http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E hënë, 21 gusht 2006 - 15:50 CET

Këshilltari i Berishës sqaron iniciativën

Në Shqipëri vazhdojnë debatet rreth nismës më të fundit të qeverisë shqiptare nën sloganin "Shqiperia 1 euro".

Korrespondenti i BBC-së në Tiranë, Fatos Ahmati, intervistoi zotin Selami Xhepa, këshilltar i kryeministrit Sali Berisha dhe fillimisht i kërkoi më shumë sqarime për këtë iniciativë:

Xhepa: Nisma më e fundit e kryeministrit ne sloganin 1 Euro mendoj se përfaqëson një lëvizje të rëndësishme në zbatim të programit të qeverisë në fokus të të cilit qëndron përmirësimi i klimës së biznesit dhe shndërrimi i Shqipërisë në një vend atraktiv për investitorët mendoj që ka një numër të rëndësishëm të shërbimeve qeveritare duke filluar që nga asetet të cilat kanë qenë të papërdorura dhe që mund të ofrohen përsëri si toka, terrene, ndërtesa, magazina shtetërore që nuk janë futur në qarkullimin ekonomik kundrejt një qeraje simbolike ato do t'u ofrohen investitorëve të interesuar për të realizuar aktivitet prodhues dhe në veçanti kjo do të ndihmonte shumë në thithjen e investimeve të huja, në rritjen e aktivitetit prodhues, në zgjerimin e vendeve të punës dhe në veçanti në rritjen e eksporteve.

BBC: Në kushtet e ekonomisë së tregut ku gjithçka zhvillohet mbi bazën e parimit kërkesë - ofertë, përse keni zgjedhur një rrugë të tillë?

Xhepa: Unë mendoj se çdo vend që synon të nxisë më shumë zhvillimin ekonomik të vendit, të rrisë ritmet e rritjes së ekonomisë, ta fusë vendin e vet në shinat e një zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm mendoj që zhvillojnë politika aktive të nxitjes së investimeve.

Politika të tilla zhvillohen si nga vende të zhvilluara dhe nga vendet në zhvillim, në veçanti nga vendet në tranzicion dhe nga vendet e tjera në zhvillim.

Nuk mendoj se kjo është diçka e re krejtësisht shqiptare, mendojmë se ne po zbatojmë edhe eksperienca të vendeve të tjera të cilat kanë qenë të suksesshme në tërheqjen e investime të huaja.

BBC: Zoti Xhepa në shpjegimet që ju dhatë, thatë se synohet për të investuar në ato toka ose asete që nuk janë përdorur prej vitesh, por mos ndoshta duke aplikuar tarifat 1 euro ato mund të jenë shumë më të lira apo ndoshta dhe shumë më të shtrenjta. Si do të veprohet?

Xhepa: Natyrisht kjo është një lehtësi që u ofrohet investitorëve dhe janë vetë ata që kanë të drejtën e zgjedhjes nëse e dëshirojnë apo jo.

Ne natyrisht synojmë që të vemë në efiçensë ekonomike asetet e papërdorura dhe mospërdorimi i tyre mund të ketë qenë rrjedhojë e një sërë shkaqesh dhe arsyesh, por fakti që shteti në këtë rast merr përsipër garanci të plota përsa i përket pronësisë dhe në këtë mënyrë mendoj që ne adresojmë një shqetësim të rëndësishëm të investitorëve që lidhet me problemet e pronësisë mbi objektet të cilat ata dëshirojnë të zhvillojnë aktivitet ekonomik dhe në këtë rast ne kapërcejmë një shqetësim themelor që lidhet me proçesin e realizimit të investimeve.

BBC: Shteti shqiptar vazhdimisht është ankuar se është i varfër. Ku do t'i gjejë ai këto prona për të realizuar këtë nismë? Ai ende nuk i ka kthyer pronat ish-pronarëve, nuk i ka kthyer detyrimet ish të përndjekurve politikë apo dhe detyrime të tjera që i ka qytetarëve shqiptarë?

