BBCAlbanian.com
 
Botuar: E hënë, 21 gusht 2006 - 16:06 CET
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
Klinton flet për BBC-në
 
Ish presidenti Klinton
Klinton angazhohet për mjedisin dhe në luftën kundër AIDS-it
Ish presidenti i SHBA-së, Bill Klinton ka dhënë një intervistë të për BBC-në në të cilën ka mbuluar tema të ndryshme si AIDS, ndryshimi i klimës dhe politika e jashtme amerikane në Lindjen e Mesme.

BBC foli me të dhe fillimisht e pyeti mbi atë se ç'mund të thonte ai për politikat e përgjithshme mbi AIDS-in?

Klinton: Në rast se njerëzve do t'u ofroheshin sisteme që funksionojnë, akses në medikamente dhe ndihmë, të trajnuar si duhet, etj, ne mund ta ndryshojmë këtë. Por ka ende shumë probleme. Dhe ne na duhet ende shumë punë parandaluese. 90% e njerëzve që janë të infektuar nuk dinë statusin e tyre. Por përpjekje të mëdha po bëhen në shumë vende dhe ka një besim të ri se ne mund të ndryshojmë këtë.

BBC: Ju i referoheni shpesh në autobiografinë tuaj çështjeve të HIV dhe AIDS. A mund të më shpjegoni se pse është kaq e rëndësishme për ju të punoni me këto çështje?

Klinton: Hilari dhe unë kemi patur një mik të mirë i cili vdiq nga AIDS në fillim të viteve 1980-të. Dhe ne kemi qenë gjithnjë të interesuar në të. Kur unë konkurova për president më 1992, unë premtova një përpjekje masive në Amerikë. Ne qemë të aftë të ndalonim epideminë. Kur lashë zyrën, pata dhimbjen se nuk mundëm të bëjmë sa duhet, askush në botë nuk kishte bërë sa duhej.

BBC: Organizatorët e kësaj konference e mbajnë atë në Kanada, sepse është e vështirë për njerëzit që kanë HIV të hyjnë në SHBA. A mendoni se kjo duhet riparë?

Klinton: Po, ashtu mendoj. Unë nënshkrova një dokument që vazhdonte atë politikë, sepse në të kishte mjaft gjëra të tjera që ishin të mira dhe unë nuk doja të humbja atë që ishte e mirë. Por unë mendoj se do të ishte një gjë e mirë të mbanim një konferencë ndërkombëtare mbi AIDS-in në SHBA, për shkak të gjithë debateve që pati mbi planin urgjent të presidentit për lehtësimin e AIDS, meqenëse në të u shpenzuan kaq shumë para. Gjithësesi nëse vihet në peshore, është bërë shumë më tepër mirë sesa dëm pas gjithë atyre shumave të parave që siguroi Kongresi.

BBC: Duke u kthyer tek kjo konferencë, shumë njerëz në Mbretërinë e Bashkuar mund të thonë, sëmundja nuk do të më prekë mua, pse duhet të shqetësohem?

Klinton: Por do t'i prekë ata, qoftë edhe indirekt. Mbretëria e Bashkuar ashtu si edhe Amerika ka shumë emigrantë nga gjithë bota dhe shumë vinë nga vende që kanë probleme serioze me AIDS-in. Ne kemi pasur 40 milion njerëz që janë bartës të HIV. Gjashtë milion e gjysmë kanë nevojë për mjekim që të mbeten gjallë. Më pak se një milion e gjysmë prej tyre marrin mjekimin.

Statistikat janë edhe më të këqija për fëmijët. Në një botë ndërvarësie, ku kemi nevojë të bëjmë më shumë shokë e më pak armiq ndërsa luftojmë terrorin, ne dimë se do të paguajmë një çmim më të tmerrshëm në një botë të ndarë nëse nuk veprojmë.

BBC: Ju përmendët terrorin, që është kthyer tashmë sërish në qendër të lajmeve. A jeni dakort me opinionin se politika e jashtme e ndjekur nga Britania dhe SHBA që pas 11 shtatorit, ka rritur rrezikun për qytetarët britanikë që të jenë në shënjestër.

Klinton: Nuk mendoj se të shkuarit në Afganistan për të rrëzuar Talebanët dhe ndjekja e Bin Ladenit dhe Al Zahuairit ka vënë britanikët para një rreziku më të madh. Unë mendoj se fakti që ne kemi patur një bashkëpunim të rritur mes shërbimeve inteligjente dhe zyrtarëve të zbatimit të ligjit në gjithë botën, jo vetëm mes britanikëve dhe amerikanëve, por edhe me vende si Franca e Gjermania, që nuk ishin dakort me politikën tonë në Irak, ka bërë botën më pak të rrezikshme. Nuk ka dyshim se Al-Kaeda vazhdon të frymëzojë aksione terroriste dhe të jetë e përfshirë në to. Nëse asgjë tjetër, ne duhet të kishim dërguar më shumë trupa në Afganistan.

