http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E mërkurë, 16 gusht 2006 - 17:56 CET

Bashkimi Evropian kërkon forcimin e sigurisë

Ministri i brendshëm britanik, John Reid, deklaroi se Bashkimi Evropian do të shohë marrjen e disa masave të reja për të përmirësuar sigurinë e udhëtarëve.

Këto masa janë bërë më urgjente pas zbulimit të një tentative për të hedhur në erë me disa kimikate të lëngshme disa avionë pasagjerësh që fluturonin nga Britania për në Shtetet e Bashkuara.

Zoti Reid deklaroi në një konferencë shtypi pas takimit me homologët e tij të Bashkimit Evropian të mërkurën në Londër se ministrat kishin diskutuar për shtimin e punës kërkimore për pajisjet që zbulojnë gjurmë të lëndëve shpërthyese, përfshirë edhe substancat e lëngëta.

Ai tha se përfaqësuesit e shërbimeve të fshehta do të takohen nga fundi i muajit për të shkëmbyer informacion.

" Nuk duhet të kemi një situatë të tillë ku terroristët e shohin se e kanë të vështirë të çajnë kontrollin e sigurisë në Londër por shohin se mund të kenë mundësi në Frankfurt, Berlin, Paris apo gjetkë. Duhet të koordinojmë reagimin tonë ndaj kërcënimit terrorist jo vetëm në aeroporte por edhe në fusha të tjera", tha zoti Reid.

Ministri i brendshëm britanik tha se këto masa do të sillnin vështirësi në lëvizjen e njerëzve, por kryesore ishte siguria e pasagjerëve.

"Nuk është e mundur që të luftosh terrorizmin pa prekur rrjedhën normale të jetës. Është për të ardhur keq që dikujt i humbet bagazhi, por është shumë më keq kur dikush humbet jetën. Është e tmerrshme kur dikush vonohet në aeroport por vonesa është më e pranueshme se vdekja", tha zoti Reid.

Komisioneri evropian i Drejtësisë, Franko Fratini tha se Bashkimi Evropian do të shihte mundësinë e marrjes së masave për të përmirësuar shkëmbimin e të dhënave për pasagjerët dhe ndoshta për krijimin e ekipeve të ekspertëve në luftën kundër terrorizmit.