BBCAlbanian.com
 
Botuar: E premte, 11 gusht 2006 - 12:44 CET
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
Mbresa të udhëtimit Tiranë-Londër
 

 
 
British Airways
Linja ajrore British Airways ka patur vonesë në udhëtimin nga Tirana
Komploti për të hedhur në erë avionë pasagjerësh që fluturonin nga Britania për në SHBA ishte lajm i parë edhe në Shqipëri.

Masat e mëdha të sigurisë që përfshinë aeroportet, u vendosën menjëherë edhe në aeroportin "Nënë Tereza" në Tiranë.

Tashmë të gjithë e dinin, se ashtu si bashkëudhëtarët e tyre në Londër, apo dhe në aeroporte të tjera, edhe ata të Tiranës do të përjetonin vonesat dhe masat e reja të sigurisë.

Pritje

Avioni i British Airways, të enjten mbërriti në Tiranë, diku rreth orës 22, ndërkohë që duhej të mbërrinte diku rreth oresë 20.

Pas më shumë se tre orësh vonese, diku rreth orës 23, avioni u nis për në Londër.

Pasagjerëve u duhej që të kalonin rreth pesë orë në aeroportin e Tiranës, në pritje të lajmeve nëse do të bëhej fluturimi ose jo.

Por pritja vazhdoi edhe pas përfundimit të fluturimit.

Në aeroportin e dytë për nga madhësia në Londër, në atë Gatwick, rreth orës dy të mëngjesit, nuk vëreheshin forcat e sigurisë, por ishte evidente se masat e sigurisë janë shtuar.

Gjatë kontrollit të pasaportave procedura ishte më e gjatë se herët e tjera.

Kërkoheshin pyetje më të hollësishme për qëndrimin në Londër. Ndërkohë e njëjta procedurë ndiqej edhe me shtetasit britanikë. Zakonisht ata kalojnë shumë shpejt kontrollin e pasaportave.

Kështu udhëtimi i nisur diku në ora gjashtë pasdite, në rastin më të mirë përfundoi rreth orës 3 të mëngjesit të ditës tjetër, nëse nuk udhëtoje jashtë Londrës.

Për të tjerët udhëtimi i gjatë do të vazhdonte edhe më tej.

Siguria

Veç pritjes së gjatë, gjatë udhëtimit për në Londër, pasagjerët kaluan edhe nëpër masa të rrepta sigurie.

Në bordin e avionit nuk lejohej as edhe një gjë. Kjo nënkuptonte, as libra, as gazeta, as syze dielli, as edhe kapele.

Me të vetmet gjëra që mund të merreshin në avion ishin pasaporta dhe bileta e udhëtimit.

Pas fillimit të fluturimit i ofrova një bashkëudhëtareje një çamçakëz. Reagimi i saj ishte: "Ua, paske mundur t'i fusësh në avion. Mua m'i morën të tëra."

Megjithë vonesat dhe masat e mëdha të sigurisë, udhëtarët ishin të qetë dhe respektonin rregullat e reja.

Të gjithë pranonin situatën e re, ku prioritet tani ishte udhëtimi i sigurtë.

Në avionin e British Airways, nga Tirana për në Londër, kishte dhe nga ata që do të udhëtonin për në SHBA.

Një çift dhe një familje prej katër anëtarësh me dy fëmijë të vegjël, nuk ishin të shqetësuar. Ata thanë se janë të qetë, ngaqe masat e rrepta të sigurisë u largonin frikën, që mund të kishte shkaktuar komploti për të hedhur në erë të avionëve që udhëtonin drejt destinacionit të tyre.

Shqetësimi i vetëm që kishin tani ishte pritja e gjatë.

A jeni në këtë moment i bllokuar në ndonjë nga aeroportet britanike? Ç'mendoni për masat e shtuara të sigurisë? A keni qënë dëshmitar në ndonjë prej bastisjeve të policisë?

Ju lutemi çoni komentet tuaja në adresën e e-mailit albanian@bbc.co.uk

(BBCAlbanian.com mund të redaktojë komentet tuaja dhe nuk garanton se do të botohen të gjithë e-mailët.)

 
 
LOKALE
Vazhdon operacioni anti-terrorist
11 gusht 2006 | Faqja Kryesore
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>