BBCAlbanian.com
 
Botuar: E mërkurë, 06 shtator 2006 - 10:52 CET
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
Qëndrime të ndryshme për qeverisjen
 
Harta e Kosoves
Në shtatë vjetët e kaluara Kosova ka ndërruar katër qeveri, që janë përballur me një numër sfidash dhe obligimesh.

Por qeverisja në Kosovë, që nga krijimi i qeverisë së parë të koalicionit të gjërë partiak, nga shqiptarët është parë si jo shumë efikase.

Pakica serbe vlerëson se qeverisja në Kosovë nuk ka arritur të adresojë drejt shqetësimet e saj dhe t’i bindë ata të bëhen pjesë e institucioneve kosovare.

Ndërkohë pakicat e tjera thonë se kujdesi më i madh po i kushtohet pakicës serbe.

Qeverisja pas luftës

E para qeveri e Kosovës pas luftës, e dalë nga zgjedhjet e përgjithshme në tetor të vitit 2001, ishte ajo e një koalicioni të tri partive kryesore shqiptare, Lidhjes Demokratike, Partisë Demokratike dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Pas saj do të radhiten njëra pas tjetrës edhe tri qeveri të tjera, e Haradinajt, e Kosumit dhe e fundit ajo që aktualisht qeveris Kosovën, e Agim Çekut.

Tri të fundit ndërkaq do të dalin pas një marrëveshjeje politike ndërmjet dy partive politike, Lidhjes Demokratike dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, duke e krijuar për herë të parë një pluralizëm politik, me opozitë dhe pozitë.

Koordinatori për standardet në qeverinë e Kosovës, Avni Arifi, thotë se kjo periudhë e ndërrimeve qeveritare karakterizohet me ndërtimin e institucioneve demokratike, një prej standardeve kryesore që bashkësia ndërkombëtare i ka vënë Kosovës.

"I tërë ky proces është manifestuar me zhvillime të ndryshme të cilat e kanë promovuar apo e kanë ngadalësuar procesin,"- tha zoti Arifi.

"Sa u përket ngjarjeve më të rëndësishme politike, besoj se fillimi i procesit të definimit të statusit politik të Kosovës është një nga ngjarjet kryesore,"- thotë Arifi.

Mirëpo, në fakt, qeverisja në Kosovë ka patur fillimisht pak mundësi të zhvillohet, deri në hartimin e standardeve dhe bartjen e më shumë përgjegjësive tek ajo nga faktori ndërkombëtar.

Përderisa qeveria ka udhëhequr zyrtarisht në Kosovë, administrata ndërkombëtare ka qenë ajo që ka mbajtur më shumë përgjegjësi për veten, sipas Rezolutës 1244 të KS të OKB-së.

Bartja e përgjegjësive tek vendorët ka filluar këtu e dy vjet më parë, filimisht më pak duke arritur deri në fushën e sigurisë dhe të drejtësisë.

Një zyrtar i lartë i OKB-së në Kosovë, Neeraj Singh, ndërkaq thotë se gjatë viteve të kaluara kur janë bartur më shumë përgjegjësi në duart e institicuoneve kosovare, ato kanë patur gjithnjë e më shumë mundësi të bëjnë më shumë për vetë qytetarët e Kosovës.

"Ka patur disa ndryshime në qeveri gjatë dy viteve të kaluara dhe ato janë bërë në mënyrë shumë paqesore dhe përmes procedurave demokratike," tha zoti Singh.

"Nga njëra anë kredencialet demokratike të këtyre institucioneve po bëhen më të fuqishme dhe nga ana tjetër kapacitetet e tyre për t’u marrë me kërkesat për shërbime publike janë rritur gjithnjë e më shumë.

"Por duhet marrë parasysh edhe pengesat me të cilat janë përballur ato dhe në veçanti me pamundësinë e zgjidhjes së statusit deri tani,"- thotë Singh.

Mirëpo, qytetarët e Kosovës, të vetëdijshëm me mundësitë e qeverive kosovare, kanë shfaqur rezervat e tyre me të arriturat e deritashme.

Shqiptarët thonë se ka patur mundësi më shumë për t’u bërë dhe numërojnë problemet të cilat qeveritë e Kosovës nuk kanë arritur t’i zgjidhin.

Qeverisja në Kosovë, megjithatë do të pësojë ndryshime pas tre vjet të mandatit të parë të qeverisë së koalicionit të gjërë.

Në vitin 2004, pas zgjedhjeve të përgjithshme, ajo do të shndërrohet në një koalicion dy partiakësh e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, i cili do të arrijë që në tre muajt e qeverisjes së tij të ndryshojë raportin për shkallën e përmbushjes së standardeve duke i dhënë një shtysë të re procesit politik që po zhvillohej atëbotë.

"Në dhjetor të vitit 2004 nga shumëkush nga bashkësia ndërkombëtare dhe qarqe të tjera që kanë qenë në një apo në mënyrë tjetër në Kosovë, ose të përfshira në proceset politike në Kosovë, standardet kanë qenë një projekt në vdekje e sipër,"- tha zoti Arifi.

Kështu të paktën është cilësuar nga faktori ndërkombëtar – se ky projekt duket se do të dështojë dhe se institucionet e Kosovës do të dështojnë në zbatimin e standardeve.

Por, ka qenë qeveria Haradinaj, ose ato 100 ditët e qeverisjes efektive që nga një projekt gjysëm i vdekur ka arritur ta ringjallë dhe ta shndërrojë në përparësi të qeverisë.

Por, Haradinaj, do të largohet nga pushteti pas marrjes së një padie nga Gjykata e Hagës për krime lufte dhe do ta dorëzojë pushtetin, siç është vlerësuar atëbotë, në mënyrë të qetë.