Mbi pyetjen e Irakut, unë nuk mendoj se përmirësoi sigurinë tonë kombëtare, unë nuk mendoj se Iraku pati ndonjë ndikim, në ndonjë rrugë apo një tjetër. Terrorizmi i frymëzuar prej sunitëve, mesa duket tani është ai që është nxitur. Kishte një përkushtim atje për të sulmuar perëndimin para 11 shtatorit. Dhe, fakti se ne e kemi bërë më të vështirë për ta të veprojnë me një model të centralizuar, për mendimin tim në përfundim ishte pozitiv.

BBC: Sa thelbësore është përplasja e vlerave në këtë luftë mbi terrorin, dhe sa gjatë mendoni të vazhdojë kjo?

Klinton: Unë mendoj se përplasja e vlerave është më e rëndësishme se ndryshimet fetare. Unë mendoj se Islami mund të interpretohet në disa mënyra të ndryshme, ashtu si krishtërimi, si xhudaizmi. Një mijë vjet më parë, të krishterët e interpretuan vullnetin e zotit si leje për vrasjen e shumë të pafajshmëve në Lindjen e Mesme, përfshi shumë hebrenj. Pyetja është: çfarë justifikon aktin e marrjes së jetës së një njeriu? Dhe çfarë do të përfitojnë nëse fitojnë një luftë vetëm sepse mund të detyrojnë të dy palët të vrasin civilë? Kjo është pak a shumë ajo ç'ka ndodhi në Liban. Hezbollahu lëshoi gjithë ato raketa dhe më pas u fsheh mes popullsisë civile.

Ç'lloj bote do të lenë ata për fëmijët dhe nipërit e tyre? Vërtetë besojnë ata se kanë të vërtetën absolute dhe se nuk mund të lejojnë asnjëfarë ndryshimi? Pyetja qëndrore për kohën tonë nuk është se si t'i i falesh zotit apo edhe nëse i falesh apo jo zotit. Pyetja është a mund të besosh në këtë jetë se mund të zotërohet e vërteta absolute dhe se ju keni të drejtën ta impononi atë mbi të tjerët dhe për këtë arsye ndryshimet e tua janë më të rëndësishme se ajo që kemi të përbashkët.

Unë mendoj se kjo është kriza e vlerave. Ne kemi nevojë të kujtojmë edhe këtë. Meqenëse ne jemi të pasur, ne jemi të fortë, ne ndonjëherë kemi qenë të pandjeshëm ndaj më të dobtit dhe ndaj atyre që nuk mund të ngjiteshin aq lartë sa të hynin në programet tona të punës. Kështu nëse duam t'i nxisim njerëzit dhe t'i bindim ata, si dhe t'i pengojmë ata që të angazhohen në terror, ne duhet të veprojmë sikur të besonim se njerëzishmëria jonë është më e rëndësishme.

BBC: Dhe sa gjatë mendoni se do të zgjasë kjo përplasje?

Klinton: Epo, kjo po zgjat prej shumë kohe tashmë. Ne kemi pasur incidente terroriste si pjesë të jetës sonë për disa dekada tashmë. Por tani terrorizmi ka fituar një tjetër dimension, një nivel organizimi dhe nivel ndikimi të mundshëm për shkak të teknologjisë së armëve dhe mundësisë për të komunikuar dhe udhëtuar në një botë të hapur, në një botë ndërvarësishë, që nuk e ka pasur në kurrë më parë. Unë mendoj se do të jetë një problem derisa ndryshimet të zgjidhen dhe shkaktarët të thyhen.

BBC: Ju jeni një njeri gjithnjë i gatshëm për sfida të reja. Cila do të jetë sfida e ardhshme?

Klinton: Unë sapo jam përfshirë në një projekt mahnitës mbi ndryshimin klimaterik dhe deri tani kemi bashkëpunuar me 20 ndër 25 qytetet më të mëdha të botës, përfshirë Londrën, në të cilin ne jemi përpjekur të ndihmojmë përpjekjet e tyre të pakësojnë në një masë sa më të madhe lëshimet e gazeve në ajër në një mënyrë që të përmirësojë funksionimin e ekonomisë dhe dhe të përmbushë përgjegjësinë që kemi para brezave të ardhshëm. Unë mendoj se është një çështje tejet e rëndësishme. Ky problemi i ndryshimit klimaterik, i kombinuar me shfrytëzimin e shpejtë të gjithë rezervave të naftës që njohim ka potencialin të ndryshojë dhe kufizojë në një mënyrë radikale të ardhmen që njerëz në gjithë planetin do të kenë. Dhe unë mendoj se është e detyrueshme që ne të përballemi me të.

Unë mendoj se ndryshimet e klimës janë një mundësi jo vetëm për vendet e pasura, por për ato të varfëra gjithashtu. Unë fola me kryeministrin e Etiopisë, në udhëtimin tim të kohëve të fundit në Afrikë, mbi mundësitë që ata kanë për të prodhuar karburante me biologjike dhe të zhvillojnë Afrikën si një vend i lirë nga karburantet kur vjen fjala tek transportet. Kjo do të ishte me mjaft leverdi edhe për fermerët. Kjo do t'i ndihmonte fermerët edhe më shumë se heqja e subvencioneve për fermat në BE dhe SHBA. Unë mendoj se puna që ne po bëjmë, plotësohet me përpjekjet që unë po bëj për AIDS-in. Por, unë realisht dua të bëj diçka që të ketë ndikimin në ndryshimin klimaterik.

 
 
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>