http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E enjte, 10 gusht 2006 - 17:38 CET

Niveli i sigurisë në shkallën më të lartë

Autoritetet britanike thonë se ata kanë shmangur një komplot për të hedhur në erë një numër avionesh që fluturonin nga Britania për në SHBA duke përdorur eksplozivë të futur në bagazh dore.

Ministri i brendshëm britanik, John Reid, tha se komploti rrezikonte të shkakonte humbje në jetë njerëzore në një shkalle të paparë.

Mund të dëgjoni intervistën në audio

Arben Manaj bisedoi me korrespondentin e BBC për çështjet e sigurisë Rob Watson dhe e pyeti nëse ajo që ndodhi nuk përbën surprizë apo jo për autoritetet britanike dhe publikun?

Rob Watson: Nuk është surprizë aspak, në sensin se autoritetet britanike kanë paralajmëruar prej shumë kohësh se presin komplote nga ekstremistët islamikë kundër Britanisë së Madhe dhe presin që ky kërcënim të vazhdojë për një kohë të gjatë.

Arben Manaj: Cinikët mund të thonë që përpara ca kohësh në një lagje të Londrës autoritetet e sigurisë ndërmorrën një operacion pak a shumë të ngjashëm, jo në përmasa të tilla, që rezultoi fiasko. Sa janë shanset që të mos përsëritet e njëjta gjë në rastin e sotëm?

Rob Watson: Ajo që thonë shërbimet e kundërzbulimit dhe policia është në çdo fushatë kundër kërcënimit që ata shohin se vjen nga ekstremistët islamikë, ka raste kur informacioni që kanë është absolutisht i saktë dhe ka raste kur ai nuk është i tillë.

E tillë është natyra e punës se policisë ndaj kërcënimeve të tilla. A do të ketë gabime dhe a është ky një rast i tillë, është e vështirë të thuhet. Por nga bisedat që kam pasur me burimet të sigurisë dhe kundërzbulimit kam mendimin se ata besojnë se ky rast ishte vërtetë një komplot shumë i madh dhe se ata kanë arritur siç besojnë ata në eliminimin e tij.

Arben Manaj: Niveli i sofistikimit në mjetet që supozohej se do të përdoreshin në këtë komplot, është impresionues, dhe bëhet fjalë për mjete shpërthyese të lëngshme. Si e shihni ju këtë nivel sofistifikimi?

Rob Watson: Shumica e hollësive për natyrën e eksplozivëve të supozuara po vijnë nga Shtetet e Bashkuara sesa nga Britania e Madhe.

Është e vërtetë se ata thonë se besojnë se ato ishin mjete të sofistikuara ku mund të përdoreshin disa mjete shpërthyese të lëngshme, të cilat mund të futeshin në shishe pijesh dhe lëngje frutash koka kole, apo shishe uji, për të futur në bagazhet e dorës.

Por duke qënë se kam mbuluar në punën time shumë nga këto ngjarje, duhet të jem disi i kujdesshëm derisa të shihen provat në gjykatë apo një pjesë e provave të lena pas, siç ndodhi në rastin e sulmeve të 7 korrikut në Londër.

Arben Manaj: Ndërkohë niveli i gatishmërisë në Angli është rritur në nivelin e quajtur kritik më të lartin. A ka qënë ndonjëherë një nivel i tillë mesa mbani mend ju?

Rob Watson: Kurrë nuk ka qënë në një nivel kaq të lartë. Kjo është hera e parë që rritet niveli ne një shkallë kaq të lartë.

Dhe ky nivel nënkupton se ata kanë ose të dhëna specifike për këtë sulm specifik, ose ata mund të mendojnë se një sulm i tillë mund të jetë i iminent.

Sipas shërbimeve të sigurisë nisur nga niveli i survejimit se do të jetë e vështirë edhe pas arrestimeve të bëra të mos e ngresh nivelin e gadishmërisë në një nivel të tillë.

Arben Manaj: Dhe se fundi Rob Watson, ndoshta po të pyes me shumë seç duhet, por a mendoni se shërbimet sekrete kësaj rradhe kanë qëlluar në shenjë?

Rob Watson: Është shumë shumë e vështirë të thuash një gjë të tillë. Por autoritetet britanike të sigurisë duket se kanë më shumë besim sesa ndonjëherë tjetër që unë i kam dëgjuar.

Ata besojnë se ky komplot ishte i vërtetë dhe jo ndonjë skemë e imagjinuar komplotistësh që bëjnë muhabet në ndonjë kafene, por ishte dicka e vërtetë.

Autoritetet e sigurisë po ashtu besojnë se kanë kapur të dyshuarit kryesorë. Por sërish, deri në momentin që ata të gjykohen në gjykatë, në një farë mënyre duhet të rezervosh gjykimin. Por kësaj rradhe duket ndryshe.