Xhepa: Natyrisht këtu nuk bëhet fjalë që vëllimi i sipërfaqeve që do të përfshiheshin në një nisëm të tillë të përbëjë një shqetësim dhe sensibilitet kaq të rëndësishëm publik.

Siç dihet madhësia e parqeve industriale janë gjithmonë sipërfaqe të kufizuara dhe për rrjedhojë dimensioni i problemit është mjaft modest në raport me kërkesat për të realizuar aspektet e tjera të programit ekonomik duke filluar që nga kompensimi i pronave.

Sipas inventareve që disponojmë sot, në Shqipëri janë më shumë se 125 mijë hektarë tokë e vënë në dispozicion për proçesin e shpërndarjes tek fermerët, por që për shkak të varfërisë së tyre nuk janë përdorur dhe janë refuzuar dhe dihet që gjatë gjithë kësaj periudhe megjithëse Shqipëria është një vend i varfër, përsëri sipërfaqe të tëra toke kanë mbetur të papërdorura.

Raporti i problemit për të cilën ne flasim pra, sikur Shqipëria të fusë në zonat industriale në përdorim rreth 1000 hektarë tokë, nuk mendoj se kjo do të përbënte një problem kaq të debatueshëm kur bëhet fjalë për sipërfaqe që deri tani nuk janë përdorur.

BBC: Mendoni se 1000 ha tokë do të mjaftojë për ta nxjerrë Shqipërinë nga kjo situatë?

Xhepa: Një ndër shqetësimet thelbësore që lidhet me tërheqjen e investimeve të huaja siç janë çështjet e sigurisë mbi pronësinë mbi tokën, mendoj që marrin një adresim të duhur dhe natyrisht që parqet industriale nuk zhvillohen në gjithë sipërfaqet e një vendi.

Ato janë sipërfaqe të kufizuara toke, por që përqëndrojnë në mënyrë intensive realizimin e programit të investimeve.

BBC: Një nga plagët e shoqërisë shqiptare ka qenë dhe vazhdon të jetë korrupsionin në nivele të larta. Në kuadrin e kësaj nisme si do ta mënjanoni këtë problem? Nëse ju ofroni qera simbolike me qera 1 euro, gjithkush do të ishte i interesuar. Si do t'i bëjë ballë një presioni të tillë, një zyrtar shqiptar?

Xhepa: Parimi i këtij shërbimi është: "i pari i ardhur, i pari i shërbyer". Ne besojmë që proçesi i përfitimit të kësaj lehtësie është automatik dhe nuk varet nga asnjë zyrtar për të gjykuar për të drejtën e dhënies apo mosdhënies të kësaj lloj lehtësie.

Vetë mënyra se si do funkionojë ky sistem, eleminon tërësisht shfaqjen e fenomeneve të korrupsionit. Proçedurat e dhënies janë tërësisht transparente e të hapura për të gjithë.

Ne e vetmja gjë që urojmë është që të kemi një bum të madh kërkesash për të investuar në këto terrene. Këtu nuk bëhet fjalë për të marrë sipërfaqe toke falas në pronësi, por për të marrë në përdorim ekonomik këtë lloj aseti dhe mbi të merret përsipër risku komercial nga vetë investitorët.

BBC: Ju thatë që do të fitojnë ata që do të vijnë të parët, ndërkohë që pak më parë thatë që bizneseve që do të pranohen, do u kërkohet të kenë karakter prodhues dhe të punësojnë sa më shumë njerëz. Pra do të ketë kushte?

Xhepa: Do të këtë padiskutim kritere mbi të cilat gjykohet dhe që lidhen thjesht me natyrën e aktivitetit ekonomik, pra nuk mund të vijë dikush dhe të kërkojë një sipërfaqe tokë për të ndërtuar një magazinë tregtare.

Pra, kriteret lidhen me natyrën e aktivitetit dhe e drejta e përfitimit të kësaj lloj lehtësie është automatike në varësi të natyrës së biznesit që do të ushtrohet.

BBC: Kur mendoni se do të shihen rezultatet e para të kësaj nisme?

Xhepa: Institucionet janë duke punuar tashmë për të sjellë aktet e nevojshme ligjore që bëjnë të mundur realizimin e një nisme të tillë.