Kosova do të përballet me rrezikun e trazirave per shkak të figurës së vet zotit Haradinaj, megjithëse ai do të bëj thirrje për qetësi:

"Mendoj se për lirinë s’ka çmim dhe asnjëherë s’është shumë. Do të vazhdojmë të jemi në rrugën e lirisë dhe të shtetit," ha zoti Haradinaj.

"Mendoj se thjeshtë ky është edhe një obligim i imi, ka thënë Haradinaj në ditën kur dha dorëheqje nga posti i kryeminstrit për t’u vetëdorëzuar në Hagë,"- tha ai.

Haradinajn në pushtet do ta zëvendësojë kolegu partiak, Bajram Kosumi, që së bashku me qeverinë e Kosovës do të arrijë të ndihmojë në hapjen e biseidmeve ndërmjet Prishitnës dhe Beogradit për statusin.

Kosumi do të kalojë nëpër vështirësitë e tij për shkak të akuzave nga opozita e cila do ta kritikojë atë për qeverisje të dobët.

Korrupsioni, problemet me qeverisjen në Kosovë, keqmenaxhimi do të jetë akuzat e përhershme të opozitës kosovare ndaj secilës qeveri të koalicionit dy partiak.

Analisti kosovar, Nexhmedin Spahiu thotë se megjithatë secila qeveri dallon nga periudha se kush ka qenë në krye të saj dhe nuk mund të përgjithësohen përgjegjësitë.

"Ka patur një dallim të madh nga ministria në ministri dhe është varur shumë nga natyra dhe karakteri i personave që janë emëruar në pozitat përgjegjëse se sa nga institucioni i shtetit", ka thënë Spahiu.

Qytetarët kosovarë ndërkaq thonë se qeveritë e Kosovës që nga ajo e Bajram Rexhepit e deri te Agim Ceku, i gjasojnë njëra-tjetrës, por megjithatë secili sipas tyre e ka veçuar ndonjërën mbi bazën e punës së deritashme.

Përfaqësuesit e pakicave ndërkohë thonë se pak është bërë për të përmirësuar jetën e tyre.

Një serb nga veriu i Mitrovicës i tha BBC-së, përmes telefonit se vetëm dy qeveri të Kosovës, ajo e Bajram Rexhepit dhe në veçanti ajo e Ramush Haradinajt, kanë arritur të bëjnë diçka për pakicën serbe.

Posaçërisht thotë ai, ky i fundit ka arritur që të ofrojë pakicën serbe dhe ta institucionalizojë gjuhën serbe në Kosovë.

"Shikuar në përgjithësi serbët kanë një rezervë ndaj qeverisë në Prishtinë meqë nuk e shohin si të tyren dhe qeverinë në Beograd e cilësojnë të jetë ajo që i udhëheqë.

Dhe derisa të vazhdojë ky qëndrim serbët nuk do të jenë të kënaqur me asnjë qeveri në Kosovë.

Të them të drejtën me Bajram Rexhepin ka patur mundësi të bisedohet, kurse zoti Haradinaj ka bërë më së shumti për pakicën serbe deri tash, thotë një pjesëtar i pakicës serbe nga veriu i Kosovës" tha qytetari serb.

Pakicat e tjera ndërkaq thonë se më shumë hapësirë po i jepet pakicës serbe duke anashkaluar të gjitha pakicat e tjera e të cilat janë në një numër të mëdh. Duke folur për BBC-në një qytetar turk tha:

"Qeverisja në Kosovë ka qenë e mirë edhe pse është dashur të bëhet edhe më shumë e në veçanti për komunitetet pakicë e posaçërisht për ne turqit, romët, boshnjakët.

Kjo për faktin se një vëmendje shumë fish më e madhe po i kushtohet komunitetit pakicë serb dhe ne po lihemi pas dore.

Nuk jemi ne në lëkurën e tyre dhe e kemi vështirë të flasim. Duhet luftuar paligjshmërinë e cila është evidente në institucionet e Kosovës", thotë qytetari turk në Prizren.

Por secila qeveri në Kosovë, që nga viti 2002 kur u krijua e para dhe deri në mars të këtij viti kur u ndërrua e katërta qeveri, ka premtuar përkujdesje të fuqishme për pakicat, duke mos harruar të thotë se ato duhet të jetojnë, së bashku me shumicën në një vend demokratik e të pavarur.

Kryeministri aktual, Agim Ceku, duke paraqitur programin qeveritar në Kuvendin e Kosovës thotë:

"Qeveria e Kosovës do të kultivojë klimën e mirëbesimit dhe të bashkëpunimit të ndërsjellë, me qëllimin më të mirë që Kosova të jetë shtëpi e të gjithë qytetarëve të saj".

Dhe në fakt cila qeveri do të duhej të ishte qeveri e qytetarëve të Kosovës?

Analisti kosovar, Nexhmedin Spahiu thotë:

"Unë nuk mund të parashikojë se cila me radhë do të jetë ajo qeveri që do të arrijë në stadin që do të jetë më afër qytetarit apo do të thosha qeveri e cila do të quhej qeveri e vizionit, qeveri që do të ndërtojë autostrada".

Sidoqoftë, problemet me statusin e Kosovës dhe ato ekonomike, e kanë përcaktuar në një masë të madhe edhe qeverisjen në Kosovë.

Qytetarët megjithatë druajnë se problemet më të mëdha pas statusit do të mund të jenë qeverisja dhe keqmenaxhimi, ndërkohë që analistët vlerësojnë se Kosova e pas statusit duhet të funksionalizojë institucionet e saj.

 
 
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>