bëj ai Kosovën një lloj partneri të barabartë në rajon?

Çeku: Me të drejtë e theksuat se ky projekt definitivisht Kosovën do ta vendos në brendinë e vendeve të zhvilluara dhe të vetë BE-së. Ai do ta bëjë Kosovën një vend që vendet e tjera të rajonit do ta kenë lakmi për zhvillimin në fushën e energjisë elektrike. Ne tani jemi partnerë të barabartë të BE-së në fushën e energjisë elektrike. Me të drejtë mund të themi se ky projekt do ta ofrojë dhe vendos Kosovën në epiqendër të fuqishëm ekonomik dhe politik në strukturën evropiane.

BBC: Ne po flasim për një projekt që do të fillojë së funksionuari brenda disa vjetësh. Por Kosova aktualisht ka probleme të mëdha me energjinë elektrike. Atëherë, si do t’ua sqaroni qytetarëve se duhet të presin disa vjet deri sa të mos stabilizohet gjendja?

Çeku: Ne kemi edhe një politikë afatshkurtër për stabilizimin e gjendjes me energji elektrike. Jemi duke shikuar mundësitë e riprogramimit të politikave tona në drejtim të KEK-ut që për periudhën e viteve 2007-2008 të kemi një stabilizim me energji elektrike.
Unë besoj se këto politika janë në drejtim të mirë që të hyjmë në zgjidhjen e problemeve jo vetëm në periudha afatgjata por edhe afatshkurtëra.
Në këtë drejtim po bëjmë çmos që të ngrisin nivelin e inkasimit të borxheve, që të kemi stabilizim të gjendjes brenda KEK-ut, që të kemi një menaxhment shumë më të suksesshëm dhe që për një kohë të shkurtër qyetarit tonë t’i ofrojmë shërbime më të mira në fushën e energjisë elektrike.