BBCAlbanian.com
 
Botuar: E enjte, 25 maj 2006 - 19:03 CET
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
Shqetësimet për energjinë dominojnë samitin BE-Rusi
 
Presidenti Putin me udhëheqës të Bashkimit Evropian
Në samitin BE-Rusi të dyja palët dhanë sinjale sigurie për furnizimin me energji
Sigurimi i furnizimeve me energji nga Rusia për në Europë ishin çështjet që dominuan samitin e e Bashkimit Evropian dhe Rusisë që po zhvillohet në vendpushimin Soçi në Detin e Zi.

Kompania ruse Gazprom siguron një të katërtën e nevojave të Europës, dhe kohët e fundit ka patur shqetësime të bazuarar në disa qëndrime të ndryshme lidhur me këtë fakt.

Megjithatë në samitin BE-Rusi, të dyja palët dhanë sinjale sigurie për furnizimin me energji dhe të ardhmen e marrëdhënieve mes palëve.

Presidenti Putin tha se Rusia kishte marrë masa për të forcuar sigurinë e energjisë në kontinentin evropian.

Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso tha se Bashkimi Europian dëshironte një marrëdhënie të bazuar në parime te ndërpavarësise.

Samiti pati si qëllim arritjen e një marrëveshje afatgjatë për marrëdhëniet Rusi-BE edhe për çështje si programi bërthamor i Iranit.

Të dyja palët arrijnë një marrëveshje për lehtësimin e regjimit të vizave.

Takimi i Presidentit Putin me liderët e Bashkimit Europian u zhvillua në mes të thirrjeve të BE-së ndaj Rusisë që kjo e fundit të ratifikojë Traktatin Ndërkombëtar të Kartës së Energjisë.

Po cili është qëllimi i traktatit, cilat janë pikat kryesore te tij dhe pse duhet që Rusia ta ratifikojë atë?

Analisti i BBC-së për cështjet e Europës Qendrore dhe Juglindore Gabriel Partosh, i jep përgjigje disa prej këtyre pyetjeve.

Pse u krijua Karta e Energjisë?

Partosh: Karta e Energjisë ishte një përgjigje praktike ndaj inisiativave të reja të bashkëpunimit që filluan pas fundit të luftës së ftohtë në fillim të viteve 90. Qëllimi i saj ishte të ndihmonte në tejkalimin e ndarjeve të mëparshme ekonomike të Europës. Një nga fushat më të frytshme të bashkëpunimit ishte energjia. Për më tepër, Rusia dhe disa nga republikat ish sovjetike janë prodhuesit më të mëdhenj, ndërsa pjesa tjetër e Europës, janë konsumatorë të mëdhenj.

Kur u ra dakort mbi këtë Kartë, dhe cilat janë vendet nënshkruese te Kartës?

Partosh: Traktati i Kartës së energjisë u nenshkrua ne Lisbonë ne vitin 1994. Hyri ne fuqi 4 vjet më vone. Pesëdhjetë e një shtetet nënshkruese përfshijne vendet e Europës, republikat ish Sovjetike si dhe Japoninë dhe Australinë. Anëtarësia në të përfshin më së shumti vende që aderojnë edhe në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE). Por, SHBA dhe Kanadaja nuk janë anëtarë -- megjithëse së bashku me disa prodhues nafte nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut, ata kanë statusin e vëzhguesit.

Cili është qëllimi kryesor i Kartës?

Partosh: Ajo synon te forcojë shtetin ligjor mbi cështjet e energjisë, të krijojë, sipas fjalëve të vetë kartës, "një nivel rregullash që mund të kontrollohet apo vëzhgohet nga të gjitha qeveritë pjesëmarrëse". Qëllimi i pritshëm është të minimizohen rreziqet në investime dhe tregëti në sektorin energjetik.

Cilat janë fushat specifike që mbulon Traktati brenda sektorit energjetik?

Partosh: Ekzistojnë 5 fusha të gjëra:
-- të promovojë dhe të mbrojë investimet e huaja;
-- të inkurajojë tregun e lirë, bazuar ne rregullat e OBT-së;
-- të sigurojë lirinë e transportit të energjisë përmes rrjeteve të shpërndarjes;
-- të përmirësojë efikasitetin dhe rrjedhimisht të reduktojë efektet negative dhe të dëmshme mbi ambjentin;
-- të ofrojë një mekanizëm për të zgjidhur konfliktet e mundshme mes shteteve individuale apo mes shteteve dhe investitorëve.

Pse BE kërkon me ngulm që Rusia të ratifikojë Traktatin?

Partosh: Ka patur një shqetësim në rritje mbi sigurinë e furnizimeve nga Rusia që nga fillimi i vitit, kur gjiganti rus i energjisë Gazprom, ndaloi furnizimin me gaz për Ukrainën -- gjë që pati një efekt të menjëhershëm tek konsumatorët Europianë. Rusia luan një rol thelbësor në furnizimin e Europës me energji: përbën rreth 25% të konsumit me naftë dhe gaz në të gjitha vendet e BE-së.

Pse Rusia heziton të ratifikojë Karten 12 vjeçare?

Partosh: Ratifikimi do të përfshinte respektimin e klauzolave të këtij traktati, çfarë do të thotë mundësi të barabarta dhe konkurrencë të lirë për kompanitë e huaja që të ndërtojnë dhe të vënë në punë infrastrukturën e duhur, si psh naftësjellësa, në Rusi. Me fjalë të tjera, do të minonte monopolin që gëzon Gazprom-i dhe kompanitë ruse të naftës.

Çfarë do të përfitonte Rusia në këmbim?

Partosh: Përpjekjet e Gazprom-it për të blerë në rrjetet e shpërndarjes së gazit në vende, si Britania, janë përballur me vështirësi të mëdha në një terren ku Gazpromi ka patur gjithmonë statusin e të privilegjuarit. Nëse Moska do të ratifikonte Traktatin, kjo do të ndihmonte në hapjen e mundësive për investime për gjigantët rusë të energjisë në Europe, si dhe në të njëjtën kohë per kompanitë e huaja në Rusi.

 
 
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>