BBCAlbanian.com
 
Botuar: E shtunë, 01 korrik 2006 - 14:30 CET
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
Finlanda merr presidencën e BE-së
 
Flamuj të BE-së dhe Turqisë
Turqia në krye të axhendës së presidencës finlandeze
Finlanda thotë se dëshiron të vërë marrëdhëniet me Turqinë dhe Rusinë në krye të rendit të ditës gjatë presidencës së saj gjashtëmujore të Bashkimit Evropian që fillon sot.

Kryeministri finlandez, Matti Vanhanen, tha se pjesa më e madhe e kohës së tij do të zihet nga përpjekjet për të shmangur një dështim të negociatave të anëtarësisë me Turqinë si dhe për të kërkuar garanci më të mira për furnizimet me gaz nga Rusia.

Zyrtarët finlandezë synojnë gjithashtu të mbajnë gjallë kushetutën e fjetur evropiane.

Ishte gjatë presidencës së shkuar të Finlandës në BE shtatë vjet më parë kur Turqia mori statusin e dëshiruar të kandidatit.

Tani Matti Vanhanen do të duhet të bëjë ç'është e mundur për të vazhduar negociatat e anëtarësisë.

Gjithnjë ekziston mundësia e ndalimit të negociatave, paralajmëroi kryeministri finlandez, nëse Turqia nuk hap portet dhe aeroportet e saj për trafikun që vjen nga Qiproja.

Pa këtë hap të parë drejt normalizimit të marrëdhënieve, Qiproja ashtu si edhe çdo vend tjetër i BE-së mund të bllokojë anëtarësimin e Turqisë kur të dojë.

Siguria e furnizimeve me energji është një tjetër përparësi për BE-në, siç është edhe për Finlandën, e cila e importon të gjithë gazin e saj nga Rusia.

Zoti Vanhanen do ta ftojë presidentin rus Vladimir Putin për të marrë pjesë në një samit të BE-së në tetor.

Finlanda planifikon të ratifikojë së shpejti kushtetutën evropiane, megjithëse zoti Vanhanen tha se nuk pritet ndonjë përparim para zgjedhjeve të ardhshme në Holandë e Francë.

Për të sjellë pak ajër të ri në BE, finlandezët dëshirojnë t'i japin shtytje kërkimeve dhe novacioneve dhe të kërkojnë një qasje më të madhe të publiku në takimet dhe dokumentet e BE-së.

 
 
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>