BBCAlbanian.com
 
Botuar: E enjte, 27 prill 2006 - 14:20 CET
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
Putin akuzon perëndimin për 'alarm të rremë energjitik'
 
Impiant i Gazprom-it
Putin thotë eksportet energjitike ruse janë të besueshme
Presidenti rus Vladimir Putin e ka akuzuar perëndimin se po e fryn qëllimisht shqetësimin lidhur me eksportet ruse të energjisë.

Zoti Putin tha se edhe gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, Moska i kishte përmbushur gjithmonë detyrimet e saj kontraktuale në fushën e energjisë me vendet evropiane.

Ai tha se vazhdimisht dëgjonte ankesa nga evropianët se kontinenti ishte shumë i varur nga energjia ruse.

"Kur dëgjojmë komente të tilla, ne i interpretojmë ato si paralajmërime për të kufizuar kompanitë ruse, prandaj na shtyn të gjejmë tregje të reja", tha zoti Putin.

Presidenti rus kritikoi reagimin e disa politikanëve dhe biznesmenëve britanikë të cilët, siç u shpreh ai, kanë bërë thirrje për miratimin e ligjeve për të mos i lejuar kompanitë ruse të naftës dhe gazit që të depërtojnë në tregun britanik.

"Kur kompanitë e huaja vijnë në Rusi, ato e quajnë këtë 'investim' në emër të globalizimit, por kur rusët shkojnë në vende të tjera, kjo shihet si ekspansion", tha presidenti Putin.

Pavarësisht nga këto komente të ashpra, ai mohoi zërat se Moska kishte ndonjë plan për të kufizuar furnizimin e Evropës me energji.

Ai tha se Evropa ishte një partner i natyrshëm dhe i përshtatshëm me të cilin Rusia mund të bënte biznes.

Komentet e presidentit Putin pasojnë njoftimet në shtypin britanik se qeveria britanike do të mbikqyrë me shumë kujdes çdo tentativë të gjigandit rus , Gazprom, për të blerë kompaninë britanike të energjisë, Centrica.

Presidenti Putin i bëri këto komente pas bisedimeve që zhvilloi në Siberi me kancelaren gjermane Angela Merkel.

 
 
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>